Një sulm ajror izraelit pranë një qendre mjekësore në Deir al-Balah, në Rripin qendror të Gazës, ka shkaktuar vdekjen e 16 palestinezëve, përfshirë 10 fëmijë, raporton Reuters.
“Vajza ime nuk kishte bërë asgjë. Ishte e pafajshme. Endrra e saj ishte që lufta të përfundonte dhe të kthehej në shkollë. Ajo vetëm po merrte trajtim mjekësor. Pse i vranë?”, tha një grua, e ulur pranë trupit të së bijës së vrarë.
Ushtria izraelite tha se kishte sulmuar një militant që kishte marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023 të udhëhequr nga Hamasi, duke shtuar se ishte në dijeni të raportimeve për civilë të plagosur. Organizata humanitare amerikane Project HOPE deklaroi se sulmi ndodhi pranë klinikës së saj Altayara.
Ngjarja ndodhi ndërsa vijojnë negociatat ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Katar për një armëpushim 60-ditor dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve. Megjithatë, një zyrtar i lartë izraelit tha se një marrëveshje nuk pritet të arrihet për të paktën edhe një apo dy javë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh në Samitin e ASEAN-it në Malajzi se ishte optimist: “Besoj se jemi më afër marrëveshjes se kurrë më parë.”
Prej rifillimit të ofensivës në mars, sulmet izraelite kanë shkaktuar qindra të vrarë dhe mijëra të plagosur në Gaza, duke e çuar në kolaps sistemin shëndetësor të enklavës. Spitalet funksionojnë në kushte ekstreme për shkak të mungesës së karburantit. Në spitalin al-Shifa në qytetin e Gazës, mjekët po detyrohen të vendosin disa foshnja në një inkubator të vetëm për të shpëtuar jetë.
Fushata ushtarake e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 57,000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Ajo ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit dhe ka dëbuar shumicën e banorëve të Gazës nga shtëpitë e tyre.
Izraeli tashmë duket se ka pranuar një armëpushim 60 ditor në Gaza dhe është në hapat e fundit së bashku negociatorët për detajet e fundit të marrëveshjes për një armëpushim 60 ditor në Gaza. Benyamin Netanyahu, i sapokthyer nga SHBA, shpërndau një mesazh ku foli për kushtet sipas të cilave palët duhet të veprojnë për arritjen e paqes përfundimtare në Gaza. Qëllimi i parë i Izraelit sipas Netanyahut është kthimi i pengjeve në shtëpi, ndërsa me përfundimin e afatit 60 ditor, nëse Hamasi në Gaza nuk është çarmatosur e po ashtu të mos ketë asnjë kapacitet qeverisës atje, lufta do të vijojë sërish.
"Jemi të vendosur t'i kthejmë të gjithë pengjet në shtëpi. Në fillim të këtij armëpushimi, ne do të hyjmë menjëherë në negociata për t'i dhënë fund luftës përgjithmonë. Por për të arritur këtë qëllim, duhet të ketë kushte minimale: çarmatimi i Hamasit, demilitarizimi i Gazës dhe asnjë kapacitet ushtarak ose qeverisës për Hamasin. Nëse këto mund të arrihen përmes diplomacisë, aq më mirë. Por nëse kjo nuk ndodh brenda 60 ditëve nga armëpushimi, ne do ta arrijmë atë me mjete të tjera, me përdorimin e forcës, me fuqinë e ushtrisë sonë heroike" deklaroi Kryeministri Benjamin Netanyahu në një video të publikuar nga zyra e tij.
Komente
