Qendra e re memoriale kushtuar At Gjergj Fishta, ndërtuar mbi rrënojat e kullës ku ka lindur poeti ka nxitur reagimin e priftit katolik, studiuesit, Dom Nik Ukgjini. Ai kritikon Qeverinë se ka zhbërë identitetin, pasi objekti i ri nuk ngjason me kullën e vjetër të Fishtës, siç shihet në fotot e arkivës.
“Eshtë investim i gabuar, jo vetëm si arkitekturë por si ide! Për arsye se është bërë gjithë ai ambient, një ndërtim modern dhe nuk i përngjan asaj që ishte ideja në 2019 për shtigjet e Fishtës. Ajo ide ka qenë shumë e mirë. Nuk u realizua asgjë nga projekti për shtigjet e Fishtës. Që të bëhet lidhje nga një vend në vend tjetër duke përkujtuar poetin. Edhe ato gjurmë të themeleve janë hequr dhe nuk ka mbet asgjë nga ajo kohë, të ambientit, dheut aty”, shprehet Ukgjini.
Sipas tij, është ndryshuar projekti i ekspertëve që punuan për ‘itinerarin fishtian’.
“Në 2019 ishte krijuar një grup pune dhe asokohe kishim krijuar projekt-idenë se çfarë duhet të ishin këto shtigje. Pas një viti, Ministria e Kulturës na ka shmangur sepse ka pasur ndërhyrje nga jashtë për ndryshimin e projektit, ndoshta për një përfitim të caktuar!”, shton më tej ai.
Ndërsa botuesi i veprave të At Gjergj Fishtës, Frano Kulli nuk flet për objektin e ri por kërkon që projekti ‘itinerari fishtian’ i cili ka startuar në vendlindjen e poetit të vijohet edhe me pikat e tjera ku ka shërbyer Fishta.
“Koncepti i këtij itinerari përbëhej nga 13-15 objekte ku secila prej këtyre pikave do shërbenin për pelegrinazh që në të vërtetë do ta përjetësonte figurën e Fishtës. Ai objekt tek shtëpia e tij ka qenë projektuar si pikë kryesore memoriale shumëdimensionale dhe do të përfshiheshin disa shërbesa”.
Qendra e re memoriale kushtuar Fishtës, në fshatin e tij të lindjes, është investim i Qeverisë me vlerë mbi 93 milionë lekë, projektuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ende nuk ka një datë për inaugurimin e saj edhe pse punimet kanë përfunduar.