Një studim i ri thotë se pandemia ka sjellë një rritje të përgjithshme të tensionit të gjakut tek të gjitha grupmoshat. Mjekët në Klinikën Cleveland në Shtetet e Bashkuara studiuan të dhënat e tensionit të gjakut tek gati 500 mijë pacientë, përpara dhe gjatë pandemisë.
Një studim i ri i klinikës Cleveland tregon se disa persona kanë pësuar një rritje domëthënëse të tensionit të gjakut gjatë periudhës së pandemisë.
Dr. Luke Laffin drejtoi studimin dhe shpjegon më tej konkluzionet e tij.
“Studiuam pothuajse 500 mijë persona. Shqyrtuam ndryshimet në tensionin e gjakut përpara pandemisë dhe gjatë pandemisë, për të parë nëse pasojat e pandemisë do të rrisnin tensionin dhe vërtet e konstatuam diçka të tillë”, thotë Dr. Laffin.
Doktor Laffin thotë se krahasuan të dhënat e mbledhura gjatë një periudhe tre vjeçare dhe zbuluan se nivelet e tensionit u rritën në periudhën prill-dhjetor 2020. Kjo ishte pikërisht periudha kur u vendos izolimi në shtëpi dhe masa të tjera kufizuese.
Ai thotë gjithashtu se rritja nuk ishte vetëm tek personat e një grupmoshe apo një gjinie të caktuar, po rritja ishte shfaqur tek të gjithë pjesëmarrësit në studim. Sidoqoftë, gratë duket se pësuan rritjen më të madhe të tensionit.
Dr. Laffin thotë se nuk dihet saktësisht se çfarë mund ta ketë shkaktuar këtë rritje të tensionit dhe se ndoshta mund të jetë kombinim i një sërë faktorësh, si një jetë më sedentare, konsumi më i lartë i alkoolit, stresi dhe mungesa e gjumit.
“Është shumë e rëndësishme të ndërmerren jo vetëm hapat që rekomandojmë për shëndetin publik gjatë pandemisë, si vaksinimi, etj., por edhe të sigurohen se po kujdesen edhe për aspektet e rregullta shëndetësore, si tensionin e gjakut, kolesterolin, astmën, ose çfarëdo tjetër që duket se u neglizhua gjatë 2020-tës”, thotë dr. Laffin.
Mjekët thonë se do ta vazhdojnë projektin për të studiuar se si do të ndryshojnë nivelet e tensionit të gjakut në të ardhmen.