Segmenti i parë i sesionit të parë të Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që u mbajt nga data 9 maj deri në 31 maj, ka sjellë prurje me vlera të rralla shkencore dhe historike rreth figurës së Heroit Kombëtar, që konsiderohet si një hero i madh edhe për mbarë Europën.
Gjurmët e Skënderbeut dhe të familjeve fisnike shqiptare janë gjithandej nga arkivat e Spanjës, Italisë, Francës, Anglisë e më gjerë. Gjatë këtij eventi, ditën e mërkurë, studiuesi spanjoll Prof.Jose Manuel Floristan Imizcoz ka befasuar audiencën dhe ka ngjallur debate me kumtesën "Marrëdhëniet diplomatike mes Himarës dhe Mbretërisë së Napolit në shek. XVI: Ambasada dhe Ambasadorë"
Ndërsa sesioni i parë do të vijojë edhe me një segment të dytë gjatë muajit qershor, kjo konferencë ndërkombëtare e mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, do të zgjas deri më muajin nëntor. Gjatë kësaj kohe pritet që studiues nga e gjithë bota të hedhin dritë mbi historinë e vërtetë të Skënderbeut dhe rolin e tij të madhërishëm në histori.
Në sesionin e parë të ligjëratave, kanë sjellë prurje me rëndësi të veçanta: Prof. Aurel Plasari, që ligjëroi më 9 maj; Prof. Ivan Pederin që ka ligjëruar më 21 maj; Prof. Sabri Hamiti më 25 maj dhe Prof. Pëllumb Xhufi më 28 maj. Më 31 maj kanë sjellë të tjera fakte dhe argumente të panjohura për historinë dhe mbijetesën e figurës së Skënderbeut në kulturën arbëreshe, dy studiuesit e shquar arbëreshë: Prof. Francesco Altimari dhe Prof. Matteo Mandalà.
Ndërkohë pritet të ketë të tjerë pjesëmarrës ndërkombëtarë në muajin qershor, ku do të ligjërojnë Prof. Pietro Corrao më 6 qershor; Prof. David Lucking më 11 qershor; Prof. Titos Jochalas më – 12 qershor; Prof. Peter Schreiner më 13 qershor, si dhe Dr.prof. Lucia Nadin Dr.prof. Lucia Nadin e Nicolas Torneirie, që do të mbajnë ligjëratat e tyre sipas kalendarit të caktuar më 21 qershor, pasuar nga ligjëratat e Prof. Ferid Dukës më 22 qershor dhe Prof. Ivano Cavallini-t më 26 qershor.
Vetë studiuesi spanjoll Jose Manuel Floristan Imizcoz ka ligjëruar ditën e mërkurë, ku e takuam për t’i marrë një intervistë për “Shqiptarja.com”. Tema e tij tërheqëse dhe shumë provokuese të shtyn të pyesësh më tej; se cilat qenë situatat që një historian spanjoll e drejtuan në punën e tij shkencore në kërkimin e historisë së shqiptarëve, dhe çfarë e bëri atë të ndriçojë faktet dhe dokumentet e panjohura në Arkivat e Simancas në Spanjë. Profesor J.M. Floristan rrëfen disa të dhëna historike të panjohura deri më sot për shqiptarët e Himarës dhe fisnikërinë shqiptare.
Studiuesi spanjoll Jose Manuel Floristan Imizcoz dhe dy studiuesit arbëreshë Matteo Mandala dhe Francesco Altimari ne konferencën për 550-vjetorin e Skenderbeut
Profesor Floristàn, si u ndodhët ju në një konferencë për Skënderbeun në Shqipëri, kur nuk e njihnit më parë këtë vend?
-Unë kam shumë vite që punoj në Arkivat e Simancas me një punë studimore për dokumentacionin e periudhave të vjetra të historisë. Atje unë kam gjetur dokumente të shkruara nga grekët në greqisht që dërgoheshin për banorët e Himarës. Unë nisa të interesohesha për këta himarjotë, se kush ishin dhe përse kërkonin ndihma. Fillova të publikojë dokumentet nga arkivat dhe vazhdova punën time kërkimore, derisa gjeta dokumente të shekullit të 16-të dhe 17-të për ta. Dhe këto punë të miat ngjallën interes tek studiuesit dhe ky interes bëri që mua të më thërrisnin në këtë konferencë, që u organizua në Tiranë në 550-vjetorin vdekjes së Skënderbeut.
Cila është ajo çështje që të bëri më shumë kurioz dhe që udhëhoqi studimin tuaj në lidhje me Himarën dhe çfarë drite hedh prania e shqiptarëve në historinë e Spanjës?
-Elementi që më tërhoqi vëmendjen ishte lehtësia me të cilën himarjotët komunikonin me mbretin e Napolit. Ata udhëtonin shpesh dhe shkonin në Mbretërinë e Napolit dhe kërkonin gjithmonë ndihma, dhe kjo gjë mua m’u duk e pabesueshme, për lehtësinë me të cilën ata komunikonin dhe që udhëtonin kaq shpesh edhe në Napoli edhe në Spanjë. Më pas, duke u nisur nga këto elementë, bëra kërkime të tjera dhe gjeta të dhëna të tjera për të gjitha misionet apo ambasadat që ekzistonin në mbretërinë e Napolit, në lidhje me shqiptarët.
