Studiuesi Mark Palnikaj, pasi u ka shkundur pluhurin shekullor arkivave sekrete të Vatikanit, në një intervistë për “Shqiptarja.com” bën apel për të zhvarrosur nga harresa shumëshekullore monumentet e kulturës dhe historinë e Arbërit, përtej në malësitë e Tropojës...!
Mark Palnikaj flet për gërmime arkeologjike të munguara, por edhe për historinë e pashkruar të zonës së Tropojës, sidomos në Mesjetë, pikërisht në atë zonë që njihej si Dioqeza e famshme e Pultit.
Nuk kanë mjaftuar dokumentet dhe Palnikaj ka nisur një hulumtim privat në kërkim të trevave që fshehin gjurmët arkeologjike të historisë. Ato nuk janë pak. Vetëm në Rajë e Geghysen janë dy kalatë e Lekë Dukagjinit, 17 kisha, 9 në Rajë e 8 në Geghysen që datojnë nga shekulli i 8-të deri në shekullin e 20-të.
Intervista me Mark Palnikaj zhvillohet një ditë pas intervistës së dhënë për “Shqiptarja.com” të arkeologut të njohur Skënder Muçaj, i cili u bëri një apel institucioneve të kulturës dhe historisë për të nisur kërkime arkeologjike për historinë e Skënderbeut dhe periudhën që ai ushtroi aktivitetin e tij ushtarak e diplomatik në trojet shqiptare.
“Që prej 50 vjetësh, nuk është bërë asnjë gërmim arkeologjik për të mbushur pikat e errëta në historinë e Skënderbeut dhe të botës së Arbërit”, u shpreh një ditë më parë në “Shqiptarja.com” arkeologu Muçaj.
Kërkimet nuk nisën as në Vitin e Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së tij. Fatkeqësisht u pezulluan nga vetë Instituti Arkeologjik...
Studiuesi Mark Palnikaj i bashkohet apelit të arkeologut të njohur.
Në intervistën për “Shqiptarja.com” flet për një histori arbërore që fle nën rrënoja, totalisht e panjohur. Sipas tij “në historinë e Shqipërisë, për Dioqezën e Pultit dhe historinë arbërore “janë shkruar vetëm 6 rreshta”.
Mark Palnikaj vendos më në fund të eksplorojë trevën e Tropojës, e cila përsfshihet në Dioqezën e Pultit. Dioqeza e Pultit përfshin territorin nga mali i Bëshkasit ne verlindje të qytetit të Shkodrës deri në lumin Valbona në Tropojë.”.
Shkon atje nën shoqërinë e arkeologut të njohur Skënder Muçaj, ku prekin me dorë dëshmitë e rrënojave të trashëgimisë kulturore, aq keq të injoruara nga Instituti Arkeologjik, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe vetë bota akademike e kërkimit shkencor.
Duke folur për gjurmët plot shkëlqim të historisë së Arbrit dhe Skënderbeut vetë, Palnikaj bënë apel për kërkime arkeologjike, veçanërisht për ato që lidhen me historinë e Skënderbeut. Ndërsa rrëfen në intervistën për “Shqiptarja.com” për historitë që lidhin vendin me ngjarjen, ai pret kazmën e parë të arkeologut në Tropojë. Pret që të lidh gojëdhënat e vendlindjes e historitë e lexuara në arkivat e Vatikanit me artefaktet arkeologjike...
Intervista
Arkeologu i njohur Skënder Muçaj në një intervistë për “Shqiptarja.com” është shprehur se gërmimet arkeologjike që lidhen me Skënderbeun dhe epokën e tij prej 50 vitesh mungojnë në vendin tonë. Çfarë mendoni ju përse ka një heshtje të tillë?
-Në zonën e Tropojës prej nga jam unë, gërmimet arkeologjike në dijeninë time janë bërë vetëm në Rosujë, para shumë vitesh dhe aty është zbuluar një qytetërim i lashtë dhe ato zbulime arkeologjike të atij vendi aty qenë strehuar dhe afishuar në një muze historik të Tropojës që ishte një nga tre muzetë më të mirë të ndërtuar në Shqipërinë komuniste bashkë me Muzeun e Krujës dhe Muzeun e Bajram Currit në Tropojë. Këta muze u shkatërruan në vitin 1997 ndoshta, edhe me një prapavijë ideologjike të caktuar.
A kishte zbulime të periudhës së Arbërit në Rosujë të Tropojës?
-Po aty ka pasur zbulime të kësaj periudhe dhe janë shumë interesante, dhe ato janë të identifikuara. Ndërsa tani në zonën e Tropojës ka edhe kala të tjera që janë të pagërmuara, të pastudiuara. Pak fare është folur për Kalanë e Dragobisë dhe dy kala të tjera e Pjetër Spanit dhe Kalaja e Lek Dukagjinit në shkëmbin e Rajës në fshatin Breglumi. Ato janë të paeksploruara, por këto ditë arkeologu i njohur Skënder Muçaj ka qenë në një eksplorim të zonës dhe ka konstatuar se aty ka 9 kisha të shekullit të 8-të deri të shekullit të 18-të dhe dy të fundit të shekullit të 20-të. Këto kisha fshehin në vetvete një histori shumë të madhe të varrosur dhe nuk është botuar asnjë rresht dhe nuk është botuar asnjë faqe për to dhe ishte Skënder Muçaj arkeologu i parë që erdhi për të bërë studime.
