Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin tek përplasjet mes poresidentit Ilir Meta dhe qeverisë, sulmeve të kreut të shtetit në adresë të ndërkombëtarëve dhe sjelljes së opozitës përballë mazhorancës.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Brokaj dënoi sulmet e Metës në adresë të SHBA dhe BE, duke i quajtur marrëzi.
Ndërkohë që, duke hequr një paralelizëm mes tij dhe kohës kur Shqipëria drejtohej nga Berisha, Brokaj theksoi se me gjuhën që po artikulon kreu i shtetit në raport me ndërkombëtarët, po sillet më keq se ish-kryeministri Berisha.
-Zoti, Brokaj, ditët e fundit Presidenca dhe Qeveria janë duke u përplasur me njëra-tjetrën. Shkak i konflikti është bërë ç’dekretimi i Metës së datës së zgjedhjeve dhe nxjerrja e një dekreti të ri zgjedhjesh vendore sikundër është 13 tetori. Keni një koment për këto përplasje dhe a ka të drejtë kreu i shtetit të marrë këto veprime?
Kjo puna e dekretimit dhe ç’dekretimit ka pothuajse një muaj që diskutohet, duke futur palët në debat. Kjo nuk është e lehtë për ne që kemi ndjekur analistët, këtu e kam fjalën për konstitucionalistët dhe jo pseudo-konstitucionalistët, pra ata që janë të formuar dhe analizën e bëjnë mbi bazën e librave, duke bërë që ne ta kemi shumë të lehtë për të ndarë dhe kuptuar këtë çështje. Unë e lexoj të drejtën e votimit si të drejtën e qytetarit dhe jo si të drejtë të presidentit, as të kryeministrit, etj. Dhe e drejta e qytetarit është e vendosur me Kushtetutë si afat. Ata që do të organizojnë zgjedhjet sipas Kushtetutës që në këtë rast është presidenti me dekretimin dhe kryeministri me organizimin, duhet të kenë si busull dhe të bazohen pikërisht tek afati që vë kufi Kushtetuta.
Ndaj nuk ka asnjë si të thuash justifikim, fakti që meqenëse nuk jemi në rregull, nuk kemi në rregull opozitën apo nuk jemi në gjendje të shtyjmë zgjedhjet. Ky variant, i cili përjetohet në Shqipëri, pas vitit ’90, që me shtyrjen e parë të zgjedhjeve me të drejtë nga Ramiz Alia. Ky i fundit i shty zgjedhjet asokohe, në mënyrë që t’i jepte kohë Partisë Demokratike që të organizohej dhe të ishte gati për të konkurruar në vitin ’91.
Ndërkohë që herët e tjera deri më sot të gjitha shtyrjet e zgjedhjeve, janë bërë pas presioneve të politikës, duke shmangur në mënyrë flagrante ligjin dhe Kushtetutën. Tani kështu do të vazhdojmë ne? Që edhe kur kemi Kushtetutë, edhe kur kemi ligj, i heqim të drejtën qytetarit që të votojë? Për shembull unë nuk dua që asnjë ditë t’i shtyhet mandati një kryebashkiaku që i mbaron mandati në gusht, referuar zgjedhjeve të vitit 2015. Sepse kryebashkiakët e kanë të drejtën e pushtetit deri në 30 qershor dhe këtë të drejtë ua jep Kushtetuta. Atëherë kush është ai që më heq mua këtë të drejtë dhe të pranoj një kryebashkiak që të më qeveris mua si qytetar edhe pas datës 30 qershor, në një kohë që atij i ka mbaruar mandati? Kështu që, substanca është Kushtetueses dhe gjithë këta të tjerët pseudo-juristët dhe palo-analistët spekulojnë në varësi të kuletës apo xhepit që i paguan që të bëjnë këto analiza dhe asgjë tjetër.
-Pra, ju po thoni se presidenti Ilir Meta gaboi me ç’dekretimin e 30 qershorit dhe nxjerrjen e një dekreti të ri, ku kërkon që zgjedhjet lokale të mbahen në 13 tetor?
