Politikë

Sula për Report Tv: Devijimi i votës së kandidatëve të PD-së me urdhër nga lart! Socialistët po luten te Kisha e Laçit që ‘lakejtë’ të mos ikin nga Berisha

13 Qershor, 18:55| Përditesimi: 13 Qershor, 19:11

  • Share

Deputeti Dashnor Sula mendon se problemi kryesor në PD janë njerëzit ‘servilë’ që i rrinë vërdallë Sali Berishës dhe e kanë katandisur partinë në një farsë, e cila rrezikon më tej të kthehet edhe në një shtojcë opozitare nëse vijon kështu.

Duke ironizuar situatën paszgjedhore të opozitës dhe selisë blu apo kauzën e ngritur për farsën elektorale, ligjvënësi që nuk do jetë më në Kuvend mandatin e ardhshëm, tha me bautë tallëse se ‘socialistët po falen te Kisha e Laçit që këta njerëz afër Berishës të qëndrojnë akoma, që të fitojnë përsëri e të rrinë në pushtet”.

Madje ai pati edhe debat në distancë me juristin pranë PD-së, Besart Logu, i cili e akuzoi se deputeti sulmonte vetëm PD-në, por ligjvënësi i kujtoi se atë e shqetësonte gjendja ku ndodhet partia për shkak të disa njerëzve që po e shkatërronin.

Sula shpjegoi për “Studio Live” shkaqet e humbjes së PD-së më 11 maj dhe shtoi se devijimi i votës preferenciale të kandidatëve brenda demokratëve është bërë me urdhër nga lart, por përjashtoi Berishën që të ishte i përfshirë.

“Lirinë e kam më të shenjtë sesa deputetin në radhë të parë. Një gjë është e sigurtë, që numëruesit e PD-së, burra dhe gra, zotërinj e zonja shumë të mirë, që për fat të keq janë shumë besnikë ndaj njerëzve që e përdorin gjakun dhe djersën e tyre për arsye personale, përjashto zotin Berisha dhe për këtë jam i sigurt, njerëz brenda partisë përveç Berishës, janë të interessuar personalisht që të sjellin në Parlament dhe politikë njerëzit e tyre të besuar. Që do të thotë se numëruesit dhe komisionerët janë njerëzit më të besuar të patisë, që kanë lidhjet me të afërta me drejtuesit e partisë në degë, pra që nuk shiten me para, i cakton partia dhe partia është kryetari, sekretari i degës, njerëz afër zotit Berisha, janë të orientuar. E kam nga përvoja, e kam nga brenda, qoftë edhe më 2021 me zgjedhjet në PD që ia morën edhe Shehajt votat edhe ia dhanë Bashës atëkohë”, u shpreh deputeti Sula për Report Tv në nisje të komentit të tij për situatën më të fundit në PD dhe fenomenin e vjedhjes së votave brenda partisë për kandidatët.

Por si e shpjegon këtë ligjvënësi demokrat, i cili edhe pse fitoi Primaret në Elbasan, nuk u përfshi nga Berisha në listat e sigurta për zgjedhjet e 11 majit dhe nuk do të jetë deputet në Kuvendin e ardhshëm në shtator.

“Që do të thotë se ka urdhër politik të padiskutueshëm. Se s’mund të ndodhi që një numër i caktuar i kandidatëve t’i jepet vota prefereenciale t’i jepen vota dhe pjesës tjetër jo. Që do të thotë se interesat janë brenda lobimeve në parti. Nëse ka ndodhur devijimi i votës, do të thotë se ka një marrëveshje mes dy partive apo të tjerave, mes numëruesve të partive, një marrëveshje partish, sepse nëse nuk do një numërues, kjo nuk ndodh. I kam kaluar këto në kurrizin tim në Elbasan më 2013, ku votat e mia ia dhanë atij të PR-së atje.U transferua vota ime, se nuk më donin dhe ia dhanë atij, që më pas iku te PS-ja. Ka pasur orientim të votës për trafikim vote”, vijoi Sula komentin e tij.