Në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, kjo ka një rëndësi shumë të madhe, sepse Skënderbeu në besëlidhjen e Lezhës është zgjedhur kryetari i principatave dhe ka ushtruar aktivitet dhe ka pasur ndikime edhe në zonën e Pultit, ku përfshihet Tropoja dhe aty ka ardhur me pajtue në vitin 1461 djemtë e Pjetër Spanit dhe ka arrestuar Mark Spanin dhe e ka lidhur në hekura. Ka dokumente të shkruara dhe nuk besoj që ky ka qenë aktiviteti i vetëm i Skënderbeut.
Për cilën arsye e ka arrestuar Skënderbeu?
-Sepse mbas vdekjes së babait të tyre Pjetrit, ata të katër djemtë u lidhën me kalanë dhe krijuan trazira, të cilat e prishnin qetësinë dhe rendin publik, sepse në kohën e Skënderbeut principatat ishin të bashkuara nën udhëheqjen e tij për të luftuar kundra turqve dhe me kërkesën e Ipeshkvit të Durrësit Pal Engjëllorit, Skënderbeu vajti vet atje dhe ndërhyri e bëri këtë ndërmjetësim.
A dini ju disa nga vendbanimet e Skënderbeut dhe te Kastriotëve që paraqesin interes në arkeologji në atë që njihet si Dioqeza e Pultit?
-Nuk ka pasur kështjella në Dioqezën e Pultit që t’i ketë ngritur vetë Skënderbeu me iniciativën e tij, ose që kanë qenë në pronësi të tij, por ai ka qenë në aleancë me Lekë Dukagjinin, mbas ndërhyrjes së Papës dhe Ipeshkvi i Durrësit Pal Engjëllorit. Ata janë pajtuar pas një mërie shumë të madhe, sepse ai fillimisht ishte me turqit, por u pajtuan dhe derisa kanë vdekur të dy ata kanë qenë miq dhe kanë qenë në luftë kundra turqve. Prandaj mua kjo lidhje më çon tek mendimi se Skënderbeu ka ardhur edhe herë të tjera në Tropojë dhe jo vetëm në rastin e problemit që pati me djemtë e Pjetër Spanit.
Ju jeni shoqëruar gjatë eksplorimit nga arkeologu Muçaj, çfarë keni biseduar5 mbi supozimet e zbulimeve për Skënderbeun dhe historinë e Arbërit në zonën e Tropojës?
-Në zonën e Tropojës, duke iu referuar arkivave të Arbërit në Arkivat e Fshehta të Vatikanit hidhet shumë dritë mbi atë zonë nëse bëhen gërmimet e nevojshme arkeologjike. Aty ka një numër me disa mijëra varre të pahapura, të cilat mund të mbartin monedha, veshje, stoli, armë e vegla pune, që po të gërmohet do të sillni shumë informacione për atë periudhë. Varret janë krejtësisht të dukshme, dhe janë të paprekura, sepse nuk janë në zona të banuara, por në zona të pyllëzuara, dhe janë vende virgjine.
Përveç librit studimor që keni bërë për Dioqezën e Pultit, ju vazhdoni të kërkoni ende dokumente e arkiva nga Vatikani, çfarë të veçantash ju tërheqin. Kanë ato një përputhje me materialin arkeologjik që mendohet të dalë në dritë pas gërmimeve?
-Në këtë territor deri në vitin 1479 kanë qenë pesë qytete që ishin Kiri, Mëngulla, Anikeja, Mauriqi dhe Varku. Në vitin 1628, në muajin korrik, këtë dioqezë e ka vizituar prifti katolik Benedikt Orsini dhe ka dërguar shënime të hollësishme në Vatikan për gjendjen e kësaj dioqeze. Ai ka shkruar që më përpara këto qytete ishin shumë të zhvilluara, me ndërtesa të zbukuruara me mermer dhe me harqe të punuara bukur por tani ato janë të gjitha të shkatërruara dhe pa asnjë banor. Kujtimi për këto qyteza ka ardhur duke u shuar aq sa sot një pjesë e tyre është gati e pamundur të gjendet vendi se ku ndodheshin. Në këtë territor ka patur edhe disa kështjella që administroheshin nga feudalët vendas të identifikuara me familjet e Lek Dukagjinit dhe Pjetër Spanit. Rrënojat e disave nga këto kështjella shihen krejt qartë edhe sot.
(Vijon në numrin e ardhshëm)
Mark Palnikaj do ka vijuar të rrëfejë për “Shqiptarja.com”: Çfarë ka zbuluar për pasuritë e terrenit arkeologjik të Tropojës e më gjerë në Arkivat e Fshehta të Vatikanit. Si i mori 32 faqet që hedhin dritë në zonat arkeologjike përreth, e më gjerë.