Ekspozimi i përsëritur ndaj të nxehtit dhe temperaturave ekstrem po përshpejton plakjen tek njerëzit, sipas një studimi të fundit.
Shkencëtarët theksojnë se ndikimi i këtyre valëve të nxehta është në një shkallë të ngjashme me dëmet që shkakton duhani, alkooli, dieta e varfër apo mungesa e aktivitetit fizik për shëndetin.
Temperaturat ekstreme janë bërë gjithnjë e më të zakonshme për shkak të krizës klimatike, duke kërcënuar me dëme afatgjata dhe të gjerë për shëndetin e miliarda njerëzve, paralajmëruan studiuesit.
Për këtë studim, janë ndjekur 25,000 persona në Tajvan për 15 vjet dhe janë krahasuar periudhat e ekspozimit ndaj valëve të nxehta me moshën biologjike të individëve, e cila është një masë e shëndetit të përgjithshëm.
Për shembull, u gjet se mosha biologjike e personave që përjetuan katër ditë më shumë valë nxehtësie në një periudhë 2-vjeçare, u rrit me rreth nëntë ditë. Punëtorët, të cilët kalojnë më shumë kohë jashtë, ishin më të prekura me moshën e tyre biologjike që u rrit me 33 ditë.
Ndërkohë që kjo rritje e moshës biologjike mund të duket e vogël, shkencëtarët theksuan se kjo ka ndodhur vetëm gjatë një periudhe 2-vjeçare. Ata janë duke hetuar ndikimin e valëve të nxehta gjatë tërë jetës së individëve.
Dr. Cui Guo, që udhëhoqi kërkimin në Universitetin e Hong Kongut, tha: “Nëse ekspozimi ndaj valëve të nxehta grumbullohet për disa dekada, ndikimi në shëndet do të jetë shumë më i madh se sa kemi raportuar deri tani.”
Studimi, i botuar në revistën "Nature Climate Change", përdori rezultate nga një seri testesh mjekësore, përfshirë matjen e tensionit të gjakut, inflamacionin, kolesterolin, dhe funksionin e mushkërive, mëlçisë dhe veshkave, për të përcaktuar moshën biologjike të individëve.
Shkencëtarët krahasuan moshën biologjike të çdo individi me moshën e tij të vërtetë për të parë nëse ekspozimi ndaj valëve të nxehta kishte lidhje me plakjen më të shpejtë.
Pavarësisht se nuk është e qartë pse temperaturat e larta shkaktojnë plakje më të shpejtë, dëmtimi i ADN-së duket të jetë një nga arsyet kryesore.
Studimi mori parasysh faktorë si pesha e individëve, zakonet e tyre të të ushqyerit dhe ushtrimeve, si dhe ndonjë sëmundje ekzistente si diabeti dhe kanceri.
Komente
