Foto nga momenti kur Trump i drejtohet kombit për bombardimet në Iran

Bota

Sulmi i SHBA-së ndaj Iranit, Këshilli i Sigurimit të OKB mbledhje urgjente! Reagimet ndërkombëtare, nga Von der Leyen te Antonio Guterres

22 Qershor, 11:52| Përditesimi: 22 Qershor, 17:04

  • Share

Reagimet ndërkombëtare pas bombardimeve të SHBA-së në Iran: Thirrje për qetësi, shqetësime për përshkallëzim dhe rrezik lufte të gjerë!

OKB mbledh me urgjencë Këshillin e Sigurimit për Iranin, ku do diskutohet për gjetjen e rrugës së paqes dhe uljes së tensioneve.

Pas sulmeve ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara kundër impianteve bërthamore të Iranit, reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar.

Liderët evropianë, Kombet e Bashkuara, vendet e rajonit dhe aktorë të armatosur në Lindjen e Mesme kanë shprehur shqetësim të thellë, duke bërë thirrje për de-përshkallëzim dhe kthim në tryezën e negociatave, ndërsa të tjerë kanë paralajmëruar për pasoja katastrofike.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marko Rubio, nga ana e tij ka deklaruar se SHBA-të janë të gatshme të ulen në bisedime me Teheranin.

Bashkimi Evropian: “Zgjidhja duhet të jetë diplomatike”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “Irani nuk duhet kurrsesi të pajiset me armë bërthamore”, duke shtuar se “stabiliteti rajonal është përparësi” dhe se respektimi i së drejtës ndërkombëtare është thelbësor. Ajo theksoi se negociatat janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, u bëri thirrje të gjitha palëve të bëjnë një hap pas dhe të kthehen në tryezën e negociatave, duke theksuar se Irani nuk duhet të zhvillojë armë bërthamore. Ajo paralajmëroi gjithashtu se situata do të jetë temë diskutimi në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së më 23 qershor.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, shprehu alarm të thellë për zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke theksuar se “diplomacia mbetet e vetmja rrugë për të sjellë paqe dhe siguri” dhe se BE do të vijojë angazhimin për zgjidhje paqësore.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, u shpreh se sulmi ka dëmtuar rëndë kapacitetet e Iranit për prodhim bërthamor, por kërkoi që pas kësaj të ndiqet rruga e de-përshkallëzimit dhe e negociatave. Ai njoftoi gjithashtu se do të takohet me kreun e AIEA, Rafael Grossi, për të vlerësuar pasojat e sigurisë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, përmes zëdhënësit Stefan Kornelius, u bëri thirrje Iranit, SHBA-së dhe Izraelit të nisin menjëherë negociatat, duke theksuar nevojën për një zgjidhje diplomatike. Gjermania ka thirrur gjithashtu Kabin e Sigurisë për të analizuar situatën.

OKB dhe NATO: paralajmërim për përshkallëzim

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se është “thellësisht i shqetësuar nga përdorimi i forcës nga SHBA ndaj Iranit”, duke e quajtur situatën një “përshkallëzim të rrezikshëm” në një rajon tashmë të brishtë, që kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Një zyrtar i NATO-s, nën drejtimin e Mark Rutte, deklaroi se Aleanca “po e ndjek nga afër situatën” në Lindjen e Mesme, pas sulmeve amerikane ndaj infrastrukturës bërthamore iraniane.

për këtë qëllim OKB ka kërkuar sot edhe mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit, për gjetjen e zgjidhjeve dhe moslejimin e përshkallëzimit të konfliktit apo zgjerimit të hartës së luftës.

Reagime nga rajoni: shqetësim dhe paralajmërime

Arabia Saudite ka shprehur “shqetësim të thellë” për sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, duke thënë se po ndjek me vëmendje zhvillimet. Megjithatë, autoritetet saudite nuk kanë konstatuar ndonjë rrezik radioaktiv në territorin e tyre ose në vendet fqinje të Gjirit.

Katari dënoi përshkallëzimin dhe e cilësoi ndërhyrjen amerikane si një veprim që mund të sjellë “pasoja katastrofike në rajon dhe më gjerë”.

