Të paktën 25 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga një sulm ajror izraelit që goditi një shkollë në lagjen Daraj të qytetit të Gazës gjatë natës, raporton La Repubblica. Ndërtesa shërbente si strehë për shumë persona të zhvendosur. Sipas ekipeve të shpëtimit, ndër viktimat ka gra dhe fëmijë, ndërsa disa trupa janë gjetur të djegur.
Sipas ushtrisë izraelite (IDF), objekti ishte shndërruar në një qendër komande nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez.
"Qendra e komandës dhe kontrollit u përdor nga terroristët për të planifikuar dhe mbledhur informacione me qëllim kryerjen e sulmeve terroriste kundër civilëve izraelitë dhe trupave të IDF-së në zonë", tha ushtria izraelite.
Ushtria pretendoi se kishte marrë masa për të zbutur dëmin ndaj civilëve, duke përfshirë përdorimin e municioneve precize, mbikëqyrjen ajrore dhe grumbullimin e informacionit.
Ky incident vjen në mes të një vale në rritje të operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, të cilat nisën në fillim të majit me qëllim të shpallur çmontimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve të rrëmbyer më 7 tetor 2023.
Po atë ditë, Jake Wood, një ish-marins amerikan dhe drejtor i Fondacionit Humanitar për Gazën, dha dorëheqjen. Fondacioni, i mbështetur nga SHBA dhe i ngritur për të shpërndarë ndihma sipas një plani alternativ izraelit ndaj atij të Kombeve të Bashkuara, “nuk është në gjendje të respektojë parimet e humanizmit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë,” shkroi Wood në deklaratën e tij.
Iniciativa, e kritikuar ashpër nga OKB-ja, parashikonte përfshirjen e kompanive private për të shpërndarë ndihma në disa "zona të sigurta" në jug të Gazës. Megjithatë, plani nuk u realizua kurrë në praktikë. Që nga 2 marsi, asnjë ndihmë humanitare nuk ka hyrë në Rripin e Gazës. Vëzhgues ndërkombëtarë paralajmërojnë se rreth gjysmë milioni njerëz ndodhen aktualisht në rrezik nga uria.
Komente
