Sulmi në spital dhe një nga gazetarët e vrarë

Bota

Sulmet në spitalin e Gazës, BE: Vrasja e gazetarëve dhe civilëve, e papranueshme! Netanyahu mbledh Kabinetin e Sigurisë

26 Gusht, 14:56| Përditesimi: 26 Gusht, 17:37

  • Share

"Vrasja e pesë gazetarëve, katër punonjësve të shëndetësisë dhe disa civilëve dje në Gaza është krejtësisht e papranueshme." Kështu deklaroi zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Anouar El Anouni, gjatë një konference për shtyp, duke dënuar sulmin izraelit në spitalin Nasser në Khan Youris. 

"Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Izraelit që të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të sigurojë që këto sulme të hetohen, dhe vërejmë deklaratat e autoriteteve izraelite se do të kryhet një hetim i plotë.", shtoi El Anouni për mediat, duke kërkuar që ndihmat të mos politizohen. 

"Vuajtjet humanitare në Gaza kanë arritur nivele të paimagjinueshme. Është e tmerrshme ajo që po ndodh para syve tanë, me urinë. Ndihma nuk duhet të politizohet kurrë", shtoi ai. 

Nga dy sulmet e djeshme që synonin katin e katërt të spitalit, u vranë 20 persona, pesë prej të cilëve gazetarë, staf mjekësor dhe civilë të tjerë. Shumë të tjerë u plagosën. 

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbledhur Kabinetin e Sigurisë për të diskutuar për Gazën. Sipas mediave vendase, zyrtarët izraelitë do të miratojnë planet për fazat e ardhshme të operacionit ushtarak në Gaza.

Raportet mediatike informojnë se Kryeministri Netanyahu nuk pritet të propozojë për një armëpushim 60-ditor në luftën në Gaza, që do të sillte edhe edhe kthimin e rreth gjysmës së pengjeve që mbahen nga Hamasi.

Izraeli nuk e ka pranuar propozimin e fundit nga ndërmjetësit rajonalë, duke thënë se tani do të bjerë dakord vetëm për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të kthyer të gjithë pengjet në shtëpi dhe për t'i dhënë fund luftës sipas kushteve të saj.

Raportet e mediave tregojnë se po zhvillohen diskutime në lidhje me vendin e raundit të ardhshëm të bisedimeve, por koha dhe përbërja e delegacionit izraelit nuk dihen ende. 

Xh.D/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?