Shkodra është sugjeruar si një ndër vendet për t’u vizituar nga ‘Lonely Planet’. Aurora Piroviq, organizatore guidash foli për Report Tv duke thënë se ka shumë fluks gjatë sezonit veror, ndaj thotë se pas këtij artikulli, presin që të ketë rritje të turizmit.
Megjithatë përmendi nevojën për përmirësim të infrastrukturës dhe rritje të kapaciteteve në bujtina. Nga ana tjetër e cilësoi Shkodrën si një nga destinacionet më të rëndësishme për historinë dhe kulturën.
“Mund të mbetet problematike infrastruktura, sidomos rruga e Komanit që mund të jetë shumë e frekuentuar gjatë sezonit veror. Ka edhe rrugë të tjera që kanë nevojë për ndërhyrje dhe përmirësime por edhe vetë nga aeroporti i Rinasit deri në Shkodër ka fluks e trafik. Është problematik dhe për agjensitë turistike.
Shkodra mbetet ndër destinacionet shumë të rëndësishme, sa i përket dhe historisë e kulturës. Nga Komani deri te Kisha e Shirqit, kalaja e Rozafës. Turistët nuk njohin vetëm Shkodrën po edhe historinë duke bërë vizitë. Në muzeun Marubi shohin jetën e Shqipërisë nëpërmjet fotografisë, turistët njohin edhe si është jetuar diktatura komuniste në Shkodër”, tha Aurora Piroviq për ‘Sot, live në Shqipëri’ me Migena Sotirin dhe Nertil Agalliun.
Piroviq u shpreh se kulinaria mbetet një nga kënaqësitë që marrin turistët me vizitën në Shkodër pasi serviret ushqim tradicional i zonës së veriut.
“Ata që vizitojnë liqenin, nuk largohen pa provuar tavën e krapit. Jo vetëm bnë bujtina por edhe në ristorante të qytetit promovohet ushqim tradicional i zonës së veriut. Shpresat janë optimiste që çdo vit Shkodra do ketë turizëm në rritje që do mbetet edhe proritet i pushtetit lokal. Përmirësimi i infrastrukturës është shumë i nevojshëm. Ka nevojë për rritje kapacitetesh në bujtina”, tha Piroviq.