Bardhok Planaj

Kronikë

Sulmi me armë në Malësi të Madhe, njëri prej autorëve nipi i 'Kumbarit' të Shkodrës! U ekzekutua në 2021 me breshëri kallashnikovi

3 Shkurt, 09:39| Përditesimi: 3 Shkurt, 09:49

  • Share

Një prej autorëve të sulmit me mbi 100 plumba mbrëmjen e së shtunës në fshatin Gruemirë të Malësisë së Madhe mësohet të jetë nipi i Bardhok Planajt, i cili u ekzekutua më 4 prill të vitit 2021.

Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Rivaldo Zmijanej alias Rivaldo Planaj nga fshati Shtoj i Vjetër. I riu, së bashku me Erion Vocrrin nga fshati Hot i Ri, shkuan më 1 shkurt 2025 në fshatin Gruemirë të Malësisë së Madhe ku dhe qëlluan me armë zjarri, pasi iu prishën planet për të vjedhur.

Nipi i Bardhok Planajt, ose i njohur ndryshe si “Kumbari i Shkodrës”, së bashku me Vocrrin shkuan në fshat për të vjedhur, mirëpo u pikasën nga tre banorët, Mirsad, Edison dhe Besim Kurtaj, me të cilët debatuan.

Gjatë ndjekjes nga tre personat e familjes Kurtaj, e cila zgjati 10 minuta, ata qëlluan me kallashnikov me rreth 100 plumba. Fatmirësisht si pasojë e këtyre të shtënave nuk pati e persona të lënduar.

Menjëherë pas kësaj ngjarje ata u larguan në drejtim të paditur, teksa Policia prej orësh tanimë po punon për kapjen e tyre.

Vrasja e  Bardhok Planaj

I njohur me nofkën "Kumbari i Shkodrës", ndërtuesi i pallateve i skeduar dhe për trafik droge u ekzekutua me breshëri plumbash më 4 Prill 2021 në Shkodër

Ai ishte nisur drejt Malësisë së Madhe, kur një skuadër qitësish profesionistë ju vunë në ndjekje dhe e vranë 50 metra larg shtëpisë, në fshatin Dobraç i Ri. Më shumë se 40 plumba kallashnikovi u derdhën drejt fuoristradës së tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ekzekutimi i "Kumbarit të Shkodrës" u cilësua si një goditje e madhe për botën e krimit, pasi emri i tij mbartte një peshë të madhe në këtë qytet dhe në përgjithësi në zonën e veriut.

Bardhok Planaj është përfshirë disa herë në dosjet e policisë si person me precedentë në fushën e trafikut të drogës. Në 2014-ën ai u dënua në mungesë për “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

Për këto akuza ai u arrestua në 2018-ën dhe madje iu sekuestrua edhe një pallat 10-katësh i dyshuar se ishte ndërtuar me para nga burime kriminale dhe pa leje ndërtimi.

Ngjarja më e bujshme është ajo e 2014-ës që lidhet me një rast të trafikut të drogës nga Laguna e Vilunit dhe që trazoi edhe politikën shqiptare.

Më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin në det nga një mjet lundrues çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen e asaj date, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg.

Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve u identifikua asokohe si shtetas italian. Sipas raporteve të policisë të asaj kohe i përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës ishte pikërisht Planaj.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?