MOSKË-Të paktën një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi masiv me dron gjatë natës në Moskë dhe zonat përreth kryeqytetit, sipas autoriteteve lokale.
Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyev, njoftoi se sulmi ka prekur qytetet Vidnoye dhe Domodedovo, në periferi të kryeqytetit. Shtatë apartamente në një pallat banimi janë dëmtuar nga shpërthimet. Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se 73 drone që po i afroheshin qytetit janë rrëzuar, ndërsa rrënojat e një prej tyre kanë dëmtuar kulmin e një ndërtese.
Si pasojë e sulmit, është pezulluar qarkullimi i trenave në zonën përreth dhe janë vendosur kufizime në fluturimet nga aeroportet kryesore të Moskës, Sheremetyevo, Domodedovo dhe Vnukovo – që shërbejnë për miliona pasagjerë çdo vit.
Ky sulm cilësohet si një nga më të mëdhenjtë që nga nisja e ofensivës ruse ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ngjarja ndodhi vetëm pak orë para një takimi të rëndësishëm midis përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Arabinë Saudite, i përqendruar në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Guvernatori Vorobyev publikoi në rrjetet sociale pamje që tregojnë apartamente të dëmtuara dhe automjete të djegura në një parking në rajonin e Moskës. Ai tha se 12 persona, mes tyre tre fëmijë, janë evakuuar nga banesat për shkak të dëmeve të shkaktuara.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se gjatë natës janë rrëzuar ose neutralizuar gjithsej 337 drone ukrainas në Moskë dhe nëntë rajone të tjera të vendit. Ukraina nuk ka komentuar zyrtarisht mbi këto pretendime, ndërsa autoritetet ukrainase raportuan nga ana tjetër sulme ajrore me dronë rusë në Kiev dhe disa rajone të tjera, por ende nuk dihet nëse ka viktima nga këto sulme./Reuters
Komente
