Sulmi në shkollën shkollën ‘Campus Risbergska' në Örebro, Suedi, është nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur gjatë 50 viteve të fundit. Suedia ka qenë një nga vendet më të sigurta, por tani ky mit po bie. Kështu u shpreh Silvana Begaj, konsulente për ligjet e migracionit, për Report Tv.
Si pasojë e sulmit makabër të 4 shkurtit policia ka konfirmuar se të paktën 11 persona vdiqën dhe 6 të tjerë u plagosën.
Sa i përket atentatorit, Begaj tha se fillimisht ai kishte hedhur gaz lotsjellës dhe më pas kishte qëlluar me armë.
“Një person i cili kishte licencë për të mbajtur armë u fut në një shkollë ku zakonisht frenkuentohet nga emigrantë ose individë që duan të dalin nga ‘rruga e keqe'. Fillimisht ai hodhi gaz lotsjellës dhe më pas qëlloi me breshëri”, tha Begaj.
Sipas autoriteteve vendase deri më tani nuk është një akt terrorist, por mbetet për t’u parë në njoftimet në vijim.
“Kjo është nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur gjatë 50 viteve të fundit. Suedia ka qenë një nga vendet më të sigurta, por tani po bie ky mit”, tha ajo.
Ndërkohë sa i përket votës së diasporës, Begaj tha për gazetarin Nertil Agalliu se ka njerëz që janë të interesuar, megjithëse sipas saj ky nuk do të jetë rasti kur diaspora do të bëjë një ndryshim të madh.
“Në bazë të statistikave të 2017 në Suedi jetojnë rreth 70 mijë shqiptarë, por nuk janë identifikuar nëse janë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi. Këtu mund të ketë edhe shqiptarë që kanë 10 vite që jetojnë këtej, por nuk janë regjistruar, përfundoi Begaj, ndërsa shtoi se do të regjistrohet që të votojë në zgjedhjet e 11 majit.