Seanca paraprake e 20 Janarit ndaj Sali Berishës, që akuzohet nga SPAK prej më shumë se një viti për aferën në dosjen “Partizani”, 21 Janari, fati i çështjeve të tjera dhe detajet surprizë nga hetimi i vrasjes së 4 protestuesve të opozitës para kryeministrisë, sepse FBI nuk i ka sjellë të gjitha provat, ishin disa nga pikat e trajtuara dhe analizuara sot në “Studio Live” të moderatorit Arbër Hitaj.
I ftuar ka qenë avokati Edmond Petraj, i cili deklaroi fakte interesante nga hetimi i dosjeve dhe proceset paraprake ndaj Sali Berishës, familjarëve të tij, por edhe akuzat ndaj kryetarit të arrestuar të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai bëri një analizë juridike të faës aktuale të çështjeve, hapave dhe procedurave.
Petraj shprehet për Report TV se masa ndaj Metës edhe mund të zbutet, por çështja e hetimit pasuror është më kritikja për fatin juridik ndaj tij. Avokati jep edhe informacione se si SPAK po heton sekretarin e PD-së, Flamur Noka, po për pasurinë, por theksoi se edhe Gazment Bardhi rrezikon shumë me rastin e kallëzimit penal që SPAK pushoi ndaj Olsi Ramës, pasi mund të merret i pandehur për kallëzim të rremë dhe të dënohet deri në 5 vite burg. Pra në thelb të rrezikojë një “Salianj”, edhe pse për këtë vepër Ligji i Dekriminalizimit nuk e kap.
Petraj shprehet se me interes hetimor është edhe kallëzimi ndaj Zv/kryeministres Belinda Balluku dhe funksionarëve të tjerë, si dhe dosja e Bashkisë së Tiranës.
Por çfarë pritet të ndodhë në seancën paraprake të 20 janarit në GJKKO për dosjen “Partizani”?
“Pritet vendimi i gjyqtarit për seancën paraprake. Ngelet enigmë si vendimmarrje, por janë të trija pistat në lojë. Meqë janë kërkuar elementët e pavlefshmërisë së provave, akteve, që i ka kërkuar avokati i Berishës dhe pjesën e Malltezit, dy të tjerët kanë ikur me gjykim të shkurtuar. Është pranuar gjykimi i zakonshëm për Malltezin dhe Berishës dhe ka kaluar për seancë paraprake. Nëse aprovohet atëherë do shkojë me personazhe që do pyeten, mund të shkojë gjatë me dëshmi personazhesh. Por mund të kemi edhe rënien e dosjes ndaj Berishës, të mos pranohet, por do jetë një rënie e madhe e kredibilitetit, dhe SPAK të sfumohet në seancë paraprake në punën e saj.
Por kemi edhe një tjetër që të rikthehet për plotësim të akteve të dosjes. Të trija mundësitë mbeten”, shpjegon avokati.
Ai shton se seanca nuk parashikon shtyrje tjetër, sepse si SPAK, ashtu edhe pala mbrojtëse, i kanë dhënë pretendimet e tyre, tani mbetet vendimmarrja e gjyqtarit të seancës paraprake.
Por Petraj thekson se kjo nuk është e vetmja dosje ndaj kreut të PD-së dhe se sipas tij, FBI ka dosje tjetër për 21 Janarin, sepse nuk e ka sjellë të plotë të parën, nga frika e prishjes së provave.
“Kjo seancë vendos fatin e dosjes së Berishës. Por Berisha ka edhe çështje të tjera, se kjo nuk është e vetmja. Berisha implikohet edhe te 21 Janari dhe nëse dosja merr drejtim si krim shtetëror, nëse ai faktohet nga veprimet dhe mosveprimet e asaj dite, atëherë do të kemi një tjetër proces për të. Kemi edhe veprimet e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit në atë kohë, veprimet e Berishës që jepte të kuptohej sikur ishte ai dhe vendoste ai, për urdhër-arrestet. Janë duke u shqyrtuar elementet e dosjes së parë dhe aktet e ekspertizës së FBI-së në atë kohë. Mendoj se do të kemi një element surprizë. FBI nuk e ka sjellë dosjen e plotë, se kishte frikë mos konsumoheshin elementet dhe provat ndaj çështjes”, nënvizon ai në studion e REPORT TV.
Por a ka dosje të tjera të nxehta në SPAK që po hetohen? Avokati Edmond Petraj i bën analizën edhe çështjeve të tjera dhe jep përgjigje pohuese në ‘Studio Live’.
