Fshati Shishtavec

Opinion

Sulltan Shishtaveci

31 Tetor 2021, 09:05| Përditesimi: 31 Tetor 2021, 09:07

  • Share

I largët, i ftohtë, verior, malësor, kufitar, nuk lihet pa u pa Shishtaveci. Shqiptari që nuk shkon me pa Shishtavecin nuk është shqiptar, është parazit, zvarranik, kërrmill, vemje, krimb, bacil. Rruga për në Shishtavec nis në lindje të Kukësit. Humnera shkëmbore ku gjarpëron rruga drejt Shishtavecit, është më madhështori dhe më i bukuri kanion i Botës.

Sapo ke hyrë në atë mrekulli që Zoti e ka bërë me dorën e vet për shqisat e tua, ndjen një shqetësim, një preokupim.

Ku po të degdis kali Suzuki? Ku po të çon mushka Toyota? Ku të ka sjellë gomari Benz? A e meriton këtë udhëtim? A ke Ftesë Hyjnore të kalosh këndej ? A i plotson kushtet psiko-fizike për të vazhduar? Zemra, mushkëria, truri, a të punojnë siç duhet?

A je shpirtërisht dhe fizikisht i përgatitur për çfarë do shohësh, dëgjosh, nuhatësh, prekësh? Në ç’mënyrë do ta depërtosh luginën? Si drejt një aventure që i dihet fillimi por jo fundi ? Si në një sallë koncerti ku luhet muzikë serioze që tallazit tabanin e shpirtit? Si në një galeri arti ku ka vetëm kryevepra që s’mjafton jeta për t’i këqyrur?

Nëse kushtet nuk i plotëson, mos i lodh kot kuajt niponikë, as gomerët e nemces. Kthehu nga u nise. Atje ku e meriton si ngordhalaq që je. Mes thashethemexhinjve të qytetit dhe zvarranikëve të kafeneve të shtysh ditët duke pritur të ngordhësh.

Nëse kupton dhe ndjen, se kushtet i plotëson, ke trokitur në portën e duhur.

Vazhdo rrugën mes shkëmbinjve.

Fluturo drejt një qielli tjetër, një super-qielli më të kaltër e më të bukur se ky i ditëve banale mes gazetave, televizioneve, pordhologëve të kudondodhur.

Përrenj që zbresin plot shkumë nga majat e maleve.

Lëndina, pyje, zgavra shkëmbore.

Kanioni është i tëri një arenë lufte darviniane.

Çka mbetet nga ky dyluftim, është një blerim alpin që s’ka penë, penel, pentagram, që e kap.

Një piktor gjenial ka shkundur penelin mbi faqet e maleve duke lënë mbi to splasha me ngjyra, fshatrat mahnitës.

Thëllimi të futet në mish.

Një çoban, një fëmijë i vetmuar që shkon në shkollë, një kalimtar në hall të vet, tre a katër fuoristrada që ngjiten me zhurmë në një serpentinë malore, janë preludi i një simfonie madhështore që nis pas pak.

Pas laryshisë natyrore marramendëse me përrenj, korie, pyje, kanioni shkëmbor jep shpirt, mbaron, vdes.

Para syve hapet një oqean me dallgë kodrinore me të ikë menia e Kres’.

Aty ndodhet Ai.

Hirësia e Tij Sulltan Shishtaveci.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?