TIRANË- Në një kohë kur Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve për deputet është kritikuar nga vetë anëtarët e kësaj partie, Sekretari ligjor Ivi Kaso shprehet se nuk janë bërë aspak pishman! I ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, Kaso tha se ato anëtarë që e kanë kritikuar, kanë reflektuar dhe sot janë krah drejtuesve të qarqeve në fushatën zgjedhore.
“Procesi ishte i gjatë, pothuajse sfilitës pasi prekur çdo strukturë, por është një gjë për të cilën nuk jemi bërë pishman, por ndihemi krenar, pasi është hera e parë që një parti politike hedh një hap për adresimin e një problemi, të asaj të kryetarokracisë, dhe që forcat politike janë angazhuar që ta luftojë, edhe partitë e vogla por s’kanë hedhur asnjë hap real, PD e ka sanksionuar që listat e kandidatëve nuk do të hartohen nga kryetari apo kryesia por nëpërmjet një procesi ku anëtarësia do të marrë më shumë peshë. Një proces i tillë nuk mund të kënaqte të gjithë, kemi 100 mijë anëtarë, por e rëndësishme është që dhe ata që në fillim mbetën të pakënaqur, ishte i shëndetshëm për demokracinë, dhe ato që kanë dhënë shenja pakënaqësie i kam parë sot më aktiv se kurrë përkrah personave që janë të deleguar në qarqe të caktuara, i kam parë aktiv, duke bërë fushatë, pra nuk ka lënë efekte anësore domethënëse që mund të vinin në rrezik harmoninë e PD-së”, tha Kaso.
Përballë gazetarit, Ilir Babaramo, Kaso tha se PS-ja ka nisur që të vjedhë zgjedhjet e 25 prillit duke listuar disa mënyra se si sipas tij tij po kapet vota.
“Ka filluar të vjedhin zgjedhjet, me veprime dhe mos veprime, por ne jemi aty dhe do jemi aty në pranë çdo vote që asnjë votë të mos preket. Pak policia, pak krimi, pak përdorimi i administratës në fushatë, pak listat e zgjedhësve, pak kartat, kemi denoncuar te partnerët ndërkombëtar. Kemi denoncuar listat e zgjedhësve, në bazë të ligjit zgjedhësit ka vetëm një vendbanim, dhe ky vendbanim i përcakton qendrën e votimit, Nuk ka mundësi që të kesh një adresë dhe të mos votosh aty ku ke adresën”, tha Kaso.
Duke u ndalur te lista e kandidatëve, Kaso zgjodhi që të mos jepte emra, por tha se do të ketë surpriza.