Njëzet e tre shkencëtarë nga e gjithë bota u bashkuan për të analizuar mijëra matje të temperaturës të marra në të gjithë oqeanet e botës. Matjet, të marra të paktën 2,000 metra thellë dhe të përhapura në të gjithë globin, japin një pamje të qartë: Toka po ngrohet, njerëzit janë fajtorët dhe ngrohja do të vazhdojë pafundësisht derisa ne të ndërmarrim veprime kolektive për të reduktuar gazrat serrë.
"Ne përdorëm matje nga oqeanet, sepse ato thithin shumicën dërrmuese të nxehtësisë që lidhet me ngrohjen globale. Në fakt, më shumë se 90% e nxehtësisë së ngrohjes globale përfundon në oqeane. Më pëlqen të them se ngrohja globale është me të vërtetë ngrohja e oqeanit. Nëse doni të dini se sa shpejt po ndodh ndryshimi i klimës, përgjigja është në oqeane", tha një prej studiuesve.
Por ky punim nuk ishte thjesht një ushtrim akademik. Ngrohja e oqeaneve ka pasoja të jashtëzakonshme për shoqërinë dhe biodiversitetin në planet. Ndërsa oqeanet ngrohen, ato kërcënojnë jetën detare dhe zinxhirët e shumtë ushqimorë që e kanë origjinën nga deti. Ujërat më të ngrohta të oqeanit i bëjnë stuhitë më të rënda. Ciklonet dhe uraganet bëhen më të fuqishëm; shirat bien më fort , gjë që rrit përmbytjet; valët e stuhive janë më të rrezikshme; dhe nivelet e detit rriten.
Sa u ngrohën oqeanet e botës në vitin 2021 krahasuar me një vit më parë? Të dhënat tregojnë se oqeanet nxehen me rreth 14 zetaxhul, e barabartë me 440 miliardë tostera që funksionojnë 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit. Një mënyrë tjetër për të menduar për këtë është se oqeanet kanë thithur nxehtësi ekuivalente me shtatë bomba atomike të Hiroshimës. Sipas studiuesve, rritja e temperaturës së oqeaneve është dëshmi e pagabueshme e një Toke që është jashtë ekuilibrit.