Ish- kreu i PD Kukës Ibsen Elezi

Sulmet e Berishës dhe Metës ndaj SPAK, Elezi në Report Tv: Kanë sjellje agresive sepse do përfundojnë në burg! Gazetari: Ardhja në pushtet e Trump s’ndryshon asgjë për ‘non gratën’

11 Nëntor, 19:29| Përditesimi: 11 Nëntor, 20:12

  • Share

‘Veprime normale të njerëzve që ndihen në faj dhe duan që të mbrohen, sepse do të përfundojnë në burg’.

Kështu i ka cilësuar akuzat e Ilir Metës dhe Sali Berishës ndaj SPAK dhe kreut të tij Altin Dumani, ish- kreu i PD Kukës Ibsen Elezi, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj.

Ai u shpreh se Meta dhe Berisha po bëjnë këto akuza, pasi nëse futen në burg rrezikojnë që të humbin çdo gjë qe kanë fituar deri më tani.

‘Ata po përdorin çdo mjet të mundshëm. Këto janë veprime normale të njerëzve që ndihen në faj dhe duan që të mbrohen. Por, SPAK ka mbështetje të madhe nga opinioni publik. SPAK në raport me politikanët ka realizuar një pjesë të pritshmërisë së tyre. Është normale që të bëjnë kërcënime, ata kanë sjellje agresive sepse do të përfundojnë në burg dhe pastaj rrezikojnë që të humbasin çdo gjë që kanë fituar me vite të tëra’, tha ai.

Ndërkohë, gazetari Qamil Xhani, u shpreh se këto sulme janë të palejueshme që të bëhen nga njerëz si Meta dhe Berisha që kanë pasur poste të rëndësishme.

‘SPAK dhe prokurorët janë pjesa më e rëndësishme e reformës në drejtësi. Që kanë dhënë edhe rezultatet e para. Këto sulme nuk janë të lejueshme, sidomos për ata që kanë mbajtur poste të rëndësishme. Është një sjellje jo normale kur politikanët sulmojnë institucionet, nëse s’duam që të shkojnë në gjykata në Shqipëri ka edhe gjykata ndërkombëtare ku mund të shkojnë për diçka që su pëlqen”, tha ai.

Teksa u ndal tek zgjedhjet që po afrohen, Xhani tha se opozita në terren po del me protesta dhe jo me plan konkret.

‘Është shumë larg nga ajo që duhet që të ishte një opozitë. Nuk e shohim në terren me ofertë konkrete, por e shohim vetëm me protesta dhe me bllokim rrugësh. Nuk shoh asnjë zgjerim të koalicionit përveç atyre aleatëve që dihen kush janë. Shoh që ka një lloj ndroje që të kërkojë bashkëpunimin', tha ai.

Për Ibsen Elezin në opozitë duhet që të kishte figura të pastra dhe jo të diskredituara. Sipas tij, opozita duhet që të kishte bërë vetingun e brendshëm të saj.

“Opozita nuk ka një strategji në ato që shoqëria shqiptare kërkon. Strategjitë nuk krijohen në moment  por duhet që të ishin shpallur me kohë. Nuk kanë besim më njerëzit tek opozita, ka figura të diskredituara politike. Duhen figura që s’janë të diskredituara në opinion publik. Ata kanë deformuar në thelb qëllimin e opozitës, opozita duhet që të bënte vetingun e brendshëm të saj dhe të ndërtonte një elitë figurash politike që të ishin të pastra dhe këtë gjë partitë duhet që ta bëjnë vet’, tha ai.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?