SHBA dhe BE kritikojnë Albin Kurtin për sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilën e cilësoi si një "hije politike" të opozitës pas vendimit për të mos ndërmarrë asnjë veprim nga Kuvendi deri më 30 shtator. Edhe presidentja Vjosa Osmani ishte kritike teksa tha se Lista Serbe po bllokonte Kuvendin përmes gjykatës, duke thënë se moszgjedhja e nënkryetarit serb nuk cenonte të drejtat e kësaj partie.
E ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë, të cilat, sipas saj, po rrisin “paqëndrueshmërinë në Kosovë”.
“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, tha diplomatja për Kohën.
Ajo paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë përgjigjen e tyre, teksa shtoi, "por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”.
Edhe zyra e BE-së në Kosovë, përmes zëdhënësit Nikola Gaon ka reaguar për Express, duke thënë se roli i Gjykatës Kushtetuese është që të interpretojë dhe të garantojë përputhshmërinë me Kushtetutën e vendit dhe se aktorët politikë duhet të respektojnë dhe të përmbahen ndaj vendimeve të saj. Ai deklaroi gjithashtu se përgjegjësia për ngërçin politik bie para së gjithash mbi partitë politike.
"Është detyrë e të gjithë aktorëve dhe institucioneve politike të Kosovës që ta respektojnë këtë rol dhe të përmbahen nga çdo formë ndërhyrjeje e padrejtë në punën e gjyqësorit dhe të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë sulmet personale. Përgjegjësia për zgjidhjen e një ngërçi politik bie para së gjithash mbi partitë politike, të cilat mund ta shmangin ngërçin përmes dialogut dhe kompromiseve për të kapërcyer bllokimin institucional dhe për të mbështetur karakterin demokratik dhe shumëetnik të Kosovës”, tha Gaon për Gazetën Express.
Më 5 shtator, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin të mos merrte asnjë veprim deri më 30 shtator për konstituimin dhe formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Vendimi erdhi pas ankesës së Listës Serbe, e cila e cilësoi si shkelje kushtetuese mënyrën e votimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb.
Komente
