Bota

Sulm ajror Izraelit në Gaza/ Vriten 9 fëmijët e mjekë, Guterres thirrje për armëpushim! (VIDEO)

24 Maj, 16:41| Përditesimi: 24 Maj, 18:28

  • Share

Doktoresha Alaa al-Najjar, pediatre dhe nënë e dhjetë fëmijëve, humbi nëntë prej tyre në një bombardim izraelit që goditi shtëpinë e saj në Khan Younis, ndërsa ajo ndodhej në punë duke u kujdesur për fëmijë të plagosur nga lufta.

Fëmijët quheshin, Yahya, Rakan, Raslan, Gubran, Eve, Revan, Sadin, Luqman dhe Sidra. Më i madhi ishte 12 vjeç. Vetëm më i vogli, Adam, që nuk kishte mbushur as një vit, shpëtoi së bashku me babain, doktor Hamdi al-Najjar, edhe ai mjek, i cili sapo ishte kthyer në shtëpi pasi kishte shoqëruar gruan në spital.

Të dy të mbijetuarit ndodhen në gjendje të rëndë. Një koleg britanik i doktoreshës është kujdesur për ta, i ka operuar dhe aktualisht janë në terapi intensive në spitalin jordanez, ndërtuar me mbështetjen e shtetit të Jordanisë.

Një video e publikuar nga drejtori i Ministrisë së Shëndetësisë së kontrolluar nga Hamasi, dhe e verifikuar nga BBC, tregon trupat e djegur të fëmijëve që nxirren nga rrënojat. Organizata Mjekë kundër Gjenocidit theksoi tragjedinë e doktoreshës, duke deklaruar:

“Nënë, mjeke dhe grua me një forcë të paimagjinueshme, ajo u detyrua të identifikojë trupat e djegur të fëmijëve të saj pikërisht në spitalin ku punon.”

Nuk është hera e parë që ndodh një tragjedi e tillë.

“Kjo është fshirja e një familjeje të tërë. Një akt i qëllimshëm dhe brutal kundër fëmijëve, kundër familjeve palestineze dhe kundër njerëzimit,” tha një koalicion punonjësish shëndetësorë.

Vetëm një ditë më parë, qarkulluan imazhet e fundit tragjike të familjes Dardouna: 30 persona, përfshirë foshnje, të vrarë nga bombardimet. Në një nga pamjet, të shpërndara edhe nga gazetari palestinez Mosab Abu Toha, i sapo nderuar me çmimin Pulitzer, shihet trupi i një vajze të vogël – më pak se një vjeç – me pizhamet e saj dhe kokën e shkatërruar.

Po atë ditë, ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur mbi 100 objektiva në Rripin e Gazës. Sipas Al Jazeera, bazuar në burime lokale, 76 persona janë vrarë në 24 orët e fundit dhe numri i viktimave vazhdon të rritet për shkak të bombardimeve të pandërprera. Media raportoi gjithashtu për një sulm mbi një shtëpi në kampin e refugjatëve Jabalia, ku besohet se kanë humbur jetën ose janë zhdukur rreth 50 persona.

“Mjaft! Na tregoni mëshirë! I lutemi të gjitha vendeve, bashkësisë ndërkombëtare, popujve, Hamasit dhe të gjitha fraksioneve: tregoni mëshirë për ne,” tha një i afërm i doktoreshës për agjencinë e lajmeve AFP.

H.K/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?