Foto ilustruese

Studimi për COVID-19/ Pasojat ndjehen edhe pas një viti

13 Janar 2021, 14:01| Përditesimi: 13 Janar 2021, 14:04

  • Share

Dhimbje muskujsh, lodhje, probleme psikike: Sipas një studimi afatgjatë nga Kina, dy e treta e të sëmurëve rëndë me COVID-19 vuajnë edhe gjashtë muaj pas infektimit pasojat e sëmundjes.

Një studim i ri provon, se edhe ata që e kanë kaluar infeksionin dhe zyrtarisht janë të shëruar, shpesh vetëm të tillë nuk janë: të shëndetshëm. Dhimbje muskujsh, lodhje, probleme psikike si frika dhe depresioni, janë ndër pasojat më të shpeshta afatgjata të një infektimi me SARS-CoV-2, shkruajnë studiuesit në rezultatet e publikuara në revistën shkencore, "Lancet”.

Sipas studimit, gati dy e treta e pacientëve të trajtuar në spitale, edhe gjashtë muaj pas sëmundjes akute, vuajnë nga simptoma të ndryshme. "Analiza jonë tregon, se shumica e pacientëve, pas daljes nga spitali duhet të jetojnë të paktën me disa nga efektet e virusit dhe nënvizojnë nevojën e një kujdesi post-COVID-19, veçanërisht për ata që kanë kaluar infeksion të rëndë”, thotë Bin Cao, një nga autorët e studimit dhe zëvendësdrejtor i Qendrës Kombëtare Klinike për Sëmundjet Respiratore.

Shkencëtarët vëzhguan 1733 të infektuar, të cilët e kishin kaluar infektimin nga 7 janari dhe në 29 maj 2020 në spitalin Jin Yin-tan në qytetin Vuhan. Pacientët ishin mesatarisht 57 vjeç, 52% e tyre ishin burra, 48% gra. Shumica e pacientëve (1172 vetë) kishin pasur nevojë të merrnin oksigjen.

Nga mesi i qershorit dhe fillimi i shtatorit të vitit të kaluar, pacientët u kontrolluan sërish. Shkencëtarët gjetën me ndihmën e pyetësorëve, vlerave laboratorike dhe testeve të aftësisë trupore, se 76% e tyre të paktën tregonin një simptomë, që e shoqëronte pacientin që nga infektimi.

Të lodhur dhe të dobët

63% raportuan se ndjenin dobësi muskulore dhe lodhje, ndërkohë që 26% kishin probleme me gjumin, ndjesinë e frikës apo depresionit. Shkencëtarëve u ra në sy, se femrave u duhej të luftonin më shumë me problemet psikike se sa burrave. 

Testet laboratorike treguan po ashtu, se 13% e pacientëve, të cilin kishin pasur një funksionim normal të veshkave gjatë qëndrimit në spital, në kontrollet e mëvonshme tregonin një funksion të zvogëluar të veshkave. Kurse tek pacientët e sëmurë rëndë, edhe disa muaj pas sëmundjes vihej re një funksion i kufizuar i mushkërive dhe binte në sy furnizimi i pamjaftueshëm i trupit me oksigjen.

Studimi i shkencëtarëve kinezë pajtohet me rezultatet e studimeve të tjera për pasojat e COVID-19, por shkencëtarë të tjerë vërejnë edhe pika të dobta të tij.

Nevojiten më shumë hulumtime shkencore

Kështu për shembull në studim ishte relativisht e ulët pjesëmarrja e testuesve me sëmundje të mushkërive apo zemrës. Të dhënat për këtë nuk bazohen tek hulumtimet e studiuesve, por tek të dhënat e vetë pacientëve. Këtu mund të ketë pasur vlerësime të gabuara. Po ashtu të infektuarit me simptoma të lehta nuk kanë qenë pjesë e kontigjentit të studiuar, sepse ky grup nuk dërgohej në spitalin Jin Yin-tan por në spitale të tjerë.

"Ky fakt mund të mos e japë të saktë numrin e atyre që vuajnë nga pasojat afatgjata të një infeksioni me COVID", thotë Jördis Frommhold, drejtoreshë e departamentit për Sëmundjet e Rrugëve të Frymëmarrjes dhe Alergjive në Klinikën MEDIAN, në Heiligendamm. Kjo klinikë ofron rehabilitimin fizik për pacientët që kanë kaluar sëmundjen e COVID.

Sipas Frommhold, mes pacientëve që gati nuk e vënë re infeksionin dhe atyre që janë plotësisht të shëndetshëm pas tij, ka edhe një grup të tretë. „Këta pacientë kanë një zhvillim të butë të sëmundjes, qëndrojnë ndoshta për një kohë në spital, dhe tregojnë vetëm pas një ose tre muajsh simptoma të caktuara", thotë ajo. Edhe Frommhold vëren si studiuesit kinezë, se pacientët tregojnë lodhje apo dobësi muskulore pas infektimit. Por Frommhold ka parë pacientë edhe me probleme neurologjike, dhimbje kyçesh dhe rënie flokësh. Por të gjithë kanë një të përbashkët: ata janë shumë të pasigurtë, sepse nuk e kuptojnë, se çfarë po ndodh me trupin e tyre.

Më shumë studime për më shumë ndihmë

Prandaj Frommhold është e kënaqur për çdo studim për pasojat afatgjata të sëmundjes me COVID-19. Shumica e 300 personave, që kanë qenë deri më tani për rehabilitim fizik në klinikën e saj janë të moshës 30 deri në 65 vjeç dhe nuk janë të aftë për t'u kthyer plotësisht në jetën e punës dhe nuk gëzojnë shëndet të plotë.

"Njerëzit që kanë kaluar infeksionin me simptoma të vogla dhe më vonë vuajnë nga simptoma të vonuara, shpesh nuk e dinë, se ku duhet të drejtohen", thotë Frommhold. Mjekët familjarë shpesh nuk mund të ndihmojnë, dhe ofertat për trajtim të mëvonshëm ekzistojnë vetëm për ata që kanë kaluar një infektim të rëndë. Sipas saj është shumë e rëndësishme të sqarohet, se cilat simptoma mund të shfaqen". Për këtë shkencëtarët nga Vuhani kërkojnë që të kryhen studime afatgjata në grupe më të mëdha të të sëmurëve, për të kuptuar të gjithë spektrin e pasojave që mund të lerë COVID-19 tek njerëzit./ DW

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?