Ditën e sotme janë hapur aplikimet për skemën e mbështetjes në bujqësi. Të gjithë fermerët dhe blegtorët mund t’a bëjnë aplikimin përmes portalit qeveritar e-Albania pa asnjë kosto. Nga skema mbështetëse në bujqësi, kësaj herë nuk do të përfitues vetëm fermerët, por edhe blegtorët, bletarët, peshkatarët. Aplikimet do të jenë të hapura deri më 11 prill. Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje fermerëve që të aplikojnë.
Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3.3 miliardë lekë. Për herë të parë do të aplikohet edhe skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10,000 lekëve për krerë, dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.
Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca ka thënë fermerët mund të marrin informacion në Agropika, për mënyrën dhe modalitetet. 20 agropika në të gjithë vendin dhe zyra e AZHBR-së janë në dispozicion të informimit të fermerëve për çdo paqartësi dhe këshillim.
Në skemën e këtij viti, ka një ndryshim në mbështetjen e fermerëve me naftë, pasi është rritur sipërfaqja bujqësore që do të mbështete përmes këtyre fondeve. Nga 0.4 ha që ishte kriter për të përfituar mbështetjen me naftë, tashmë sipërfaqja bujqësore ka shkuar në 1 ha. Që do të thotë të gjithë fermerë me sipërfaqe tokësore 1 ha mund të aplikojnë për subvencionin me naftë. Shteti subvencionon 80,4 lekë nga çmimi i naftës që përfshin akcizën, taksën e qarkullimit, karbonit dhe TVSH-në. Për 2022 përfituan 34,731 fermerë naftë pa taksa me vlerë fond financimi 1,95 miliardë lekë.
Ndërkohë, skemat e vitit 2023 përfshijnë edhe grante për investime në asete fikse, për ndërtimin e tregjeve bujqësore dhe të kafshëve të gjalla dhe thertoret. Gjithashtu pjesë e skemave të mbështetjes do të jenë edhe trajnimet dhe transferimi i njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural nga UBT-së, krahas skemës së naftës që vijojë për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekë.
Gjatë vitit 2022 përfituan 49,000 fermerë nga Skema Kombëtare të mbështetjes për Bujqësinë. Vendin kryesor e shënoi masa për blegtorinë me rreth 43.6 % të aplikimeve, ndjekur nga kultivimi i grurit me rreth 24.7 % dhe mbështetja për bletarinë me rreth 18.2 % të totalit të aplikimeve.
Mbështetja nga Skema Kombëtare e Bujqësisë
Masa 1
Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, në vlerën deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.
Masa 2
Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën deri në 1 200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt.
Masa 3
Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.
Masa 4
Mbështetje për fara/fidanë dhe inpute të tjera në vlerën deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individual ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për aplikant.
Masa 5
Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë, 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) për fermë të certifikuar.
Masa 6
Implementimi dhe certifikimi Global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore:
- por jo më shumë 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha;
- por jo më shumë se 500 000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.
Masa 7
Për rinovimin e infrastrukturës së anijes së peshkimit. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 13,500,000 (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20,000,000 (njëzet milionë) lekë për subjekt. Rinovimi i anijes së peshkimit përfshin: i. Blerjen dhe instalimin e motorit kryesor, por jo më shumë se 7,000,000 (shtatë milionë) lekë; ii. Blerjen dhe instalimin e motorit ndihmës (gjeneratori detar), por jo më shumë se 1,000,000 (një milion) lekë; iii. Blerjen dhe instalimin e vinçit të anijes, por jo më shumë se 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekë. Vinçi përfshin edhe agregatet, hidromotorin, pompë vaji friksion, multiplikator dhe tubacionet; iv. Blerjen dhe instalimin e kamios (koplunit), por jo më shumë se 3,000,000 (tre milionë lekë); v. Riparim i përgjithshëm i anijes, por jo më shumë se 9,000 000 (nëntë milionë) lekë. Në riparimin e përgjithshëm, përveç zërave të përcaktuar në dokimin periodik sipas nënpikës “vi”,përfshihen dhe zëvendësim llamarine ose ndërrim dërrase; vi. Dokimi periodik i anijes, por jo më shumë se 3,000,000 (tre milionë) lekë. Dokimi periodik përfshin ngritjen dhe uljen nga kantieri, pastrimin dhe heqjen e bojës së vjetër, blerje boje, stuko, protektor (zinqe), riparim aksi helike.
Masa 8
Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore, tregjeve të kafshëve të gjalla ose thertoreve për shoqëritë tregtare me kapital 100% shtetëror, të zotëruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në vlerën jo më shumë se 30,000,000 (tridhjetë milion) lekë për subjekt.
Masa 9
Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.
Aplikimet për masën mbështetëse me nr. 7 dhe 8 do të bëhen me dosje në zyrat qendrore të AZHBR; b. Për qëllime identifikimi, aplikanti sipas statusit përkatës (person fizik/juridik), ose përfaqësuesi i tij me prokurë ose autorizim, duhet të paraqitet në zyrat qendrore të AZHBR-së me letërnjoftim elektronik ose pasaportë biometrike.