Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u bëri thirrje të shtunën vendeve perëndimore që të reagojnë me forcë ndaj sulmeve të përditshme me dronë rusë në territorin ukrainas.
“Partnerët tanë duhet të kuptojnë se këto sulme ruse synojnë jo vetëm popullin tonë, por edhe çdo përpjekje ndërkombëtare dhe diplomatike për t'i dhënë fund luftës”, tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes, duke shtuar se 172 dronë u lëshuan kundër Ukrainës brenda një nate të vetme.
"Rusia po sulmon ata që kërkojnë paqe. Nuk është e mundur të injorohen qindra Shahed çdo natë", shtoi ai, duke iu referuar dronëve të prodhuar nga Irani të përdorur nga Moska.
Ai shtoi se: "Ne presim një përgjigje, një përgjigje serioze. Ne po punojmë për të siguruar një reagim të fortë, veçanërisht nga Amerika, Evropa dhe të gjithë ata në botë që mbështeten në diplomaci".
Mbrëmjen e së shtunës, dronët rusë goditën një spital ushtarak, një qendër tregtare, blloqe apartamentesh dhe objektiva të tjera në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, duke vrarë një person dhe duke plagosur të paktën 14, raportoi Reuters.
Komente
