Kisha e Familjes së Shenjtë në Gaza u godit nga sulmet izraelite. Sipas mediave të huaja, 3 persona u vranë dhe 6 të tjerë u plagosën rëndë. Ati Gabriel Romanelli, prifti i famullisë, u plagos lehtë në këmbë dhe u dërgua në spital.
Patriarkana Latine e Jerusalemit e konfirmoi këtë në një njoftim për shtyp të postuar në X. "Kisha pësoi dëme. Patriarkana do të japë detaje të mëtejshme sapo të jenë të disponueshme", tha Patriarkana.
Ati Gabriel Romanelli me origjinë italiane, prift i Institutit të Fjalës së Mishëruar, është prifti i famullisë së Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza dhe ka jetuar në Lindjen e Mesme për 30 vjet.
“Israeli shpreh keqardhje të thellë që një goditje e pakontrolluar ka prekur Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza. Çdo jetë e pafajshme e humbur është një tragjedi. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe besimtarët.” Kështu thuhet në një deklaratë të Zyrës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e publikuar në platformën X.
Qeveria izraelite ka falënderuar gjithashtu “Papa Leonin për fjalët e tij ngushëlluese”.
Deklarata përfundon duke theksuar angazhimin e autoriteteve izraelite për të sqaruar ngjarjen: “Izraeli po heton incidentin dhe mbetet i përkushtuar ndaj mbrojtjes së civilëve dhe vendeve të shenjta.”
Lidhur me këtë sulm ka reaguar edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
"Bastisjet izraelite në Gaza goditën edhe Kishën e Familjes së Shenjtë. Sulmet kundër popullsisë civile që Izraeli ka kryer prej muajsh janë të papranueshme. Asnjë veprim ushtarak nuk mund ta justifikojë një qëndrim të tillë", deklaroi Meloni.
Kisha aktualisht strehon afërsisht 500 të krishterë të zhvendosur.
Komente