Iraku, përmes zëdhënësit të qeverisë Bassem Alaëadi, paralajmëroi se përshkallëzimi ushtarak kërcënon sigurinë në Lindjen e Mesme dhe se zgjidhjet ushtarake nuk mund të zëvendësojnë dialogun dhe diplomacinë.

Izraeli dhe SHBA: lavdërime për sulmin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti sulmin e Trump një “vendim të guximshëm që do të ndryshojë historinë”, duke theksuar se operacioni ishte “plotësisht i koordinuar” me Izraelin. Sipas tij, sulmet do të ndihmojnë në drejtim të një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Lindjen e Mesme.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, theksoi se “fushata nuk ka përfunduar” dhe se ditët në vijim do të jenë delikate dhe sfiduese, duke nënvizuar aleancën e thellë mes SHBA-së dhe Izraelit.

Shtetet e Bashkuara: përçarje politike

Brenda vetë SHBA-së, sulmi ka shkaktuar reagime të forta politike.

Senatorët dhe ligjvënësit demokratë, si Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez, kanë kërkuar nisjen e procedurës së shkarkimit ndaj Trump-it, duke e cilësuar sulmin një shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasi presidenti nuk ka marrë miratimin e Kongresit për ndërhyrjen ushtarake.

Rusia dhe Kina: kritika të ashpra

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se nëse secili shtet interpreton si të dojë të drejtën për vetëmbrojtje, bota rrezikon të rrëshqasë në një “kaos të plotë”.

Ish-presidenti rus dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Dmitry Medvedev, tha se sulmet amerikane shkaktuan “dëme minimale ose të papërfillshme” ndaj infrastrukturës bërthamore iraniane dhe paralajmëroi se Irani do të vazhdojë pasurimin e uraniumit dhe prodhimin e mundshëm të armëve bërthamore.

Grupet aleate të Iranit: kërcënime të drejtpërdrejta

Lëvizja palestineze Hamas, aleate e Iranit, e cilësoi ndërhyrjen amerikane si “një agresion që shkel të gjitha konventat ndërkombëtare” dhe shembull të “ligjit të xhunglës”.

Rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, thanë se sulmet janë një deklaratë lufte ndaj popullit iranian dhe paralajmëruan se janë gati të godasin anijet dhe ndërtesat amerikane në Detin e Kuq.

Ora 17:00
Lufta në Lindjen e Mesme, Këshilli i Sigurisë në OKB thërret mbledhje urgjente për Iranin

1750604519_okb.jpg

Këshilli i Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka thirrur sot një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën në lidhje me Iranin.

Kjo mbledhje urgjente synon të vlerësojë zhvillimet e fundit dhe të shqyrtojë mënyrat për t’u përballur me sfidat që lidhen me veprimet e Iranit, duke pasur parasysh ndikimin e tyre në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ora 16:56
Eskalimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, Von der Leyen thërret mbledhje të Komisionerëve për të mërkurën

1750604225_GettyImages2190582854scaled.jpg

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se do të thërrasë një mbledhje të Kolegji të Komisionerëve të mërkurën për të diskutuar eskalimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimet e tij mbi Evropën.

“Të mërkurën do të mbajmë një mbledhje të Kolegjit për Sigurinë, ku do të fokusohemi te përkeqësimi i situatës në Lindjen e Mesme dhe pasojat e saj për Evropën,” tha liderja evropiane në një mesazh në rrjetet sociale.

Von der Leyen kishte thirrur për herë të parë një mbledhje të tillë më 9 maj, me qëllim vlerësimin e situatës së sigurisë së brendshme dhe të jashtme të Bashkimit Evropian.

Ora 13:54
Kina dënon sulmet e SHBA në Iran: Është shkelur e drejta ndërkombëtare

1750593357_chinaimg1.jpg

“Kina dënon me forcë sulmin amerikan ndaj Iranit dhe ndaj impianteve bërthamore që janë nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. Ky veprim i Shteteve të Bashkuara përbën një shkelje të rëndë të qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe përshkallëzon më tej tensionet në Lindjen e Mesme”. Kështu thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Pekinit.

“Kina u bën thirrje palëve në konflikt, veçanërisht Izraelit, që të ndalojnë menjëherë zjarrin, të garantojnë sigurinë e civilëve dhe të nisin dialogun e negociatat.”