Patjetër. Presidenti i Republikës kur kalon afatin e përcaktuar nga Kushtetuta, 4 vjeçarin për zgjedhjet, që në rastin konkret janë lokale, i ka ikur efektivisht e drejta. Meta lëvizjen me dekretin e zgjedhjeve mund ta bënte brenda afatit 4 vjeçar, që nënkupton nga 30 qershori e mbrapa por edhe 6 muaj para se të mbaroj mandati 4 vjeçar i kryebashkiakëve aktual të dalë nga zgjedhjet lokale të vitit 2015. Pra, kreu i shtetit e kishte mundësinë të luante me dekretin vetëm në këtë hark kohor, gjithmonë i detyruar që të bazohet në Kushtetutë. Pra, Meta është i detyruar që të zbatojë në frymë dhe në gërmë Kushtetutën dhe jo lojën politike të zbut unë Lulzim Bashën me Edi Ramën apo Ramën me Opingën e Sheros. Kështu që, arsyetimi nuk është shumë i ndërlikuar sikundër serviret. Për mua arsyetimin dhe çështjen e ndërlikojnë artificialisht. Kjo pasi arsyetimi është shumë i thjeshtë. E drejta për të votuar përcaktohet nga Kushtetuta, afati përcaktohet nga Kushtetuta dhe të tjetër, duke filluar nga Presidenti i Republikës duhet t’i shërbejnë të drejtës dhe afatit. Meta shkeli Kushtetutën me çdekretimin e datës së zgjedhjeve. Dhe këtu marrin fund dilemat.
-Presidenti Ilir Meta e justifikoi ç’dekretimin e 30 qershorit dhe nxjerrjen e një dekreti të ri për zgjedhje lokale, sikundër është 13 tetori, me faktin se shmangu përplasjen civile dhe dhunën. Si e cilësoni këtë veprimi?
Luftën civile, mosbindjen civile, konfliktin, dhunën apo quhen si të doni e ka nxitur dhe ndjellë opozita, e cila tanimë është në rrugë. Madje, desha të thosha se këtë luftë civile e ka ndjellë opozita dhe të tjerë që qëndrojnë në prapavijë dhe mbi të dhe jo populli apo mazhoranca. Gjithmonë, populli e ka shmangur këtë luftë. Këtu e kam fjalën atë luftë civile që opozita e drejtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrimi e ndezën me bomba Molotov, me provokime protestash e deri në dhunim të institucioneve dhe bllokimi rrugësh, ishte një luftë apo skenar i stisur nga këtë aktorë të opozitës dhe jovetëm. Kështu që, për ta zgjatur përgjigjen fillimi i luftës të ndezur nga opozita e ka zanafillën që nga djegia e mandateve të deputetëve, ikja nga Parlamenti. Dhe pas këtij veprimi, opozitës dhe ata që e mbështesin atë u iku ekuilibri, duke u çorientuar dhe çekuilibruar. Sepse nuk e pritën dhe as e menduan, që ky Parlament të mund të vazhdonte, pasi nuk do të hynin njerëzit e tyre që ishin në listat shumë emërore të PD-së dhe LSI-së, sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 30 qershorit. Pra, në këtë mënyrë ata çekuilibruan dhe u prish plani dhe ëndrra e opozitës për të pasur një Parlament një ngjyrësh, i cili do të vijonte 2-3 muaj dhe Presidenti i Republikës do të kishte të drejtën që të shpallte zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe në atë situatë, në atë Parlament, do isha dakord që një Parlament njëngjyrësh, mund të vazhdonte edhe pak muaj deri sa të rregullonte disa gjëra, sikundër është miratimi i reformës zgjedhore. Mirëpo, situatë në zhvillim, gjithmonë pasi opozita dogji mandatet dhe doli në rrugë, ndryshoi. Plani i opozitës dështoi dhe sot kemi një Parlament që i mungojnë vetëm pak deputetët. Aq më tepër që zëvendësimi i deputetëve të opozitës nga ata të rinj u vlerësua dhe u nxit shumë nga ndërkombëtarët, pasi këtë të fundit jovetëm që e njohin mirë Shqipërinë, por ishin në dijeni të kësaj loje të pistë dhe pisllëku që po luante opozita, duke bërë që të legjitimonin Parlamentin aktual dhe qeverinë. Pra, ndërkombëtarët e kuptuan lojën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke iu mbyllur shtigjet këtyre veprimeve, me anë të së cilës do të synohej përplasja dhe konflikti civil. Kështu që, ndërkombëtarëve nuk iu interesonte një Shqipëri në dhunë dhe bënë lëvizjen e tyre. Parandaluan çuarjen e Shqipërisë në mosbindje civile, i cili mund të kthehej në precedent në të gjithë rajonin. Mos harroni që në jetuam kaq muaj me bllokim rrugësh, bomba molotov. Por ne jemi vendi i NATO dhe askush nuk e toleron këtë sjellje të opozitës. Thënë më troç, opozita sajoi dhe gatoi konflikti civil dhe priste që të vilte këtë prodhim, por që dështoi, pasi rranë telefonat dhe ndërkombëtarët ua tërhoqën veshin krerëve të opozitës. Ne që kemi 30 vjet që jetojmë dhe përjetojmë këtë lloj politike, ua njohim me detaje marrëzitë politikanëve, kështu që edhe ndërkombëtarët nuk lejojnë destabilizimin e vendit.
