Bota

SHBA, të shtëna në një kishë mormone në Michigan, 1 i vdekur dhe 9 të plagosur, agresori u vra! Trump: Sulm i radhës ndaj të krishterëve (VIDEO)

28 Shtator, 18:25| Përditesimi: 28 Shtator, 20:55

  • Share

Bilanci i një sulmi me armë në një kishë mormone në Michigan është një i vdekur dhe nëntë të plagosur. Ngjarja ndodhi paraditen e së dielës (28 shtator).

Një 40-vjeçar nga Burton përplasi makinën e tij në hyrjen e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, në komunitetin e Grand Blanc, rreth 80 kilometra në veriperëndim të Detroitit, dhe duke mbajtur një pushkë automatike, hapi zjarr ndaj qindra besimtarëve që po merrnin pjesë në shërbesën fetare.

Forcat e rendit në këtë periferi prej rreth 8 mijë banorësh, pranë qytetit Flint, konfirmuan se sulmuesi u vra pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Megjithëse kërcënimi u neutralizua, autoritetet kërkuan që qytetarët të mos afroheshin në zonë për të lejuar ndihmën për të plagosurit, disa prej të cilëve në gjendje kritike, mes tyre edhe fëmijë sipas raportimeve të CNN, si dhe për t’i dhënë mundësi zjarrfikësve të shuanin flakët që përfshinë ndërtesën.

Në vendngjarje u dërgua edhe një ekip i çminimit për të analizuar një objekt të dyshimtë të gjetur brenda kishës, që mund të rezultojë një mjet shpërthyes i improvizuar.

“Kjo është një skenë dinamike,” deklaroi sherifi i qarkut Genesee, Chris Swanson, duke shtuar se policia do të japë më shumë detaje më vonë: “Ka shumë gjëra që po ndodhin dhe që nuk mund t’i komunikojmë tani, për shkak të punës që duhet të kryhet.”

“Mendojmë se do të gjejmë viktima të tjera sapo të pastrohet skena e krimit,” tha shefi i policisë së Grand Blanc, William Renye, gjatë një deklarate për mediat.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi në rrjetet sociale: “I dyshuari është i vdekur, por ka ende shumë për t’u zbuluar. Kjo duket të jetë edhe një tjetër sulm i qëllimshëm ndaj të krishterëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lutuni për viktimat dhe familjet e tyre. Kjo epidemi dhune në vendin tonë duhet të marrë fund.”

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi njoftoi përmes rrjeteve sociale se FBI dhe ATF po ndihmojnë autoritetet lokale: “Një dhunë e tillë në një vend kulti është e tmerrshme dhe tronditëse. Bashkohuni me mua në lutje për viktimat e kësaj tragjedie të rëndë.” Drejtori i FBI-së, Kash Patel, shkroi në X se agjencia po “ndjek raportimet për të shtënat e tmerrshme dhe zjarrin” dhe dënoi “dhunën në një vend adhurimi, një akt të neveritshëm dhe kriminal.”

Guvernatorja e Michiganit, Gretchen Whitmer, tha në një deklaratë: “Zemra ime është e thyer për komunitetin e Grand Blanc. Dhuna në çdo vend, veçanërisht në një vend kulti, është e papranueshme.”

“Është e diela, një ditë lutjesh dhe paqeje, dhe një dhunë e tillë është një e keqe e madhe. Lutjet tona shkojnë për viktimat, familjet dhe komunitetin,” shkroi në X John James, deputet republikan nga Michigani.

Shtënat ndodhën një ditë pas vdekjes së Russell M. Nelson, presidenti më jetëgjatë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i cili ndërroi jetë në moshën 101-vjeçare./ Corriere della Sera

A.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?