Ministria iraniane e Mbrojtjes thotë se ka penguar një sulm me dron në një objekt ushtarak në qytetin e Isfahanit. Sipas njoftimit të tyre, tre dronë kishin shënjestër Isfahanin, por nuk pati viktima.
Një dron u shkatërrua nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe dy u kapën nga "kurthe të mbrojtjes", duke shkaktuar dëme të vogla në një ndërtesë. Hossein Amir-Abdollahian, ministri i jashtëm i Iranit, tha se incidenti kishte synim destabilizimin e vendit.
Zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Patrick Ryder tha se ushtria amerikane nuk luajti asnjë rol në sulmet, raportoi agjencia e lajmeve Reuters. Sulmi vjen në mes të tensioneve të rritura mbi programin bërthamor të Iranit dhe furnizimin e tij me armë për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Vendi është përfshirë gjithashtu nga protestat gjatë ditëve të fundit pasi qytetarët janë nxitur nga vdekja e një gruaje që u arrestua për shkelje të kodit të rreptë të veshje. Në një deklaratë për mediat shtetërore iraniane, ministria e mbrojtjes tha se sulmi me dron ndodhi të shtunën në mbrëmje rreth orës 23:30.
Agjencia e lajmeve IRNA tha se sulmi kishte shënjestruar "një fabrikë të prodhimit të municioneve".
Vitet e fundit, ka pasur një numër shpërthimesh, zjarresh dhe sulmesh kibernetike në objektet ushtarake, bërthamore dhe industriale iraniane.