-Po sulmet e presidentit Ilir Meta në adresë të qeverisë dhe reformës në drejtësi, si i shihni?
Shiko! Sa do të mendoja keq për Ilirin, nuk e prisja që ai të prezantohej kaq keq. As e mendoja dhe as doja që Presidenti i Republikës të prezantohej në mënyrë kaq flagrante, me një arsyetim fare pa post politikani. Dihet tashmë nga të gjithë që reforma në drejtësi është e imponuar realisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi politikanët këtu nuk e donin këtë reformë. Këtë reforma gjithashtu e ka pranuar edhe Europa dhe përpara se ajo të votohej këtu, kishte 2 apo 3 vjet që ishte planifikuar dhe hartuar në SHBA. Më lejoni të ndaj me ju një moment, që daton ndoshta 8 apo 10 vjet më parë dhe ka lidhje me një forum avokatësh në Amerikë. Këtij forumi asokohe i ishte shtruar pyetja se çfarë do të bëhet me Shqipërinë? Kjo që po them unë është e botuar dhe zyrtare. Pra, pyetja që ishte shtruar në këtë forum kishte lidhje me korrupsionin në Shqipëri dhe se çfarë duhet të bëhej për të parandaluar këtë fenomen, madje edhe fenomene të tjera të jashtëligjshme. Ata u përgjigjën duke thënë se nuk është problem fare për të çmontuar këtë lloj fenomeni siç iu duket politikanëve në Shqipëri apo gjetkë. Ata propozuan që merrni pasuritë e politikanëve dhe njerëzve të drejtësisë dhe pasuritë e mëdha që disponojnë krahasojini me të ardhurat që kanë bërë në vite. Kështu që, diferenca që do të krijohet janë burime të pajustifikuara, të ardhura nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Tani çfarë është reforma në vetvete? Për mua është zbërthimi i këtij konkluzioni të forumit të avokatëve në Amerikë. Pra, ç’punë ka Edi Rama sikundër pretendon Meta, në një kohë që koncepti i reformës në drejtësi është hedhur 10 vjet para nga amerikanët, kohë kur kryeministri aktual ishte kryebashkiak i Tiranës. Kështu që, asnjë nga akuzat e Metës se Rama po i heq gjyqtarët dhe prokurorët nuk qëndrojnë. Kjo pasi amerikanët kanë hedhur burime njerëzore dhe para për këtë reformë dhe është e tyre dhe nuk lejojnë që të fusin duart të tjerët qofshin këtë politikanë apo ku e di unë se çfarë. Amerikanët kanë futur njeriun e tyre. Dhe kanë gjithashtu Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit që monitoron punën e reformës, i cili ka të drejtë të kthejë kur shikon që një gjyqtar kalon vetingun në KPK dhe ta apelojë vendimin në KPA, kështu që nuk lejojnë që kjo reformë të kapet. Dhe nga ana tjetër informacioni që kanë për çdo dosje dhe nga gjithë shqiptarët, ndonjëherë edhe në mënyrë spekulative, ata i kalojën të gjitha në filtra. Kështu që, nuk e kanë problem të hetojnë me detaje politikanët dhe njerëzit e drejtësisë në Shqipëri. Kështu që, gjithë akuza që Meta bën ndaj Ramës në këtë aspekt bie dhe nuk qëndron. Vetingu dhe reforma në drejtësi nuk i ka lënë shteg Ramës që të bëjë lojë dhe kapë reformën. Përkundrazi, politika shqiptare nuk e donte reformën, sa u detyrua ish-ambasadorin Donald Lu që të vihej në lëvizje dhe tu mbushte mendjen politikanëve dhe ligjvënësve shqiptar që ta votonin reformën. Dihet që Rama u pozicionua pro reformës dhe kështu ndodhi.
