Leon Aron

Bota

Studiuesi Leon Aron: Trump e zgjoi Evropën, por shtytja për paqe në Ukrainë rrezikon strategjinë ndaj Kinës

26 Maj, 08:04| Përditesimi: 26 Maj, 08:11

  • Share

Administrata të njëpasnjëshme amerikane kanë kërkuar për kohë të gjatë nga aleatët evropianë që ta mbajnë barrën e tyre në mbrojtjen e përbashkët, por presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndjekur një qasje më të drejtpërdrejtë ndaj NATO-s, duke pyetur publikisht pse duhet SHBA-ja të paguajë për mbrojtjen e kombeve të pasura evropiane.

Dhe, kjo retorikë e ashpër, sipas studiuesit amerikano-rus, Leon Aron, ka bërë që Evropa të zgjodhët nga gjumi i saj shumëvjeçar në çështjet e sigurisë kombëtare.

Gjermania, ekonomia e dytë më e madhe në NATO pas SHBA-së, në mars miratoi reforma që do t’ia mundësojnë të shpenzojë miliarda euro në mbrojtje.

"Trump e zgjoi Evropën, pavarësisht se a e bëri me qëllim a jo", tha Aron për Radion Evropa e Lirë (REL). “Evropianët nuk e pëlqyen, por në fund, mendoj se rezultati ishte i shëndetshëm”.

REL-i bisedoi me Aron nga Instituti i Ndërmarrjeve Amerikane, me seli në Uashington, si pjesë e serisë së intervistave "Ndryshimet në Politikën e Jashtme të Amerikës".

Aron tha se vetëm Trumpi nuk do ta kishte bërë Evropën të rrisë investimet në mbrojtje. Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për të nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, duke shkaktuar luftën më të madhe në kontinent në 80 vjet, ishte element thelbësor.

"Kombinimi i Trump dhe Ukrainës i bëri ata të mendojnë seriozisht për mospërmbushjen e detyrimeve të mëdha në mbrojtjen kombëtare", tha Aron.

Nëse para një dekade vetëm tri vende evropiane anëtare të NATO-s shpenzonin 2% të prodhimit të tyre për mbrojtje, sot janë vetëm pak që nuk e bëjnë. Megjithatë, investimi i vogël evropian në mbrojtje për tri dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë ka lënë gjurmë, tha Aron.

Derisa Trumpi kërkon ta zhvendosë një pjesë të fuqisë ushtarake nga Evropa drejt rajonit Azi-Paqësor për ta frenuar Kinën, aleatët do ta kenë të vështirë ta mbulojnë boshllëkun, sipas tij.

"Do t’u duhen vite evropianëve për të mbushur boshllëkun e lënë nga SHBA", tha Aron. “Ata e kuptojnë tani, por si do ta arrijnë teknikisht këtë rritje të madhe në buxhetet e mbrojtjes mbetet për t'u parë”.

Aron, i lindur në Moskë, fokusohet në marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe politikën e brendshme ruse.

Nga viti 2014 deri në vitin 2020, ai shërbeu në Bordin e Guvernatorëve të Transmetimeve, i cili mbikëqyrte funksionimin e mediave të financuara nga qeveria amerikane, përfshirë edhe REL-in.

Ai gjithashtu ka qenë këshilltar për çështjet ruse i ish-guvernatorit të Masaçusit, Mitt Romney, gjatë përpjekjes së pasuksesshme të këtij të fundit për të qenë kandidati presidencial i Partisë Republikane në vitin 2012.

Lufta në Ukrainë

Gjatë luftërave të SHBA-së kundër talibanëve dhe Al-Kaedës, Romney në vitin 2012 deklaroi se Rusia - dhe jo terrorizmi ndërkombëtar - ishte “armiku kryesor gjeopolitik” i Uashingtonit. Dy vjet më vonë, Putini urdhëroi aneksimin e Krimesë, duke nisur një luftë me Ukrainën që u përshkallëzua në një pushtim të plotë tetë vjet më vonë.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, Trump ka bërë përpjekje të fuqishme për një përfundim të negociuar të luftës në Ukrainë. Pas përpjekjeve diplomatike të dështuara për të bindur Putinin që të pranonte një armëpushim 30-ditor, Trump më 16 maj tha se kishte nevojë të takohej me liderin e Kremlinit për ta përfunduar konfliktin.

“Nuk besoj se do të ndodhë ndonjë gjë, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, derisa unë dhe ai të takohemi”, u tha Trump gazetarëve.

Tre ditë më vonë, ai e zhvilloi bisedën e tretë telefonike me Putinin dhe duket se doli nga ajo bisedë duke ia mbajtur anën liderit rus: se një armëpushim mund arrihet vetëm pasi Kievi dhe Moska të arrijnë marrëveshje për kontrollin territorial dhe vendosjen e paqeruajtësve, përveç tjerash.

