Muzika klasike, baroke dhe ajo kontemporane shoqëruar nga tingujt e pianos të artistes maturante Lidia Cane dhuruan një natë emocionesh për publikun fierak në teatrin “Bylis”, në Fier.
Përmes një koncerti recital, mbrëmjen e diplomimit të saj artistja maturante e talentuar Ledia Cane interpretoi në piano pjesë nga kolosët e muzikës botërore duke filluar nga Johan Sebastian Bah, e deri tek simfonitë e Volfgang Amadus Mozart e sonetet e Bethoven.
‘Është një punë e gjatë njëvjeçare që u finalizua sot me diplomimin tim. Besoj se u finalizua mjaft mirë. Kam rreth 12 vite që luaj në piano që nga moshën 5 vjeçare. Kam luajtur dy ose tre koncerte recitale dhe kam marrë pjesë dhe në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Rrugëtimi im do të jetë pianoja. Dua të vazhdoj studimet jashtë shtetit dhe shpresoj më të mirën, ndoshta një ditë soliste, pse jo në skenën e Vjenës.’- tha Lidia.
Veç formimit artistik në piano, një pasion i pandashëm për Lidian është edhe piktura.
“Një nga pasionet e mia që është rruga ime e jetës është edhe piktura. Në kohën e lirë vendi ku mund të shprehem më së mirë është piktura. Në këtë ekspozitë janë 22 vepra të punuara në vaj , në bojë uji, stilolapsa dhe në pastel”- u shpreh Lidia.
E rritur tashmë në moshë dhe me shumë bagazh artistik, Lidia ka marrë pjesë në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare si “Epta Albania” në Tiranë apo “Pianisti i Ri” në Prishtinë ku është vlerësuar me disa çmime të para.