-Gjithashtu, presidenti Meta nuk ka kursyer me sulme edhe ndërkombëtarët. Keni një koment?
Për mendimin tim në aspektin politik dhe diplomatik sulmet e presidentit Ilir Meta në adresë të ndërkombëtarëve është skandali më i madh që janë bërë në këto 30 vjet pluralizëm. Ka bërë edhe Saliu që nuk ka pranuar të takonte ndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA, të cilin e ka pasur edhe mbështetës në zgjedhjet e ’96. Më pas kur gjakosi shqiptarët, natyrisht ai i vuri frenë Saliut. Ndërkohë, ku e di unë edhe kur ka ardhur Erdogani, Saliu nuk i vajti në sallën e Parlamentit. Pra, skandale të tilla, kjo pjesë e politikës shqiptare që ka pozicionin opozitë sot, i ka bërë skandale të tilla. Por jo në përmasën që konkretisht tani së fundmi ka bërë Ilir Meta ndaj ndërkombëtarëve. Shtrohet një pyetje shumë e thjeshtë për ne që kemi jetuar edhe pas ’90. Po si do të kishim shpëtuar ne nga konflikti që nga ’91, kur këtë që bëjnë opozitën sot kanë bërë vrasje në Shqipëri. Kush e qetësoi Shqipërinë në situata shumë të rënda që kaloi si vitet ’96, ’97, ’98? Ishin pikërisht ndërkombëtarët që na ndihmuan dhe qetësuan situatën. Realisht politikanët shqiptarë nuk lidhin dot brekët e tyre dhe e kanë bërë Shqipërinë copë-copë dhe për çudi na dalin që ndërkombëtarët janë fajtorë. Nuk mund të hedhësh kurrë akuza ndaj ndërkombëtarëve, aq më tepër ambasadoreve, pasi këtë të fundit janë thjeshtë zëdhënës dhe informues të shtetit që përfaqësojnë. Askush nga ambasadorët nuk flet në kokën e vetë se kontrollohet nga qeveria e tij që nga nesër. Është e pamundur që një ambasador të bëjë një gabim të dytë, pasi nuk e lë njeri. Prandaj, për mua qëndrimet e Metës karshi ndërkombëtarëve kanë qenë të papranueshme. Unë jam nga ata që bëj pjesë tek sovranistët dhe e pëlqej shtetin me sovranitet të plotë. Unë ku ta gjeja që Iliri t’i përkiste klasës sovraniste, por për fat të keq nuk është kështu. Është absurde që të godasë aleatët, pa të cilët ne si vend nuk jetojmë as 5 minuta. Kjo që po bën Meta nuk është politikë, por vetëm marrëzi.
-Mazhoranca së fundi ka ndërmarrë një nismë për të shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra. A ka të drejtë mazhoranca të shkarkojë presidentin nga detyra?
Pas këtyre gjërave që ndodhën, për mua mazhoranca tanimë është më e motivuar se kurrë për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Metës nga posti i Presidentit të Republikës. Fillimisht, me thënë të drejtën gati nuk kam qenë i bindur nëse ia vlente apo nuk ia vlente të merreshin me të sepse ata vetë e pollën presidentin, është konflikti i tyre. Por ama, po ta shikosh, vendimi i presidentit në vijim është një faktor i problemeve, jo i zgjidhjes së tyre. Sidomos qëndrimi jo serioz i fundit, i jep shumë argument mazhorancës që të kërkojnë largimin e tij.
