Foto nga shkatërrimet në Gaza

Bota

Studimi: Shkatërrimi në Gaza ka qenë sistematik, tani është një shkretëtirë! 82% e territorit është bërë zonë luftimi

7 Tetor, 14:26| Përditesimi: 7 Tetor, 15:04

  • Share

Amal Barka, 37 vjeçe, dëshiron vetëm dy gjëra. "Paqen. Dhe të kthehem në shtëpi". Që kur ka nisur lufta, na tregon nga Al Mawasi, “zona humanitare” e caktuar nga Izraeli në jug të Gazës, ajo është detyruar të zhvendoset tre herë: "Së pari në një shkollë të UNRWA-s. Pastaj u ktheva në shtëpi gjatë armëpushimit dhe rregullova dy dhoma, ato më pak të shkatërruara. Kur lufta rifilloi u larguam sërish dhe erdhëm këtu. Dua vetëm të kthehem. Të vendos tendën time mes rrënojave dhe të rindërtoj. Shtëpinë dhe të ardhmen e pesë fëmijëve të mi". Një dëshirë që mund të jetë e vështirë për t’u realizuar: 79% e ndërtesave të Gazës, vlerësojnë Kombet e Bashkuara, janë shkatërruar ose të dëmtuara. Zonja Barka bën pjesë në 1,5 milionë banorët e Rripit që kanë nevojë për strehim emergjent — dhe për shumë, shumë gjëra të tjera.

Dy vjet lufte i kanë ndryshuar fytyrën Gazës më shumë se ç’kishin imagjinuar më 7 tetor 2023, kur sulmi i Hamasit kundër jugut të Izraelit nxiti reagimin e egër izraelit: më shumë se 66.000 persona kanë vdekur dhe 168.000 janë plagosur. 82% e territorit është bërë zonë luftimi, 86,1% e tokave bujqësore janë dëmtuar, ashtu si edhe 77% e rrugëve, sipas vlerësimeve të OCHA-s, agjencisë së OKB-së për emergjencat që nga fillimi ndjek hap pas hapi evolucionin e katastrofës humanitare.

Plani i Donald Trump parashikon që për këto gjëra të kujdeset një komitet ndërkombëtar i kryesuar nga vetë presidenti i SHBA-së, i shoqëruar nga një skuadër “teknike” palestineze. Për pjesën e vet, shoqëria civile e Gazës ka punuar prej muajsh në projekte për “ditën pas”, në shpresën se do të ketë zë për të përcaktuar të ardhmen e vet. Pa marrë parasysh kush do ta marrë përsipër, përpjekja do të jetë gjigande: në shkurt OKB-ja vlerësoi se nevojiten mbi 50 miliardë dollarë për rindërtimin dhe se ka mbi 50 milionë tonë rrënoja për t’u hequr.

Është një sfidë me pak precedentë: për shkallën e saj, por edhe për pasojat politike dhe sociale që sjell. "Që nga marsi 2025, kur ndodhi ndryshimi në komandën e Forcave të Armatosura izraelite, strategjia në terren pësoi një ndryshim", shpjegon Eyal Weizman, arkitekt izraelito-britanik, themelues dhe drejtor i Forensic Architecture, një grupi që vë arkitekturën, gjeolokalizimin, trakingun dhe shumë mjete të tjera në shërbim të të drejtave të njeriut, duke rindërtuar se ç’ndodh në skajet më të largëta të botës. "Projekti që kemi përpara është ai i një shkatërrimi total, një gjenocid: në muajt e fundit, shkatërrimi i çdo hapësire fizike ekzistuese është bërë pjesë aktive e këtij projekti".

Që prej muajsh Forensic Architecture bën të disponueshme të dhënat dhe kërkimet mbi Gazën në një projekt të quajtur “Kartografia e një gjenocidi”: misioni nuk është vetëm të rindërtojë si kanë ndodhur episodet individuale të dhunës (më i famshmi, vrasja e Hind Rajab dhe familjes së saj) por edhe fshirjen e hapësirës fizike. "IDF po vazhdon shkatërrimin në mënyrë sistematike të gjithçkaje që i del përpara — vijon Weizman. — Imazhet tregojnë se në terren nuk mbetet asgjë e dallueshme: as ndërtesa, as rrugë, as ndonjë shenjë orientimi. Vetëm një shkretëtirë e paidentifikueshme. Sot nuk është ende e qartë se çfarë plani real rindërtimi do të ketë, por është shumë e qartë se ato do të duhet të llogaritin me këtë shkretëtirë. Zona tampon për të cilën flitet, për shembull, është tashmë krijuar: kilometra tokë të sheshtë ku mjetet e blinduara mund të lëvizin.

Izraeli po përdor buldozerë për të formësuar Gazën që dëshiron në të ardhmen: mjafton të mendosh kampin e refugjatëve të Jabalia-s, një vend që prej vitesh konsiderohej problematik — nuk ekziston më". Analiza përputhet plotësisht me rrëfimet e atyre që arritën të hynin në Gaza ditët e fundit dhe të shkonin në veri. "Kilometra rrugë të mbushura me grumbuj rrënojash disa metra të lartë. Lagje të tëra ku asgjë nuk njihet më. Midis tyre, vetëm tenda."

Arkitektura Forensike ua ofroi gjetjet e saj kërkimore avokatëve të cilët, në emër të Afrikës së Jugut, ngritën padinë për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale../La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mbrojtja për kreun e SPAK zgjatet deri në 3 vite pas mbylljes së mandatit, si ju duket?