Sipas grupit rebel Lëvizja/Ushtria Çlirimtare e Sudanit (Sudan Liberation Movement/Army), një rrëshqitje dheu «shkatërruese» ka vrarë të paktën 1.000 persona në malet e largëta Marra, në perëndim të Sudanit. Shirat e rrëmbyeshëm që ranë për disa ditë dhe kulmuan të dielën, shkaktuan rrëshqitjen e dheut, e cila, sipas deklaratës së grupit, ka lënë vetëm një të mbijetuar dhe ka «rrënuar plotësisht» pjesën më të madhe të fshatit Tarasin.
Lëvizja ka kërkuar ndihmë humanitare nga Kombet e Bashkuara dhe nga organizata të tjera rajonale e ndërkombëtare. Shumë banorë të shtetit Darfur i Veriut ishin strehuar në zonën e Maleve Marra pasi lufta mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) i kishte detyruar të braktisnin shtëpitë e tyre.
Lufta civile, e shpërthyer në prill 2023 midis ushtrisë sudaneze dhe RSF, e ka zhytur vendin në uri masive dhe ka sjellë akuza për gjenocid në rajonin perëndimor të Darfurit. Vlerësimet për numrin e viktimave të luftës ndryshojnë shumë, por vitin e kaluar një zyrtar amerikan deklaroi se që nga fillimi i armiqësive në vitin 2023 mund të jenë vrarë deri në 150.000 njerëz. Rreth 12 milionë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Fraksionet e Lëvizjes/Ushtrisë Çlirimtare të Sudanit, që kontrollojnë zonën ku ndodhi rrëshqitja e dheut, janë angazhuar të luftojnë krah ushtrisë sudaneze kundër RSF. Shumë banorë të Darfurit besojnë se RSF dhe milicitë aleate kanë zhvilluar një luftë me synimin për ta kthyer rajonin, i cili ka popullsi të përzier etnike, në një territor nën dominimin e plotë të arabëve.
Pjesa më e madhe e Darfurit, përfshirë zonën ku ndodhi rrëshqitja e dheut, mbetet pothuajse e pakapshme për organizatat ndërkombëtare humanitare për shkak të luftimeve të pandërprera, gjë që kufizon rëndë mundësinë për të ofruar ndihmë të menjëhershme humanitare.
Komente