Deputeti shprehet se të gjitha këto ndodhin vetëm me urdhra nga lart poshtë, gjithmonë me marrëveshje partish, sikurse ajo e vitit të kaluar PD-PS për Kodin Zgjedhor.

“Ndodh me marrëveshje, nga krerët lart, deri atje poshtë te tavolina e numërimit. Tregon simbiozën, bashkëpunimin PS-PD siç ndodhi më 26 korrik 2024 me Kodin Zgjedhor, se isha budalla se isha i vetmi që votova Kundër dhe ua thashë në PD se zgjedhjet i fiton Edi Rama dhe votuan Kodin. Shikoni çfarë ndodh, nuk legjitimohen kandidatët në ankimime, nuk u jepet mbështetje, e ndodh që kandidatë si Aulon Kalaja marrin për mbështetje në ankimim Partinë e Legalitetit. Nuk firmos autorizimin për kandidatët, nuk duan që të hapen”, u shpreh deputeti, duke analizuar edhe sjelljen e lidershipit të PD-së për çështjen e rinumërimit dhe ankimimeve.

I pyetur për devijimin e votave brenda partisë si dhe fenomenin Sara Mile në Elbasan, Sula u shpreh se atij nuk i interesonte nëse socialistët vidhnin njëri-tjetrin, por votat brenda partisë së tij dhe rezultati i dobët iPD në Elbasan.

“Ndikim nga grupe të caktuara të interesit janë devijuar këtu në Elbasan. Mua më intereson vota e subjektit tim politik, votat e mia personale, apo kolegut tim Xhafa në parti sesa ato votat e PS-së atje apo Sara Miles. Nuk më intereson fare se sa vjedh PS-ja brenda saj, por votat e partisë time. Më intereson pse ne që luftuam dhe morëm më shumë vota, 26 mijë vota më 2021 sesa PD tani më 2025”, tha ligjvënësi, që pati edhe debat në distancë nga lidhja live me përfaqësuesin e PD-së në studio, Besart Logu.

Kurse Logu u shpreh se votat që do rinumërohen në Tiranë do sjelli ndryshim rezultati në mandat për PD. Ai akuzoi Sulën se nuk ka guxim të përmendte emrat e Suel Çelës dhe Sara Miles, por deputeti i kujtoi se ai nuk trembej nga askush dhe se i interesonte e shqetësohej më shumë për PD-në dhe gjendjen e saj.

“Qarku Tiranë mund të prodhojë mandat. PD duhet ta kishte kryefjalë farsën zgjedhore”, u shpreh ai.

Por Sula vijoi të argumentonte politikisht mendimin dhe shqetësimin e tij për situatën e PD-së, për të cilën tha se me disa “lakej’ e ‘lepirës’ që i rrinë afër Berishës do rrezikojë të kthehet në shtojcë.

“Rrezikojmë të kthehemi në një farsë dhe shtojcë opozitare. Lakejtë kanë fryrë Berishën dhe e veshin me atë që nuk ka, janë lëpirësit që i rrinë afër Berishës. Shikoni votat në Tiranë, ku Tabaku, Alimehmeti, Murrizi, Dogjani etj., marrin shumë vota dhe të tjerët nuk marrin se s’duan t’i shohin me sy demokratët. Ky është problemi i PD-së”, nënvizoi ai.

Dhe duke ironizuar këtë kategori personash brenda PD-së që janë problemi kryesor i humbjes, të cilët i cilësoi edhe ‘servilë’, ai bëri batutë tallëse në fundin e komentit të tij:

“Socialistët kanë shkuar në Kishën e Laçit dhe po falen, po luten që të rrinë akoma këta grup njerëzish në PD, që të fitojnë përsëri zgjedhjet, që të rrinë në pushtet”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?