Ushtria izraelite goditi ministrinë siriane të mbrojtjes në Damask dhe forcat qeveritare në Sirinë jugore për të tretën ditë me radhë të mërkurën, ndërsa luftimet vdekjeprurëse sektare në provincën kryesisht druze të Suweidës vazhduan. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se po "punohet për të shpëtuar vëllezërit tanë druzë".
Presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, akuzoi Izraelin për shkaktimin e një "përshkallëzimi në shkallë të gjerë". Më shumë se 350 persona raportohet se janë vrarë që nga e diela, kur shpërthyen përleshjet midis milicive druze dhe fiseve beduine në Suweida.
Ushtria siriane thuhet se filloi të tërheqë forcat e saj nga Suweida vonë të mërkurën, pasi SHBA-të thanë se kishin rënë dakord për "hapat" për t'i dhënë fund dhunës.
“Kemi rënë dakord për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj situate shqetësuese dhe të tmerrshme”, shkroi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në X.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Sirisë, Sana, raportoi se trupat po largoheshin nga Suweida si pjesë e një marrëveshjeje midis qeverisë dhe udhëheqësve fetarë të Suëeidas. Ministria e Jashtme siriane tha se vendi "mirëpret përpjekjet e bëra nga SHBA-ja dhe palët arabe" për të "zgjidhur krizën aktuale" në mënyrë paqësore.
Në një fjalim televiziv drejtuar kombit të enjten herët, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa vlerësoi ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, arabëve dhe Turqisë për shpëtimin e rajonit nga një "fat i panjohur", duke kritikuar Izraelin për sulmin ndaj objekteve civile dhe qeveritare. Ai tha se kombi përballet me dy mundësi: ose “një luftë të hapur” me Izraelin “me koston e qytetarëve tanë druzë”, ose lejimin e klerikëve druzë “të kthehen te arsyeja dhe të japin përparësi interesit kombëtar”.
“Ne nuk kemi frikë nga lufta, historia jonë është e mbushur me beteja për të mbrojtur popullin tonë, por ne zgjodhëm rrugën që e vendos mirëqenien e sirianëve mbi kaosin dhe shkatërrimin”, tha al-Sharaa.
Al-Sharaa akuzoi Izraelin se po përpiqet të përçajë popullin sirian dhe u zotua të mbrojë të drejtat e popullsisë druze.
“Entiteti izraelit, i njohur për përpjekjet e tij të përsëritura për të na destabilizuar dhe për të mbjellë përçarje, edhe një herë kërkon ta kthejë tokën tonë në një fushë beteje kaosi dhe të çmontojë strukturën e popullit tonë”, tha ai.
Ushtria izraelite filloi të sulmojë forcat e sigurisë siriane dhe armët e tyre të hënën, pasi ato u vendosën në qytetin e Suëeidës për herë të parë që kur rebelët e udhëhequr nga islamistët sunitë rrëzuan nga pushteti Presidentin Bashar al-Assad në dhjetor.
Komente
