Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 23 palestinezë në Rripin e Gazës të dielën, përfshirë një gazetar lokal dhe një zyrtar të lartë të shërbimeve të emergjencës, sipas autoriteteve lokale të shëndetësisë.
Viktimat më të fundit nga fushata izraelite ndodhën si pasojë e disa sulmeve të ndara në Khan Younis në jug, Jabalia në veri dhe Nuseirat në qendër të Gazës, sipas mjekëve në terren.
Në Jabalia, mjekët thanë se gazetari lokal Hassan Majdi Abu Warda dhe disa anëtarë të familjes së tij u vranë nga një sulm ajror që goditi shtëpinë e tij më herët të dielën.
Një tjetër sulm ajror në Nuseirat vrau Ashraf Abu Nar, një zyrtar i lartë në shërbimin civil të emergjencës së territorit, si dhe gruan e tij, shtuan mjekët.
Ushtria izraelite nuk ka dhënë ndonjë koment menjëherë.
Zyra e mediave e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se vdekja e Abu Wardës e çoi në 220 numrin e gazetarëve palestinezë të vrarë në Gaza që nga 7 tetori 2023.
Në një deklaratë të veçantë, e njëjta zyrë tha se forcat izraelite kontrollojnë 77% të Rripit të Gazës, qoftë përmes pranisë tokësore, urdhrave të evakuimit apo bombardimeve që e bëjnë të pamundur kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre.
Krahut i armatosur i Hamasit dhe Xhihadit Islamik deklaruan në komunikata të ndara të dielën se luftëtarët e tyre kanë kryer disa pritë dhe sulme me bomba dhe raketa kundërtanku kundër forcave izraelite në disa zona të Gazës, raporton Reuters.
Të premten, ushtria izraelite tha se kishte ndërmarrë më shumë sulme gjatë natës në Gaza, duke goditur 75 objektiva, përfshirë magazina armësh dhe lëshues raketash.
Izraeli nisi një luftë ajrore dhe tokësore në Gaza pas sulmit përtej kufirit nga militantët e Hamasit më 7 tetor 2023, ku sipas shifrave izraelite u vranë 1,200 persona dhe 251 të tjerë u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza.
Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, konflikti ka shkaktuar mbi 53,900 viktima palestineze dhe ka shkatërruar tërësisht brezin bregdetar. Organizatat humanitare thonë se shenjat e kequshqyerjes së rëndë janë të përhapura.
Komente
