Studiuesja Nevila Nika: Vula e Fermanit të Manastirit të Kamenës është shumë e rrallë

19 Maj 2019, 16:44| Përditesimi: 19 Maj 2019, 18:26

  • Share

Vula e fermanit të Manastirit të Kamenës ka humbur. Të paktën ky është denoncimi, që është bërë në datë 10 maj në Prokurorinë e Tiranës, nga drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido. Por, cilat janë vlerat historike të kësaj vule? Çfarë përfaqëson ajo? Ish-drejtoresha e Arkivit, studiuesja edhe historiania Nevila Nika, për “ReportTV” shpjegon rëndësinë e fondit arkivor të Manastirit të Kamenës në Arkivin e Shtetit.

 “U hartua një katalog në formë libri, skedarë, edhe nëpërmjet gjithë kësaj pasurie të jashtëzakonshme, që kishte mundur të shpëtonte nga natyra, luftërat edhe dora e njeriut, që është edhe më shkatërrimtarja e të gjithave, bën pjesë edhe një fond arkivor që është Manastiri i Kamenës. Ky manastir ka pasur një rëndësi të dorës së parë në atë zonë, ku ka ushtruar veprimtarinë e vet, kemi mundur që të kemi diçka në dorë nga arkivi i atij manastiri. Arkivat e komuniteteve fetare janë ato që janë fillimet e arkivit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Më vonë do të vijnë arkivat noteriale edhe të institucioneve. Nuk kemi fillimet e arkivit katolik, se kanë humbur për shkak të humbjes që kanë ndodhur, veçmas në vitin 1967”, shprehet studiuesja edhe historiania Nevila Nika.

Por çfarë gjendet tjetër në gjirin e këtij arkivi, në Manastirin e Kamenës?

 “Mesa mbaj mend unë katër dokumente të tillë në pergamenë, (lëkurë e punuar me shumë mjeshtëri mbi të cilën shkruhej). Dy prej tyre kanë pasur, kur kanë hyrë në Arkiv nga një vulë me material plumbi. Njëra prej tyre është më e madhe, tjetra më e vogël”, thotë më tej Nika, e cila aktualisht punon, si rektore në “UET”.

Për çfarë shërbente kjo vulë, që sot nuk është më pjesë e fondit arkivor?

 “Ka qenë traditë, që vjen nga perandoria bizantine edhe më herët ndoshta, që dokumentet e veçantë, zbukuroheshin me kordonë, edhe poshtë tyre kapeshin kordonët me këtë vulë. Është pjesë e dokumentit. Nuk bëhet fjalë për vulat që kemi sot. Kjo sipas studiuesve, i takon vitit 1640, shekullit të XVII. Është shumë e rrallë, një dokument që është nxjerr patrikana e Stambollit, sepse komunitetet kishin lidhje me patrikanën e Stambollit. Ky dokument në gjuhën e perandorisë bizantine, cilësohet si singhelium. Por që natyrisht që merrte një vërtetësi edhe nga Sullatani. Nuk jam në gjendje që t’ju them nëse dokumenti ishte për çështje pronësie, apo edukimi, por kishte një rëndësi të madhe, për zonën e Delvinës edhe më tutje”, shpjegon studiuesja.

Nëse ky element i hiqet këtij dokumenti të rrallë, çfarë humbasim?

 “Heqja e këtij elementi i heq një element të rëndësishëm këtij dokumenti të rrallë, kuptohet që jo vetëm Shqipëria ka pësuar dëme në pasurinë dokumente arkivore, por edhe vendet e Ballkanit, që kanë qenë shumë herë një fushë beteje. Por duhet që ta kuptojmë, se çdo pushtues, gjënë e  parë që merr janë arkivat. Dokumentet që na vijnë nga ky manastir apo nga komunitetet e tjera janë shumë të rëndësishme, aq më pak kur bëhet fjalë për shekullin e XVII. Ka humbje të mëdha, sepse ne kemi shekullin XIV-XV-XVI të zbrazët, sepse nuk kemi, kanë humbur. Nisur nga kjo janë të rralla edhe në Ballkan këto lloj dokumentesh, që kur them ferman apo singjilum, njerëzit nuk e kanë të qartë, por është një lloj VKM-je i portës së lartë, i patriarkales për një çështje të caktuar”, tregon historiania.

Ndërsa, çështja është akoma në proces hetimi. Studiuesja Nika përfundon se dikur në një vend ruajtje në Arkivin e Shtetit askush nuk mund të hynte vetëm, por i shoqëruar dikë tjetër. Ndërsa, kamerat e sigurisë në këtë institucion janë instaluar, që prej vitit 2006.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?