Besohet se Putini po fiton kohë sepse forcat e tij kanë përparuar në terren dhe ai ende nuk i ka arritur synimet e tij madhore të luftës, pavarësisht se pretendon jashtëligjshëm se pesë rajone ukrainase janë të Rusisë.

Trump pranoi se Putin mund ta përdorë për të fituar kohë dhe kërcënoi me sanksione të reja, por megjithatë e paraqiti telefonatën e 19 majit si një sukses.

“Sa larg mund ta shtyjë Putin Trumpin është ndoshta çështja kyçe në këtë situatë”, tha Aron.

Menaxhimi i Rusisë

Aron tha se edhe Trumpin, si pothuajse çdo president amerikan që nga Franklin D. Roosevelt, e josh ideja e menaxhimit të marrëdhënieve me Moskën.

“Ka diçka pothuajse fetare në këtë”, tha ai. “Trump nuk bën përjashtim”.

Por, ndryshe nga paraardhësit e tij, Trump nuk ia delegon këtë çështje diplomatëve me përvojë. Ai preferon një qasje personale. Ai caktoi mikun e tij, Steve Ëitkoff, pa përvojë qeveritare, për të zhvilluar bisedimet me Rusinë. Por, kjo qasje, tha Aron, mund të jetë duke i shërbyer strategjisë së Putinit.

“Ndryshe nga se mendon Trump, mendoj se Putini beson se mund ta manipulojë atë”, tha Aron.

“Gjithçka që duhet të bëjë ai është t’ia masazhojë egon herë pas here, t’i bëjë ndonjë përshëndetje nga Kremlini, dhe gjërat do të ecin në favor të tij. Fatkeqësisht, deri tani po funksionon”, theksoi ai.

Putini nuk i ka kufizuar qëllimet e tij të luftës, tha Aron. Udhëheqësi i Kremlinit ende synon ta pushtojë Ukrainën, edhe pse kostot e vazhdimit të luftës janë marramendëse.

Sipas Aron, pranimi i një armëpushimi në vijën e tanishme të luftës bart rreziqe për popullaritetin e tij, edhe pse shumë rusë duan që lufta të marrë fund.

Kina po vështron

Por, lufta e gjatë në Ukrainë ka pasoja strategjike përtej Evropës, sidomos për qëllimin e Trumpit për të përqendruar politikën e jashtme të SHBA-së tek Kina.

“Pikërisht sepse mendoj se administrata Trump dëshiron të shmangë një luftë me Kinën për Tajvanin, duhet ta shtyjë Putinin të kënaqet me diçka që nuk është disfatë për Ukrainën”, tha Aron.

Ai shtoi se shpërblimi për agresionin rus mund ta inkurajojë Pekinin. Ai gjithashtu e përmendi ndihmën e Kinës në këtë luftë.

“Pa Kinën, kjo luftë nuk do të ekzistonte”, tha Aron. “Kina në thelb financon të paktën gjysmën e shpenzimeve ruse në fushën e betejës përmes blerjes së naftës ruse. Xi Jinping vazhdon ta mbajë këtë linjë jetike”.

Ndërkohë, politikat tregtare proteksioniste të Trumpit mund t’i dëmtojnë aleancat e nevojshme për t’u përballur me Kinën, tha Aron. Trump akuzoi si aleatët, ashtu edhe kundërshtarët, për praktika tregtare të padrejta dhe vendosi tarifa 10% ndaj shumicës së vendeve.

“Nëse tregu amerikan kufizohet nga tarifat, Euroja — veçanërisht Gjermania — mund të kthehet përsëri nga Kina”, tha Aron. “Gjermania u pasurua gjatë tri dekadave të fundit duke eksportuar drejt Kinës, kryesisht makina dhe produkte luksi. Ata u joshën nga politikat e Xi-së, por mund të detyrohen të kthehen”.

Situatë e ngjashme është edhe në Jugun Global, ku SHBA, Kina dhe Rusia po garojnë për ndikim. Vende si Vietnami, Kongo dhe Zimbabve mund të orientohen kah Kina nëse e humbin qasjen në tregun amerikan, tha ai.

Trump po përpiqet gjithashtu të kufizojë përfshirjen ndërkombëtare të SHBA-së, duke ulur ndihmën ndërkombëtare dhe duke planifikuar, sipas raportimeve, reduktimin e pranisë diplomatike në Afrikë. Disa mbështetës të Trump e kanë shpërfillur Afrikën si jostrategjike, por Aron tha se tërheqja nga kontinenti do të ishte gabim.

Nuk është vetëm se Rusia dhe Kina do të zënë vendin bosh; grupet terroriste ndërkombëtare gjithashtu do të përfitojnë, tha ai, duke përmendur Nigerinë dhe Malin ku grupet islamike militante janë aktive.

“Vetë prania ka një domethënie të madhe simbolike”, tha ai.

 

Administrata Trump i ka mbrojtur këto politika, duke thënë se synon t’i përafrojë ndihmat dhe investimet me synimet e politikës së jashtme./REL

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?