TIRANË- Afati për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte publike në Tiranë është shtyrë deri më 30 qershor 2025, për shkak të sulmit kibernetik iranian në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës më datë 20 qershor. Si pasojë, platforma e-femijet.tirana.al nuk është ende funksionale.
Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve bën të ditur se regjistrimi do të kryhet fizikisht në ambientet e drejtorisë në Rrugën e Barrikadave, në datat 25, 26, 27 dhe 30 qershor 2025.
“Për shkak të sulmit kibernetik ndaj Bashkisë Tiranë më datë 20 Qershor 2025 Platforma e Aplikimeve për Regjistrimin e Fëmijëve në Çerdhet dhe Kopshtet Publike e-femijet.tirana.al nuk është ende në funksion.
Për sa më lart, ju informojmë se në datat 25, 26, 27 dhe 30 Qershor 2025 mund të paraqiteni në Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve (Adresa: Rruga “Barrikadave”) për të kryer aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, kopsht dhe kalimet nga çerdhja në kopsht për të gjithë ju që nuk arritët të aplikonit në platformë në datat 02-20 Qershor 2025”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve.
Regjistrimi vlen si për fëmijët që aplikojnë për herë të parë në çerdhe apo kopshte, ashtu edhe për ata që do të kalojnë nga çerdhja në kopsht, të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë online.
Komente
