Një sulm me raketa ruse goditi qendrën e Balakliias, në rajonin e Kharkivit mbrëmjen e mërkurës, duke vrarë një person dhe plagosur 10 të tjerë, përfshirë një fëmijë 4-vjeçar.
Autoritetet e qytetit raportuan se një raketë Iskander-M goditi një restorant në një zonë banimi pranë një ndërtese pesëkatëshe, duke shkaktuar dëmtime edhe në disa struktura aty pranë, përfshirë një kafene, farmaci, dyqane, një ndërtesë administrative dhe disa makina.
Në muajt e fundit, Moska ka intensifikuar sulmet si në qytetin e Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, i vendosur pak më shumë se 20 kilometra nga kufiri rus.
Ndërkohë, Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikane, raportoi se Donald Trump ka autorizuar agjencitë e inteligjencës dhe Pentagonin që t'i japin Ukrainës informacion për të kryer një sulm të thellë kundër objekteve energjetike të Rusisë.
Uashingtoni po u kërkon gjithashtu vendeve të NATO-s që të ofrojnë mbështetje të ngjashme, sipas gazetës amerikane. Për më tepër, SHBA-të po shqyrtojnë mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa Tomahaëk dhe Barracuda, si dhe raketa të tjera me një rreze veprimi prej afërsisht 800 kilometrash.
Edhe ministrat e Financave të G7 njoftuan se do të marrin masa të përbashkëta për të rritur presionin ndaj Rusisë, duke synuar ata që vazhdojnë të rrisin blerjet e naftës ruse dhe ata që lehtësojnë shmangien e saj.
Në një takim virtual, ministrat e financave të G7 ranë dakord gjithashtu mbi rëndësinë e masave tregtare, duke përfshirë tarifat dhe ndalimet e importit dhe eksportit, në një përpjekje për të ulur të ardhurat ruse për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Komente
