Foto ilustruese

Suedia shtrëngon masat anti-COVID, nga 12 janari baret mbyllen në 23:00, dëshmi vaksinimi për tubimet me mbi 50 qytetarë

10 Janar 2022, 16:29| Përditesimi: 10 Janar 2022, 16:31

  • Share

Suedia njoftoi më 10 janar se ka vendosur masa të reja frenuese kundër koronavirusit, përfshirë shkurtimin e orarit të punës së bareve dhe restoranteve si dhe kufizimin e tubimeve publike.

Ky shtet po përballet me rritje të madhe të rasteve për shkak të përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit.

Baret dhe restorantet do të mbyllen në ora 23:00 dhe dëshmia e vaksinimit do të kërkohet për të gjitha tubimet publike që mbahen në ambiente të mbyllura e ku marrin pjesë mbi 50 persona. Ndërkaq, tubimet private nuk mund të kalojnë shifrën prej 20 personash.

Këto masa do të hyjnë në fuqi të mërkurën, më 12 janar.

Me masat aktuale, paraqitja e dëshmisë së vaksinimit kërkohet vetëm në ngjarjet ku marrin pjesë më shumë se 500 persona.

Me masat e reja, përveç se do të kërkohet që të ofrohet dëshmia e vaksinimit, qytetarët që do të marrin pjesë në ngjarje që do të zhvillohen në ambiente të mbyllura, duhet të kenë të paktën një metër distancë nga njëri-tjetri.

“Tani ne jemi në një situatë ku kemi nivele rekord të transmetimit”, tha gjatë një konference për media kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson.

Më 5 janar, Suedia regjistroi 23,877 infektime ditore, që është shifra më e lartë e rasteve të reja që ky shtet ka regjistruar që prej fillimit të pandemisë. Në këtë shtet, varianti Omicron është bërë variant dominues.

Me masat e reja, Qeveria ka rekomanduar që qytetarët të kufizojnë ndërveprimet e tyre sociale dhe të shmangin ndejat dhe darkat. Po ashtu është rekomanduar puna nga shtëpia.

Agjencia e Shëndetit Publik tha se beson që masat e reja do të jenë në fuqi deri në mes të shkurtit, por ato do të shqyrtohen çdo dy javë.

Në fillim të pandemisë, Suedia ishte një prej shteteve që nuk vendosi asnjë formë të izolimit dhe nuk mbylli shkollat. Ky shtet ndërmori një qasje më të butë duke rekomanduar distancimin shoqëror dhe punën nga shtëpia.

Që prej fillimit të pandemisë, Suedia ka regjistruar rreth 15,300 viktima, shifër kjo që është pothuajse sa mesatarja e vdekjeve që kanë regjistruar edhe shtetet e tjera evropiane. Por, kjo shifër është më e lartë krahasuar me shtetet fqinje siç janë Norvegjia, Finlanda e Danimarka, që kishin kritikuar strategjinë e Suedisë në fillim të pandemisë./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?