Ora 13:23
Papa: Diplomacia të bëjë që armët të heshtin, jo dhunë dhe konflikte

1750591712_papa.jpg

“Të dashur vëllezër e motra, nga Lindja e Mesme, veçanërisht nga Irani, po vijnë lajme alarmante. Në këtë skenar dramatik që përfshin Izraelin dhe Palestinën, rrezikon të harrohet vuajtja e përditshme e popullsisë, sidomos në Gaza dhe në territoret e tjera, ku nevoja për një ndihmë humanitare të përshtatshme po bëhet gjithnjë e më urgjente.” Këto ishin fjalët e Papa Leonit XIV gjatë Engjëllores.

“Sot, më shumë se kurrë, njerëzimi bërtet dhe kërkon paqe: është një britmë që kërkon përgjegjësi dhe arsye dhe që nuk duhet të mbytet nga zhurma e armëve apo nga fjalët retorike që nxisin konfliktin,” vijoi Papa i ri, duke kërkuar “të ndalet tragjedia e luftës përpara se të bëhet një humnerë e parikuperueshme.”

“Qoftë diplomacia ajo që i bën armët të heshtin,” theksoi ai, duke kujtuar se “lufta nuk i zgjidh problemet, përkundrazi i përkeqëson dhe lë plagë të thella në historinë e një populli, plagë që kërkojnë gjenerata për t’u shëruar.”

Ora 12:21
Sulmet e SHBA në Iran, Kurti: Përkrahim qëndrimin e Uashingtonit dhe Brukselit rreth programit bërthamor të Teheranit

1750587747_fc7b1af9f6bd4958af4425fb1a1a.jpg

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Kosova përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare, duke i cilësuar të drejta sulmet e Uashingtonit në Iran.

“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese.

Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare.

ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur”,- shkruan Kurti në rrjetet sociale.

Ora 11:26
Ministri i Jashtëm rus: Bota rrezikon të zhytet në kaos

1749501474_sergeilavrov.jpg

Nëse secili vend e interpreton si të dojë të drejtën për vetëmbrojtje, atëherë bota rrezikon të rrëshqasë në një kaos të plotë.

Kështu u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një intervistë për televizionin shtetëror rus, e cituar nga agjencia Ria Novosti.

Lavrov iu referua sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, por pa komentuar ende mbi ato të kryera nga Shtetet e Bashkuara.

Ora 10:50
Sulmet e SHBA në Iran, BE bën thirrje për de-përshkallëzim: Të gjitha palët të tërhiqen

1750244598_kajakallas.avif

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka bërë një thirrje urgjente për qetësi pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i ftuar të gjitha palët e përfshira të shmangin përshkallëzimin ushtarak.

«I bëj thirrje të gjitha palëve të bëjnë një hap pas, të kthehen në tryezën e negociatave dhe të shmangin çdo përshkallëzim të mëtejshëm», ka shkruar të dielën Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, në një postim në rrjetin X.

Ora 09:22
Kryeministri Starmer: Irani të rikthehet në tryezën e negociatave, stabiliteti është thelbësor

1750577007_6d3dec00195311f0b0b281a2c168.jpg

“Situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe stabiliteti në rajon është një përparësi. I bëjmë thirrje Iranit që të rikthehet në tryezën e negociatave dhe të gjejë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund krizës” – ka deklaruar kryeministri britanik Keir Starmer, në një postim në rrjetet sociale, në përgjigje të sulmeve amerikane ndaj impianteve bërthamore iraniane gjatë natës.

Sipas Sky News, Mbretëria e Bashkuar nuk ka qenë e përfshirë në këto sulme.

Ora 08:47
Bombardimet e SHBA në Iran, NATO: Po e monitorojmë nga afër situatën

1750574962_thumbsbce203da14cc8015b1bb4f5.jpg

Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se Aleanca po ndjek me vëmendje zhvillimet në Lindjen e Mesme, pas sulmeve amerikane ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit, të kryera gjatë natës.

Lajmi raportohet nga Sky News, që citon deklaratën e zyrtarit për agjencinë Reuters:

«Natyrisht, po e monitorojmë nga afër situatën», u shpreh ai.

K.M/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?