Ish-zyrtari në burgun e Vlorës, Zambak Gjoni, i cili akuzohet për ndërhyrje në sisteme kompjuterike pranë SPAK do të vijojë të qëndrojë në burg.
Këtë të premte u mbajt seanca për informacionet dy mujore, ku kërkoi lirimin nga qelia me argumentin se nuk ka kryer asnjë veprim në sistemet kompjuterike të prokurorisë. Pavarësisht argumentit të tij, gjykata nuk e miratoi kërkesën e tij duke e lënë në burg pa afat.
Sipas SPAK, Gjoni dhe ish-punonjësi i IMT Arnold Rrokaj kanë hyrë tek sistemët e email të 3 prokurorëve të posaçëm. Në dosje thuhet se personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, por pa sukses.
Sulmi kibernetik ndodhi më 12 Mars, por SPAK reagoi përmes një deklarate zyrtare ditë më vonë, duke thënë se hackerat kanë arritur që të marrin të dhëna nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por se nuk kanë arritur që të depërtojnë në sistemin e brendshëm të sigurisë apo të rrjedhin dosje hetimore.
SPAK sqaroi se arrestimi i tyre u bë brenda 24 orësh nga ndërhyrja për hakerimin e emaileve të prokurorëve, dhe se sekuestruan pajisjet e përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.
Të dy këta persona i kanë shpërndarë dokumentet që kanë arritur të marrin në persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë dy gazetarë, ish-kreu i burgjeve, Agim Ismaili dhe Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.
Komente