-Si i shikoni zgjedhjet vendore, të cilat u mbajtën në 30 qershor?
Për mua, zgjedhjet janë krejtësisht normale. E para një herë që ato janë pothuajse tërësisht njëngjyrëshe. Pavarësisht nga prania e partive të tjera dhe e Bindjes Demokratike, e cila nuk pati kohë, sepse unë kam bindjen që Bindja Demokratike po të kishte pak kohë më shumë, sikur edhe 2-3 muaj më shumë, do të ishte prezantuar më e fuqishme. Afërisht, mesa di unë, në 30 bashki ka patur konkurrues. Mileti që nuk mbështet pushtetin e kishte variantin e vet. Bindja Demokratike apo një parti tjetër e pavarur, ishte një variant, mund t’i kalonte votat atje. Në këtë pikëpamje, u realizua një veprim politik kushtetues. Nëse ata vetë shmangen, vetë largohen nga zgjedhjet, nuk e di pse atyre që duan të shkojnë të votojnë, duan t’iu heqin të drejtën. Ata iu larguan zgjedhjeve me dëshirë. Përsëris një frazë: Nëse Partizani me Tiranën kanë ndeshje dhe shkon njëra nga skuadrat në stadium dhe tjetra nuk do që të hyjë në ndeshje, automatikisht ajo skuadër merr 3-pikëshin, pavarësisht se skuadra tjetër nuk ishte. Zgjedhjet janë të tilla, është e drejtë dhe jo detyrim për të marrë pjesë. Ata nuk e realizuan të drejtën e tyre. Për mua, ata që nga ky moment kanë humbur edhe mundësinë, edhe të drejtën të luajnë me shifrat dhe me vlerat. Nga e dinë ata në qendrën time të votimit sesa ishin, si ishte procesi, etj. Kështu që ata vazhdojnë pozicionin e tyre tepër qesharak, jo serioz, aq sa po të shikosh kurbën e lëvizjes së politikës shqiptare, nga ’90 e deri sot, mund të gjykosh sipas mendimit tim, që faza e pseudo-pluralizmit në Shqipëri u likuidua në kuptimin që ishin 30 vjet që vetëm pollën shkatërrim, pollën krim, nuk i lanë Shqipërisë asnjë pasuri materiale, as morale, as arkeologjike, as historike. Pra, eksperimenti i filluar, i sponsorizuar dhe i imponuar i një pluralizmi sajesë i vitit ’90 e nxori produktin sot që ne jemi përsëri të detyruar të ngrihemi dhe të votojmë vetëm një krah. E thash këtë për domosdoshmërinë e që ka klasa jonë politike për një ndryshim rrënjësor e radikal. Absolutisht, kjo klasë që 30 vjet solli vetëm helm dhe shkatërrim, kanë 30 vjet shqiptarët që braktisin vendin e tyre dhe kjo klasë nuk e meriton që të vazhdojë më gjatë.
-Berisha nga ana tjetër u shpreh për mediat italiane i vendosur që të shkojë drejt mosbindjes civile. Pse i bën këto thirrje?
Ai i ka thënë të tëra dhe i ka bërë të tëra dhe nuk meriton fare të mbahet në rreshtat e gazetës e të flitet për të. Ai vetëm të zeza bën dhe flet.
-A kanë frikë politikanët nga SPAK?
