Kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviç, nga Tirana ku ishte i pranishëm për ministerialin e ministrave të Jashtëm në kuadër të Porcesit të Berlinit, foli me fjalë të ashpra në drejtim të ndërkombëtarëve sa i takon qëndrimit për situatën në veri të Kosovës. Abazoviç tha se politika e ndërkombëtarëve nuk ka qenë shumë efikase në rajon.
‘Mali i Zi ka një politikë paqësore dhe mendoj se qeveria jonë dhe shteti jonë, ka krijuar një model që si mundet që kombësi të ndryshme të jetojnë në harmoni. Hetimi që do të realizohet do të tregojë të vërtetën. Është e papranueshme kjo që ka ndodhur në veriun e Kosovës. Mali i Zi përkrah atë që ka thënë BE dhe NATO. Serbia zyrtarë të hetohet! E pres edhe nga ndërkombëtarët, autoritete e Kosovës por edhe nga Serbia. Ndërkombëtarët 'nuk duhet të lajnë duart'. Ka pasur paralajmërime nga ana e Kosovës se atje, në veri ka shumë kriminel e banada kriminale. Edhe ndërkombëtarët duhet të mbajnë qëndrimin e vet.- tha Abazoviç.
Sa i përket kritikave ndaj dy ndërmjetësve në dialogun Kosovë-Serbi, Lajcak apo Borrell, ai se “politika e tyre nuk ishte fort efikase dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me atë që ka ndodhur para pak ditësh në Kosovë, por në kontinuinitet, me Bosnjën në 1995, në 1999. Duhet të jenë më të qartë për qëllimin përfundimtar. Kështu kemi deklarata të ndryshme nga njerëz të ndryshëm”.
Abazoviç u pyet nga gazetarët në Tiranë edhe mbi deklaratat e Kryeministrit Rama për prezencën e KFOR në veri të Kosovës. Në përgjigjen e tij, Abazoviç doli në krah të Ramës, me argumentin se përpjekjet e kryeministrit shqiptar, gjithmonë kanë shkuar pro paqes në rajonin tonë.
‘Veprimet e tij dhe çdo aktivitet i madh, i tij ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor shkojnë në drejtim që ne si rajon të kemi paqe dhe të shkojmë drejt progresit. Nuk i takoj atyre politikanëve, i cili do të nisë veprime kritike ndaj Ramës pasi jam i bindur se çdo veprim i tij shkon në një drejtim, që të kemi një rajon në paqe.’- tha Abazoviç.
Abazoviç tha se autorët e krimit duhet të dalin para drejtësisë, e shtoi se nacionalizmat në Ballkan janë krijuar nga kriminelët e organizuar.
'Autorët e krimit duhet të dalin para drejtësisë. Nacionalizmi në trevat e Ballkanit është i krijuar nga kriminelët e organizuar. Nga njerëz që merren me trafikim. Ata që kanë fuqi financiare krijojnë edhe tensionet.'- tha Abazoviç.
I pyetur nëse ka dështuar Ballkani i Hapur, kryeministri i Malit të Zi tha se për këtë duhet pyetur ata që e krijuan.
‘Ata që e kanë krijuar Ballkanin e Hapur le të pyeten, ne jemi të hapur për bashkëpunim rajonal. Ata që e kanë krijuar duhet të japin përgjigjen se si do të vijojë.’- tha Abazoviç.
Si ndodhi përplasja në veri të Kosovës
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë. Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmi.