Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka folur ditën e sotme për zhvillimet e zgjedhjeve elektorale pas mbarimit të votimeve ditën e sotme. Sula tha për Report Tv se ndihet i zhgënjyer nga Partia Demokratike dhe rezultati i saj, duke marrë për referencë rezultatet e disa kutive që kanë dalë në bashkinë e Vorës.
Ai tha se përgjegjësia është e çdo demokrati, por sidomos e atyre që drejtojnë. Deputeti tha se nuk mund t’i afrohesh elektoratit nëse ke një imazh të rrënuar dhe të pabesueshëm. Nga ana tjetër Sula tha se Partia Demokratike 4 vite fle gjumë dhe 3 muaj shkon dhe u kërkon zgjedhësve votën, gjë e cila ndikon në një rezultat humbës sipas tij.
"Unë dua të shpreh keqardhjen në radhë të parë me Partinë Demokratike për opozitën. Nga ky çast do duhet që nga i pari deri te demokrati i fundit të marrin përgjegjësinë, sepse rezultati është mëse i qartë për mendimin tim. Shpreh keqardhjen sepse unë në jetën time politike jam munduar që kurrë mos të gënjej, kurrë mos të mashtroj simpatizantët e mi, mbështetësit e mi dhe të gjithë demokratët. Se kam qenë i vërtetë me ta, kam pasur rezultate elektorale të mira. Unë besoj se vlera e një politikani matet nga imazhi që ka si individ i politikës. Nëse ti ke një imazh të rrënuar, mashtrues, njëri që s’mban fjalën, një që s’ka aktivitet politik, që nuk përcjell një mesazh si një njeri punëtor. Në Shqipëri duhet të punosh 4 vite që të punojnë qytetarët për ty. Këta 4 vite flenë gjumë dhe pas 3 muajsh shkojnë te qytetarët."-tha Sula.
Komente