Pa diskutim që gjithë këto zhvillimet e këtyre muajve të fundit, po ta shikosh, është në raport me intensitetin e veprimit dhe organizimit të vetingut dhe të SPAK. Sa më afër vjen SPAK, aq më në rritje janë këto situatat konfliktuale, nervoze të opozitarëve. Unë them që duhet të ketë ndëshkime. Nëse nuk do të ketë ndëshkim për politikanët, është krejtësisht i kotë vetingu në drejtësi. Absolutisht i kotë. Politikanët po të kenë dorë të lirë dhe mundësi, i ndërtojnë vetë prokuroritë dhe gjykatat. Këtë e kemi të provuar sesi e bënë këtë krim ndaj popullit të tyre. Kush e bëri? Ata që ishin presidentë dhe kryeministra. U bë aferë problemi i pagesës për gjyqtarët sipas nivelit. Deri tek Kushtetuesja, për të cilët duhet të paguaje më shumë dhe tek e Apelit. Pra, këtë aferë nuk e krijoi njeriu i thjeshtë, por politika dhe natyrisht punonin njëri me tjetrin pastaj. Ndaj, nëse nuk bëhet ndëshkimi, apo edhe arrestimi e sekuestrimi i pasurive të tyre, nuk ka për të patur drejtësi. Këdo që të vini kryeministër, nëse i lini duart e lira, ai do të fillojë që me prokurorinë që prezanton akuzën në emër të shtetit, e pastaj do të shkojë deri në gjykatë për ta kapur. Ndaj, ndëshkimi i politikës është po aq i rëndësishëm dhe kryesor, saç është edhe vetingu i drejtësisë.
-Po drejtimin që po i bën Basha partisë si e shikoni? A është politikani i duhur për të udhëhequr opozitën?
Që në momentin që Bashën e pasojnë mijëra shqiptarë, në këtë moment unë mendoj keq për vendin tim. Si është e mundur, një kryetar partie në opozitë, që ka provuar botërisht, publikisht vjedhje dhe i është shmangur drejtësisë me imoralitet publik. Si është e mundur që ky person në nivel ministri të drejtpërdrejt para syve të tij të bëhen vrasje, një politikan që përballë syve të gjithë shqiptarëve ka firmosur një akt tradhtie dhe pas këtij shkojnë mijëra njerëz. Kjo për mua është tronditëse. Në Shqipëri është goditur morali politik në thelbin e tij. Po nuk ka PD një njeri që edhe unë të shkoj pas tij dhe të jetë me vlera? Ka plot njerëz. Po si është e mundur që vendosin këtë njeri, që vjen me 1000 dyshime nga veprimtaria e tij në Kosovë pasi ka bërë kaq shumë veprime të tilla penale në Shqipëri dhe për çudi shkojnë njerëzit mbrapa tij dhe e mbrojnë. Nuk e kam fare mendimin nëse një pjesë e popullatës është mavi e një pjesë blu. Ore këta mijëra njerëz, kujt vlere i shkojnë pas? Si është e mundur t’i thuash vetes demokrat dhe të shkosh pas Saliut, i cili ka nxjerrë tanket kundër popullit të tij. Demokracia dhe diktatura kanë një kufi, një vijë të kuqe, atë të cilën diktatura e përdor ushtrinë kundër popullit të vet, demokracia nuk e përdor. Tani ky i ka bërë të gjitha të zezat dhe shqiptarët i shkojnë mbrapa. Kjo është tronditëse në kuptimin e ndërgjegjes dhe moralit politik shqiptar. Pas tij nuk duhet të shkojë as gruaja e tij.
-Pak ditë më parë prokuroria vendosi shtyrjen e hetimeve për Adriatik Llallën, ndërsa ky i fundit kërkoi mbylljen sepse thotë jam i pafajshëm. Si e shikoni ju këtë qëndrim të tijin?
Për Adriatik Llallën dhe Visho Ajazi Likën i kam bërë kritika Edi Ramës 5-6 herë. Si është e mundur që njerëz thellësisht të demaskuar ky vazhdonte t’i mbante? Si mund të mbyllte mandatin prokurori që realisht nuk ka aq pavarësi absolute sepse ai është përfaqësuesi i shtetit në akuzë, duke mbuluar krime, duke zhvlerësuar procese penale, ai e mbylli mandatin qetësisht dhe iku kur deshi. Po nuk dha ai llogari dhe të tjerët që vijnë pas tij, pse duhet të japin të tjerët? Ata të tjerët nuk kanë futur duart në xhepat e pasuritë e popullit, edhe ata që janë marrë me hashash. Kurse ky dhe të tjerët janë zhytur në pasuritë dhe në xhepat e miletit.
Dridhe Like I thone kesaj nga fshati im
PërgjigjuO Sabit, ishe me Ps,vajte me Lsi mos na bej si burr i ndershem..
Përgjigju