Përveç dosjes së kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar nga SPAK më 21 Tetor 2024 për 3 vepra penale, ka edhe hetime të tjera në proces, si ato të Flamur Nokës, denoncimi ndaj Belinda Ballukut, verifikimet për denoncuesin anonim Zaho Koka, në pritje edhe procesi ndaj Gazment Bardhit që rrezikon si Ervin Salianji akuzën e ‘kallëzimit të rremë’ (Një tjetër Babale) dhe një dënim deri në 5 vite burgim.
Më poshtë avokati shpjegon edhe procedurat që ndiqen për rastin e dosjes ndaj Metës, që ndodhet në paraburgim dhe mundësinë për t’u liruar.
“Po pyeten të gjithë personat që janë pjesë e financimit dhe lobimit në dosjen ndaj Ilir Metës. Por edhe mund të pushohet si dosje, pasi nuk janë fort bindëse elementet. Kemi dy elementet e fshehjes së të ardhurave dhe mosdeklarimit të financave, parave që janë përdorur nga PL. Pra i takon KQZ-së dhe mund të kemi vetëm masë administrative dhe të mbyllet kjo situatë.
Kemi edhe pjesën juridike që e lë pak evazive situatën, firma lobuese që është në Qipro, ku është personi tjetër në kallëzim penal, që mund të sjelli një dokument për shifrën që është mbi 400 mijë dollarë. Kjo mbetet për t’u sqaruar”, thotë ai për çështjen e parë.
Por ajo që rrezikon ish-presidenti është çështja e pasurisë sipas avokatit. Por sipas tij, GJKKO edhe mund t’ja lehtësojë masën e sigurisë në detyrim paraqitjeje, nëse nuk i prish provat.
“Kurse për CEZ-DIA do shikohet me imtësi. Por përqendrimi është te hetimi pasuror, ajo po shikohet me imtësi dhe po verifikohet në proces. Meta duket se ka vendosmëri dhe i qetë për ato që ka në dosje. Nëse nuk ka elementë se Meta intimidon dëshmitarët apo prishë provat, mendoj se mund të lirohet edhe me masë detyrim paraqitjeje. Mund të zgjidhet edhe deputet nga burgu, por kjo varet nga parlamenti dhe rregullorja e Parlamentit, vetë grupi i deputetëve që vendosin nëse do bëjë betimin dhe kjo kalon në proces tjetër”, thotë ai për Report TV.
Por fokusi është te dosjet e tjera në radhë për këtë vit, që pritet ‘i nxehta’ nga SPAK.
“Ata kanë elementë të tjerë, kanë dosjen e Flamur Nokës aktualisht. Kemi një hetim pasuror ndaj tij, mbetet hetim paraprak. Por do sjellë elementë dhe precedentë të tjerë. Shumë funksionarë të PD-së mund të rrezikojnë, ashtu sikurse do ketë elementë edhe nga e majta që mund të penalizohen nëse do kemi ndryshim apo zhvillim te kryetari i Bashkisë së Tiranës. Në SPAK kemi të denoncuar edhe zonjën Belinda Balluku dhe të tjerët. Por jo çdo kallëzim mund të merret dhe të fillojë procedimi. Sikurse kemi edhe denoncimin e fundit me emrin Zaho Koka, personazh anonim, e dorëzuar në SPAK. Zoti Berisha i hedh këto shashka dhe pastaj i flet te bregu i afron, por mbetet për t’u parë”, nënvizon Petraj.
Por ajo që bën përshtypje është rrezikimi penal i një juristi si deputeti Gazment Bardhi, kreu i grupit të PD-së, që ka përsëritur një Ervin Salianji dhe në pritje të një “Babale 2”.
“Nga ana tjetër kemi zotin Bardhi, ai është jurist, mendoj se nuk duhet ta merrte përsipër çështjen e deklaratës, u nxitua. U bë analiza juridike e asaj që bëri Bardhi, kallëzim penal, do mbajë përgjegjësi për të. Gjobë deri në 5 vjet kallëzimi i rremë nëse provohet. Elementet do jenë vetëm pjesa e ekspertizës së Policisë Shkencore të fotos dhe elementëve. Por nuk e kap Ligji i Dekriminalizimit, nuk parashikohet si vepër kjo dhe shpifja, s’e pengon të vazhdojë të jetë deputet, nuk e prek.
Nëse zoti Bardhi përfundon dhe faktohet kjo praktikë ndaj tij rrezikon nga gjobë dhe një vit, deri në 5 vite burg”, përfundon Petraj.
Ore çfar shteti e populli ēshtė Shqipria qē lejon akoma tē lēvizi i lir plera sali bajga. Ky tip prej kohēsh duhet tē ishte nē burg komplet si familje. Pty rac pise
Përgjigju