Jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët gjithnjë e më shumë po bëhen përdorues të syzeve për shkak të vështirësisë që hasin për të parë larg.
Sipas një studimi global pritet që deri më vitin 2050, 40% e fëmijëve mund të preken nga Miopia, ose thënë ndryshe nga vështirësitë e shikimit në distancë.
Por, për mjekët okulistë në vendin tonë, kjo shifër është e pritshme pasi numri i përdoruesve të celularëve nga fëmijët është shumë i lartë.
“Kjo situatë pritet të jetë edhe më keq se kaq, ka raporte të OBSH që e shohin këtë shifër afër 50% e popullsisë globale që të jetë e prekur nga problemet e Miopisë të shkaktuara si qasje e pajisjeve digjitale, ndoshta kjo 40% është veç për fëmijët. Në Shqipëri kemi të bëjmë me një situatë shumë të ngjashme sepse nuk bën përjashtim se tashmë në të gjithë globin, në vendet e zhvilluara me pajisje digjitale ku bën pjesë edhe Shqipëria, qasja e fëmijëve është e paevitueshme deri diku. Kështu që kjo % është e përafërt me ne, ndoshta dhe më keq, për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit, mendoj se bota më e ndërgjegjësuar në këtë aspekt”, thotë mjeku Rubin Topi.
Për okulistin Rubin Topi, mesatarisht nga 10 fëmijë që paraqiten për të marrë trajtim mjekësor, 3 deri në 4 prej tyre rezultojnë miop, pra hasin vështirësi me shikimin.
"Nuk i ngjan dita ditës, por ne çdo ditë hasim me fëmijë që ka probleme të tilla. Sidomos gjatë fluksit të pranverës e verës, edhe në këto momente që kanë filluar shkollat. Në 10 fëmijë, 3-4 prej tyre na kanë rezultuar që janë me probleme arrijmë te ajo mesatare e përafërt me atë që ju përmendët. Ka raste dhe më tepër se kaq, varet sa e ka lejuar prindërit fëmijën të ketë qasje me pajisjet. Pa përjashtuar edhe fëmijët që kanë lindur me probleme të tilla", shton ai.
Mbajtja e celularit apo pajisjeve teknologjike larg duarve të fëmijëve, shihet si një mision i pamundur edhe për vetë prindërit, ndërsa fëmijët tregojnë për Report TV shqetësimet që marrin nga përdorimi i tyre.
PRINDËRI: Mundohemi tua heqim, po është e paevitueshme. Nuk është problem veç tek sytë, por edhe qëndrimi i trupit”.
“Mundohemi t’ua kontrollojmë, ta mbajnë me orar të reduktuar, por problem”.
NXËNËSIT: Qëndrojmë nga 7-8 orë me celularë. Më dhemb qafa, djegin sytë kur rrijë shumë”.
Përdorimi i teknologjisë pa kriter nuk shfaq vetëm miopinë tek fëmijët, por shkakton edhe një sërë problematikash të tjera.
"Qasja e pajisjeve dixhitale, sidomos që në moshë të vogël e bën fëmijën që gradualisht të ketë nevojë për syze. I formon një numër me minus. Miopia është një problem, kur shikimi nga larg është me minus. Lodhja e vazhdueshme që i ndodh fëmijës vazhdimisht me shikimin nga afër, kjo automatikisht e bën që të ofrojĽ një numër me minus. Sepse, fillojnë problemet me posturën, pozicionin, problemet me qafën, skoliozën. Fillon një fenomen zinxhir”, theksoi okulisti.
Sipas bluzave të bardha në moshën 5-6 vjeç e lartë, hasen më shumë këto probleme, kjo e ndikuar nga koha që prindërit iu lejojnë përdorimin e teknologjisë. Mjekët rekomandojnë që në ditë, një fëmijë nuk duhet të qëndrojë më shumë sesa 30 minuta para pajisjeve teknologjike.