Sipas një studimi të ri të sapo botuar nga studiuesit japonezë, Covid mund të qëndrojë në lëkurën e njeriut shumë më gjatë sesa viruset e gripit.
Sipas studimit, SARS-CoV2 mbetet aktiv për 9 orë kurse virusi i gripit A për rreth 2 orë. Po sipas studimit të dy viruset u inaktivuan shpejt falë pastruesit të duarve (prandaj ka rëndësi larja e shpeshtë e duarve me ujë dhe sapun ose, kur nuk është e mundur, me dezinfektant).
"Ky studim tregon që, krahasuar me gripin, Sars-Cov-2 mund të transmetohet më lehtë përmes kontaktit sepse mbetet më i qëndrueshëm në lëkurën e njeriut », -shkruajnë autorët e hulumtimit të sapo botuar në revistën Sëmundjet Klinike Infektive.
Në sipërfaqet e tjera
Në fillim të pandemisë, një grup studiuesish amerikanë studiuan se sa kohë Sars-CoV-2 mund të qëndronte në sipërfaqe, duke zbuluar se qëndronte deri në 4 orë në bakër, deri në 24 orë në karton dhe deri në tre ditë në plastikë dhe çelik.
Me kalimin e kohës, ngarkesa infektive u zvogëlua, në mënyra të ndryshme në varësi të sipërfaqes.
Sidoqoftë, për arsye etike, të shqyrtosh se sa kohë virusi mund të vazhdojë të qëndrojë në lëkurën e njeriut është më e komplikuar pasi nuk do të ishte e pranueshme të spërkasësh virusin kërcënues për jetën në duart e njerëzve për të llogaritur se sa zgjat ai. Pra, për këtë studim të ri, studiuesit nga Universiteti Mjekësor i Prefekturës Kyoto në Japoni krijuan një model të lëkurës duke përdorur mostra të lëkurës njerëzore të marra nga autopsitë. Mostrat u mblodhën një ditë pas vdekjes. Autorët vunë në dukje se edhe 24 orë pas vdekjes, lëkura e njeriut ruan shumë nga funksionet e saj.
Përzier me stërkalat, koronavirusi zgjat edhe më shumë
Duke përdorur modelin e tyre, autorët zbuluan se Sars-CoV-2 mbijetoi në mostrat e lëkurës njerëzore për 9.04 orë, krahasuar me 1.82 orë për virusin e gripit A dhe kur përzihet me stërkalat e grimcave virale kur kolliteni ose teshtini, Sars-CoV-2 zgjati për një kohë edhe më të gjatë, rreth 11 orë. Të dy viruset u inaktivuan në lëkurë 15 sekonda pas përdorimit të mjetit pastrues të duarve me 80% alkool
Pasiguritë në lidhje me dozën infektive
"Higjiena e duhur e duarve çon në inaktivimin e shpejtë viral të Sars-CoV-2 dhe mund të zvogëlojë rrezikun e lartë të infeksioneve të kontaktit", komentuan autorët.
E panjohur mbetet sasia e dozës infektive, domethënë, cila është sasia e grimcave virale të nevojshme për të transmetuar infeksionin duke prekur lëkurën e ndotur.
Autorët pranuan se ata nuk e konsideruan këtë aspekt në kërkimin e tyre, i cili do të duhet të studiohet në një hulumtim të ri. Sidoqoftë, studimi tregon se higjiena e duarve është domosdoshmëri ashtu si edhe maskat.