Sula në ‘Kontrast’: Nuk e njoh Bashën si kryetar, vendimin e KQZ e çojmë në KAS! Ristani: Celibashi sot në pozitë të vështirë, shkak kapja e gjykatave nga Rama

9 Mars 2023, 19:42| Përditesimi: 9 Mars 2023, 20:01

  • Share

TIRANË- Partia demokratike e grupit të Alibeajt rrezikon të mos regjistrohet në zgjedhjet vendore të 14 majit, për shkak se KQZ kërkon që të plotësohet dokumentacioni me një deklaratë solemne kundër manipulimeve elektorale, që duhet të firmoset nga Lulzim Basha. Deputeti demokrat Dash Sula i ftuar në Report Tv tha se nuk e njeh më Bashën as si firmëtar dhe as si kryetar dhe sipas tij do ishte një budallëk nëse Basha do të firmoste. Sula tha se vendimin që do të marrë KQZ pasi të kalojë 48 orarëshi që u është lënë afat për firmën, do ta apelojnë në KAS.          

“Ai do të heqë pataten e nxehtë. Po kur ti japë të drejtë KAS. Ekziston mundësia. Do ishte budallëk më okë nëse Basha firmos. Publikisht zotëria nuk ushtron detyrën prej 1 viti, nëse do ta bëjë këtë gjë, neve paskemi llap kot, aty paska qenë kryetar ai dhe paskan të drejtë. Unë se njoh për vete si firmëtar dhe kryetar. Do e çojmë në KAS. Situata do vazhdojë me ankimin që njeh ligji, në KAS pastaj në Kolegj Zgjedhor. Çështja e dy PD nuk është çështje që mund të zgjidhet me mjete juridike”, tha Sula.

Në emisionin 'Kontrast', me gazetarët Denis Minga dhe Lorenc Vangjelin, Sula pati është një komet për deklaratën e Celibashit, i cili tha se edhe ai vetë ka perceptimin që Berisha është kryetar i partisë por me ligj dhe dokumente figuron Basha.

“Çdo drejtë dhe detyrim sot i ka mbi kurriz Alibeaj. Celibashi s’ka qenë korrekt edhe në mënyrën e të shprehurit, nuk thotë dot për shpirt njoh x kryetar partie, me letra është kjo. Ca ka për shpirtin e vet ta mbajë brenda ai, mos ta qisi. Të tjera mendon të tjera zbaton”, tha Sula.

Anëtari i Kryesisë së Berishës, Arben Ristani thotë se Celibashi ka qenë sot në një pozitë të vështirë. Sipas tij, e gjithë kjo situatë është krijuar për shkak se nuk është dhënë një zgjidhje nga gjykatat, të cilat i cilëson si të kapura nga kryeministri Edi Rama.

“Celibashi sot ka qenë në një pozitë të vështirë, jo për shkak të tij, janë disa faktorë që kanë ndikuar që çështja të jetë në një kompleks shumë të madh. Celibashit këtë gjendje ja ka sjellë gjykata e kapur nga Rama. Sistemi s’ka funksionuar për ta zgjidhur çështjen. Vonesa është në shkelje të ligjit 100% dhe ka shkaktuar konfuzion përballë komisionerit të zgjedhjeve. Celibashi bëri konformitetin me situatën formale”, tha Ristani.

Ora 19:55
Lorenc Vangjeli në ‘Kontrast’: Celibashi i vetmi i pafajshëm në kaosin e PD-së, i hodhën pataten e nxehtë në prehër e thanë zgjidhe ti

 

Analisti Lorenc Vangjeli ka komentuar sot në Report Tv vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për të mos regjistruar në zgjedhje Berishën, por nga ana tjetër i kërkoi PD-së së Alibeajt që të plotësojnë dokumentacionin me firmën e Bashës. Në emisionin "Kontrast", Vangjeli thotë se i vetmi i pafajshëm në të gjithë situatën e krijuar është Celibashi, të cilit i kërkojnë që të zgjidhë çështjen e PD-së ndërsa gjykatat e kanë zvarritur prej një viti.

“Janë të gjithë të përfshirë, i vetmi që është i pafajshëm, në të gjitha kuptimet, njeriu që janë drejtuar të gjitha dritat e kamerave, Celibashi është i pafajshëm. I kërkohet të zgjidhë atë lëmsh që e kanë ngatërruar të tjerët prej 1 viti e gjysmë. Mund ta kishte kursyer atë në pikëpamja e një juristi, por në pikëpamjen e një qytetari ka të drejtë. Papritur pas një viti, zgjohet Basha dhe e dëshmon ekzistencën e tij me këtë shkresën që i është vënë në dispozicion. Të gjithë aktorët e përfshirë, me përjashtim të Celibashit, që i hidhet në prehër patatja e nxehtë dhe i thonë do e zgjidhësh ti këtë gjë.

Drejtësi e vonuar është drejtësi e munguar, 1 vit rresht e mbajtur rrotull. Berisha legjitimitetin e tij e fitoi, por s’ka konfirmimin formal nga gjykata, nga ana tjetër dështimi i tij është politik se nuk mundi ti bëjë bashkë të gjithë pjesët në PD. të gjithë këta aktorë të marrë së bashku janë aq fajtor para demokratit të thjeshtë, që i vënë në dyshim dhe kërcënim deri në aftësinë për të shprehur vullnetin në kutinë e votimit. Ky quhet dështim", tha Vangjeli në Report Tv.

Vangjeli komentoi edhe ftesën e Alibeajt për kandidatët e primareve që të futen në zgjedhje nën logon zyrtare të PD-së. Vangjeli thotë se Berisha nuk pranon, pasi i bie alibia që do të përdorë pais të humbë zgjedhjet.

"Oferta juaj është hajde ta ndajmë humbjen së bashku. Pala tjetër se do këtë gjë se i bie alibia, i duhet alibia për humbjen e nesërme. Berisha nuk e pranon dot një gjë të tillë. 14 maji është një stacioni rëndësishëm, zgjedhje politike në të cilat është e kuptueshme që kështu si është situata nuk shkon dhe zgjidhja e vetme është largimi", tha Vangjeli.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?