STUDIMI/ Mosha mesatare e nisjes së duhanit në Shqipëri, 13 vjeç! Anketohen 19 mijë nxënës, 42% e duhanpirësve djem

15 Shtator 2022, 20:38| Përditesimi: 15 Shtator 2022, 20:41

  • Share

Mosha mesatare e nisjes së duhanit tek djemtë dhe vajzat në Shqipëri është 13 vjeç. Alarmi për të gjithë prindërit vjen pas studimit të bërë mes më shumë se 19 mijë nxënës në të gjithë vendin. Koordinatori i këtij studimi Drini Imami specifikon gjetjet dhe nivelin shqetësues në vend.

“Legjislacioni që ndalon duhanin në ambiente të mbyllura, që parashikonte edhe gjobitje, ka sjellë një ulje 20-30% të mos nisjes së duhanit tek të rriturit. Gjithashtu rritja e vazhdueshme e çmimit si rrjedhojë e taksimit. Për çdo 10% rritje të taksimit, vërejmë një ulje të mos nisjes së duhanit me 5%. Nëse dy prindërit pinë duhan, 40% nisin duhan. Dhe ata fëmijë që shoqërohen me fëmijë të mitur që pinë duhan, ka më shumë gjasa të nisin duhanin. Nëse shoku apo shoqja e ngushtë pi duhan, ky probabilitet është më i lartë”, tha Drini Imami.

Për pedagogun e Universitetit Bujqësor, Drini Imami, nga studimi ka rezultuar se pirja e duhanit do të reduktohej nëse do të rriteshin taksat për këto produkte, por edhe nëse forcohej zbatimi i ligjeve për kontrollin e duhan pirjes në mjediset publike si dhe realizimi i fushatave ndërgjegjësuese.

“Rritja e vazhdimit të çmimit përmes taksimeve do dekurajonte mos nisjen e duhanit. Vazhdimi i zbatimit të legjislacionit në lidhje me mos konsumimin e duhanit në ambiente publike. Duhet përforcuar më tej. Nga ana tjetër duhet më shumë ndërgjegjësim, sidomos për familjarët”, tregon pedagogu, Drini Imami.

Nga studimi  i realizuar nga qendra Development Solutions Associates në bashkëpunim me Universitetin e Illinois në Çikago të SHBA, rezultoi se mbi 42% e djemve dhe 7% e vajzave, konsumojnë produkte duhani në Shqipëri.

Studimi i plotë

Konsumi i duhanit mbetet një problem shqetësues në Shqipëri; mbi 42% e meshkujve dhe 7% e femrave konsumojnë produkte duhani, një normë shumë më e lartë se mesatarja globale. Pirja e duhanit në Shqipëri është veçanërisht e lartë tek të rinjtë, ku më shumë se gjysma e meshkujve nga 25 deri 34 vjeç pinë duhan rregullisht dhe për më tepër shumica e duhanpirësve kanë nisur të pinë duhan rregullisht para moshës 18 vjeç. Gjatë një tryeze të rrumbullakët të titulluar “Nisja e duhanpirjes tek të miturit: Pse familja, shoqëria dhe politikat e qeverisë kanë rëndësi” të zhvilluar në Hotel Tirana të Enjten, datë 15 Shtator 2022, u ndanë gjetjet e një analize të kryer së fundmi rreth ndikimit të politikave të kontrollit të duhanit dhe faktorëve të tjerë në nisjen e duhanpirjes.

Ky studim është kryer nga qendra DSA në bashkëpunim me Universitetin e Illinois në Çikago (University of Illinois of Chicago) me mbështetjen e Bloomberg Philanthropies. Studimi analizon të dhënat e siguruara nga Anketa Botërore e Duhanpirjes tek të Rinjtë (Global Youth Tobacco Survey - GYTS) i zbatuar në Shqipëri gjatë viteve 2004, 2009, 2015 dhe 2020. GYTS trajton përdorimin e produkteve të duhanit tek nxënësit e moshave 11 deri në 17 vjeç – numri i të miturve të përfshirë në katër anketat e përdorura në studim është 19,513 nxënës.

Sipas rezultateve të studimit, mosha mesatare e nisjes së duhanpirjes është 13 vjeç (si për meshkujt, ashtu edhe për femrat). Gjysma e duhanpirësve kanë nisur të pinë duhan para moshës 13 vjeçare dhe 90% e tyre para moshës 15 vjeçare. Rreziku i nisjes së duhanpirjes rritet ndjeshëm pas moshës 13 vjeç si për meshkujt ashtu edhe për femrat.

Çmimi ka një ndikim të madh në vendimin për të filluar pirjen e duhanit tek të miturit. Rritja e çmimit me 10% redukton gjasat e nisjes së duhanipirjes me 5%. Pra rritja e taksimit, duke u reflektuar në rritje të çmimit të cigareve, kontribuon në uljen e niveleve të konsumit (dhe nisjes) së duhanit. Gjithashtu, politikat e zbatuara që gjatë viteve 2013-2014 kanë ndikuar në reduktimin e ndjeshëm të pirjes së duhanit tek të miturit në Shqipëri. Më konkretisht, pas fillimit të aplikimit të gjobave për bizneset dhe më vonë për duhanpirësit në rastin e shkeljeve të masave për ndalimin e duhanpirjes në mjediset publike të mbyllura, nisja e duhanpirjes ka rënë përkatësisht me 30% dhe 20%. Pirja e duhanit nga bashkëmoshatarët rezulton një faktor i rëndësishëm. Të miturit që janë të ekspozuar ndaj pirjes së duhanit nga bashkëmoshatarët e tyre kanë 90% më shumë gjasa të nisin duhanpirjen.

Kur shokët e ngushtë pinë duhan, gjasat për të filluar duhanin janë pothuajse 2.5 herë më të larta. Të rinjtë që janë të ekspozuar ndaj pirjes së duhanit në shtëpi, kanë më shumë gjasa të pinë duhan. Të miturit që kanë një pjesëtar të familjes që pi duhan në shtëpi janë 65% më të rrezikuar të nisin duhanin se të miturit që nuk janë të ekspozuar ndaj pirjes së duhanit në shtëpinë e tyre. Të miturit me prindër duhanpirës kanë një rrezik të lartë të nisjes së duhanpirjes. Të pasurit e një prindi që pi duhan, rrit mundësinë e nisjes së duhanpirjes tek të miturit me 23%, ndërkohë që nëse të dy prindërit pinë duhan, gjasat rriten me 40%. Bazuar në rezultatet e studimit mund të arrihet në përfundimin që rritja e taksave të duhanit, duke rritur çmimet, ka të ngjarë të kontribuojë në një rënie të ndjeshme të duhanpirjes nëpërmjet rritjes së numrit të duhanpirësve që lënë duhanin dhe uljes së shkallës së nisjes së duhanpirjes në përgjithësi, por veçanërisht për të miturit, gjë që ka të ngjarë të ketë efekte pozitive shëndetësore në afatin e gjatë. Informimi, mesazhet e edukimit dhe ndërgjegjësimit që theksojnë rëndësinë e rolit të prindërve si modele për të miturit për të parandaluar nisjen e duhanpirjes janë të nevojshme. Një kombinim masash si: rritja e taksave mbi produktet e duhanit, forcimi i zbatimit të ligjeve për kontrollin e duhanpirjes në mjediset publike dhe realizimi i fushatave për ndërgjegjësimin dhe edukimin e të miturve në media do të rezultonin të efektshme në reduktimin e nisjes së duhanpirjes.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?