Një shpërthim i ndodhur pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Afganistanit në Kabul vrau të paktën gjashtë persona të hënën e sotme. Mediat e huaja raportojnë se sulmi kishte në shënjestër regjimin e talebanëve. Si pasojë e shpërthimit, shumë persona të tjerë u plagosën ndërsa punonjësit e qeverisë po largoheshin nga puna e tyre.
Shpërthimi ndodhi në një pikë kontrolli sigurie pranë ndërtesës së ministrisë, e cila ndodhet në një rrugë të Kabulit që çon në shumë institucione të rëndësishme qeveritare, objekte dhe disa ambasada të huaja.
"Të paktën gjashtë civilë u vranë dhe një numër njerëzish u plagosën në shpërthim, duke përfshirë tre roje sigurie talebanë”, tha zëdhënësi i policisë së Kabulit Khalid Zadran. Ai tha se një kamikaz u identifikua nga rojet dhe u vra para se të arrinte në ministri, por jeleku i tij kamikaze shpërtheu sërish pavarësisht ndërhyrjes.
Nga shpërthimi i ndodhur, i vdekur ka mbetur edhe një fëmijë.
Një dëshmitar okular i cili ishte në një qendër tregtare aty pranë tha për mediat e huaja se shpërthimi ndodhi gjatë orës së mesditës, pasi punonjësit e qeverisë lejohen të largohen katër orë më herët gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.
Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, por "ISIS Khorasan", ose ISIS-K, dega e rrezikshme e grupit më të madh terrorist në Afganistan, ka kryer shumë sulme vetëvrasëse vdekjeprurëse në të gjithë vendin që kur armiqtë e tyre, Talebanët rimorën pushtetin në vend që pas tërheqjes së ushtrisë amerikane në 2021.