Një ekspozitë në formë jotradicionale, por që sjell thelbin e artit dhe jetës së piktorit Ali Oseku është ajo e çelur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve. “Substancë” vjen në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ali Osekut si një lloj “in memoriam” për artistin.
“Ia kishim detyrim zemre. Për një koleg, për një mik, për një njeri të jashtëzakonshëm, artist të jashtëzakonshëm, një nga kontributorët më të mëdhenj të artit shqiptar, një njeri që lindi i lirë dhe iku i lirë. Substancë nuk do të ishte bërë e mundur pa kolegët.”, - shprehet Najada Hamza, kuratore e ekspozitës, ndërsa e quan ekspozitën për Aliun një detyrim shpirtëror e moral.
“Nuk është ekspozitë që mirëfilli tregon veprën e Aliut. Është më shumë se kaq. Tregon dimensionin e tij si njeri, jetën e tij, arsyet e ekzistencës së tij. Aliu ishte njeri që jetoi dy kohë: kohën para ’90-ës dhe kohën pas ’90-ës. Aliu është nga të paktët ish të burgosur politikë për art. Ai arriti të jetë psikologjikisht i lirë nga burgu. Ai doli nga burgu dhe e la burgun pas. Jetoi si njeri i lirë në atë kohë dhe në këtë kohë. Dhe gjëja që e mbajti të lirë ishte arti, ngjyrat, piktura. Qenia e tij dhe arti ishin e njëjta gjë.”, - vijon Hamza.
Ekspozita multimediale sjell punët e Osekut në pika takimi të ndryshme të jetës e në të përfshihen punë që nga tema e diplomës, apo një cikël ku artisti kapërcen realitetin dhe shkëputet nga toka e bëhet qiell, ndërsa titullin “Substancë”, në njëfarë mënyrë është vetë Aliu që e ka “zgjedhur”.
“Përpiqej të shkëputej nga e përditshmja, nga rutina. Gjente forcën e pikturonte dritën. Më thoshte, Najadë, e ke parasysh, kur punon shumë, përditë, investon në veprën tënde vjen një moment që ai materiali piktorik merr vlerë, bëhet i ngrohtë, si mjaltë, bëhet i artë, bëhet substancë. Gjithë bisedat e tij mbylleshin me këtë term.”, - tregon Hamza.
E bija e artistit veçon sidomos njërën nga punët e të atit, që për të flet së shumti për shpirtin e lirë dhe guximtar të tij, por me të cilën ka dhe një lidhje të fortë shpirtërore familjare.
“Është emocion shumë i madh. Mbaj mend që më thoshte babi shpesh të pozoja e na bënte skica, portrete. I thosha: nuk më ke bërë siç duhet dhe më thoshte: e di piktori atë punë. Ti je modele. Edhe te skicat që keni parë, gjithmonë ka qenë i lirë dhe ka shprehur atë që ka menduar për portretet.",- thotë Aisel Oseku, ndërsa flet për portrtetin që Ali Oseku ka bërë për të ëmën.
"Portretin e mamit e lidh me një moment të caktuar, se mamin e ka njohur sa ka dalë nga burgu dhe e ka bërë sapo ka dalë nga burgu dhe me atë piktue që ka ribërë mundë të dënohej prap. Është një pikturë që e kemi shumë xhan, e mbajmë fort.”
Ekspozita do të qëndrojë e çelur për publikun kryeqytetas deri të shtunën e 10 majit.
Komente
