Një sulm kibernetik ndaj një pjese të një software-i të përdorur nga disa kompani ajrore për të kryer operacionet e check in-it, bëri që programimi të bllokohej për disa orë, duke çuar në anulimin dhe vonesa të mëdha në nisjen e dhjetëra fluturimeve në disa nga aeroportet më të rëndësishme të Europës: Londra Heathrow, Bruksel, Berlin dhe Dublin. Problemet, që prekën mijëra persona, u zbutën vetëm nga fakti se zakonisht të shtunën udhëtojnë më pak njerëz sesa të hënën, të premten dhe të dielën. Por bllokimi i radhës, edhe pse i kufizuar në disa aeroporte, nxori në pah infrastrukturën dixhitale ende problematike të aviacionit, saqë është një pre e lehtë për keqbërësit. Vështirësitë nisën natën mes së premtes dhe së shtunës.
Collins Aerospace, kompania sistemet e së cilës u mundësojnë pasagjerëve të kryejnë vetë check-in, të printojnë kartat e hipjes në bord dhe etiketat e bagazheve si dhe të regjistrojnë bagazhet nëpërmjet kioskave, foli për një "ndërprerje të lidhur me një sulm kibernetik" ndaj softuerit të saj MUSE (Multi-User System Environment) në "disa aeroporte". Dhe kështu, që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, veçanërisht në Bruksel, pranimet e udhëtarëve u bënë manualisht, gjë që vonoi ndjeshëm operacionet. Deri mbrëmë nuk ishte e qartë se kush mund të ishte pas sulmit, nëse hakerë, organizata kriminale apo ekspertë që veprojnë për llogari të shteteve. Në një komunikim për kompanitë ajrore, Eurocontrol — agjencia europiane që koordinon trafikun ajror në Europë dhe jo vetëm — kërkoi fillimisht nga transportuesit të anulonin gjysmën e fluturimeve të planifikuara që niseshin nga Brukseli që nga ora 6 e mëngjesit e së shtunës më 20 shtator deri në orën 4 të mëngjesit të së dielës 21 shtator. Por më pas udhëzimi u zgjat deri në orën 4 të mëngjesit të së hënës, gjë që rrezikon të krijojë probleme të mëtejshme për ata që duhet të udhëtojnë nga kryeqyteti belg. "Masa mund të merren edhe për Londrën Heathrow, Berlinin dhe Dublinin", thuhet në reagim. "Të premten në mbrëmje, më 19 shtator, ka pasur një sulm kibernetik kundër ofruesit të sistemeve të check-in-it dhe imbarkimit që ka prekur disa aeroporte europiane, përfshirë aeroportin e Brukselit", deklaroi ky i fundit në një komunikatë, duke sinjalizuar fillimisht një "ndikim të madh" mbi oraret e fluturimeve. Aeroportet sqaruan se problemi kishte të bënte me një ofrues sistemesh check-in-i dhe imbarkimi, jo me linjat ajrore dhe as me vetë aeroportet.
Londra Heathrow, aeroporti më i ngarkuar i Europës, foli për shqetësime “minimale”, pa anulime fluturimesh që lidhen drejtpërdrejt me problemet e Collins. Në çdo rast, aeroportet u rekomanduan udhëtarëve të kontrollonin statusin e fluturimeve dhe kërkuan ndjesë për shqetësimet e mundshme. Rtx, kompania që kontrollon Collins Aerospace, tha se ishte në dijeni të një "ndërprerjeje të lidhur me një sulm kibernetik" ndaj softuerit të vet në disa aeroporte, pa specifikuar cilat. "Ndikimi është i kufizuar tek check-in-i elektronik i klientëve dhe dorëzimi i bagazheve, dhe mund të menaxhohet me operacione manuale" në sportele. Duke analizuar të dhënat e pikës së arritjes së fluturimeve, kompania e specializuar Cirium njoftoi se dje Berlini dhe Brukseli rezultonin të ishin më të prekurit, të ndjekur nga Heathrow./Corriere della sera
Komente