Po figurën e Skënderbeut e njihnit më parë?
-Po. Unë kisha disa njohuri për figurën e Skënderbeut, por njohuri të përgjithshme, po aq sa di një njeri që do të mësoj se kush është Skënderbeu, që luftoi kundër turqve, që ishte heroi i shqiptarëve dhe që mbrojti Krishtërimin në Europë. Dhe pastaj mora vesh se ai që merrej me kërkesat e himarjotëve në Mbretërinë e Napolit, ishte ai që quhej Markezi Atripalda që ishte nga familja e Kastriotëve.
Çfarë mund të na thoni më tepër për këtë familje të Kastriotëve që gjendet në Spanjë, sepse ka shumë legjenda dhe ka shumë që pretendojnë se janë pasardhës të Gjergj Kastriotit. Në disa vende ku janë shpërngulur shqiptarë si në Itali, Spanjë, Rusi e më gjerë, ka persona që e shpallin veten si pasardhës të Skënderbeut. Skënderbeu kishte vetëm një djalë, si mund të dallohet linja e këtyre pasardhësve?
-Këto duhen parë me dyshim. Sepse të gjithë emigrantët fisnikë që shkonin nga Shqipëria dhe Greqia, kur mbërrinin në Mbretërinë e Napolit duhej që ta vërtetonin origjinën e tyre, nga cilat familje vinin. Rastin e shqiptarëve nuk e njoh shumë mirë, por di shumë shembuj dhe raste të grekëve, që shkonin në Spanjë si emigrantë dhe falsifikonin dokumentet për të vërtetuar se ishin nga familje fisnike shqiptare. Domethënë ata përdornin mbiemra njohur të familjeve fisnike si Laskaris, Murzaku,Zakna, e të tjera në mënyrë që të siguronin privilegje që iu jepeshin familjeve fisnike, kur shkonin në Spanjë nga Mbretëria e Napolit.
Mendoni se origjina e Markezit Atripalda është e saktë që është degë e familjes Kastrioti?
-Familja Kastriota në Spanjë duket se ka një lidhje farefisnore me Kastriotët e Shqipërisë. Megjithatë këto të dhëna duhen marrë me shumë rezervë.
Keni gjetur ju dokumente që tregojnë se Donika, gruaja e Skënderbeut ka jetuar edhe në Spanjë?
-Jo nuk kam gjetur asgjë, dhe nuk i kam gjetur, sepse Arkivi i Simancas përqendrohet më shumë në dokumente pas viteve 1530. Nuk ka shumë dokumente. Unë kam parë vetëm dokumentet e kësaj kohe dhe në këtë kohë Donika kishte vdekur tashmë.
Si mund t’i përmblidhni me pak fjalë të dhënat konkrete që keni zbuluar për marrëdhëniet diplomatike të Himarjotëve me Mbretërinë e Napolit në shekullin e 15-të?
-Kontaktet e para spanjolle-shqiptare kanë nisur në gjysmën e dytë të shekullit XV, ku marrëdhëniet politike e diplomatike midis mbretërive mesjetare të Spanjës me Shqipërinë nuk ishte intensive, për arsye të distancave gjeografike. Marrëdhëniet nuk ekzistonin deri në mbretërimin e Alfonsos V të Aragonit (1396-1458), ku nisën të identifikoheshin marrëdhënie e para hispano-albaneze. Si mbret i Napolit nga viti 1442, Alfonso filloi një politikë ambicioze ballkanike dhe kjo e çoi atë në konfrontimin me Venedikun, i cili nuk e shihte me sy të mirë kontrollin e të dyja anëve të ngushticës së Otrantos nga i njëjti princ. Ndërhyrja e Alfonsos në Ballkan u përqendrua përballë Adriatikut e Shqipërisë. Në vitin 1451 mbretërit e Napolit kishin lidhje me Shqipërinë. Dhe vite më pas deri në vdekjen e Skënderbeut në vitin 1468, i biri Alfonso Ferrante vazhdoi dërgimin e ndihmave për Gjergj Kastriotin për luftën kundër turqve. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe në Napoli në 1462 rreth 4000 burra shqiptarë u dërguan që të ndihmonin Ferranten nga një revoltë e fisnikëve që kishte shpërthyer në mbretëri. Ardhja Skënderbeut e lejoi Ferranten që të dilte nga rrethimin nga Barletta, duke mposhtur francezët në Puglia dhe e bëri të hyjë fitimtar në Nápoli. Kjo ndihmë ushtarake nga Skënderbeu për Ferranten ishte një histori e njohur për autoritetet spanjolle, të cilat u përpoqën gjithmonë për t’i ndihmuar shqiptarët për atë të mirë që Skënderbeu iu kishte bërë. Që atëherë shumë shqiptarët shërbyen në monarki si ushtarakë, agjentë dhe ambasadorë, jo vetëm në Napoli, por në të gjithë Italinë dhe në regjionet ushtarake të huaja nga Gjermania, Franca, etj. Kontaktet diplomatike të Alfonsos V me Skënderbeun, gjithashtu hapën derën e emigracionit shqiptar në Italinë jugore në kohët moderne.