Pas sulmit kibernetik në faqet qeveritare online, është punuar intensivisht për 4 javë dhe është bërë e mundur që të jenë të aksesueshme shërbimet online për qytetarët dhe bizneset. AKSHI njofton se 1224 nga 1225 shërbime online që jepen mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë. I vetmi shërbim me të cilin po punon ende stafi i inxhinierëve është njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja.
Ndërkohë platforma e-Albania aksesohet dhe nga jashtë territorit të Republikës Shqipërisë dhe mund të aplikohet për 36 shërbimet konsullore. Në funksion të plotë janë shërbimet e vërtetimit të pagesës së aftësisë së kufizuar; kryerja e pagesave të ujit për UKT Tiranë; aplikimet për Leje ndërtimi (e-Lejet), vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe përdorimit te burimeve ujore.
Me qëllim vijimin e mëtejshëm të procedurave administrative për aplikimet e ngarkuara në sistemin e-Leje, në mbështetje të VKM-së Nr. 430, datë 11.7.2018 “Për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për sistemin elektronik të lejeve (e-leje)”, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), në cilësinë e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit (AKSHI):
-ofron asistencë ligjore dhe procedurale ndaj Bashkive dhe institucioneve që kanë akses në sistemin elektronik e-Leje;
-përgatit udhëzimin përkatës mbi bazën e të cilit do të operojnë të gjithë aktorët e përfshirë në proces, që dërgohet për shqyrtim dhe miratim dhe pranë Këshillit Kombëtar të Territorit.
Në njoftimin publik ku sqaron rikthimin në normalitet të shërbimeve online, AKSHI shpreh eherë mirënjohje për të gjithë punonjësit e ekipit, që ia dolën të rikuperojnë shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të Microsoft për ndihmën e ofruar gjatë gjithë këtyre ditëve.
Kujtojmë se një grup i FBI është dislokuar në Tiranë për të mbështetur hetimet për zbulimin e autorësisë së sulmit kibernetik ndaj sistemit të shërbimeve online në vendin tonë. Dyshimet janë se pas sulmit kibernetik në Shqipëri, ka të ngjarë të jenë hakerët pro-iranianë ose rusë.