Drejtori sportiv i Monza në Serie A, Adriano Galliani tregon për TG2 se gjendja e Pablo Mari është e stabilizuar dhe 29 vjeçari është jashtë rrezikut për jetën. Mbrojtësi spanjoll është një nga pesë të plagosurit e sulmit me thikë që ndodhi sot pasdite në një qendër tregtare pranë Milanos. Galliani ka folur nga spitali, ku u interesua për gjendjen e Pablo Mari. Fatkeqësisht arkëtari i supermarketit ndërroi jetë nga sulmi me thikë i agresorit 46 vjeçar.
"Fatkeqësisht mora një lajm të tmerrshëm, ka vdekur arkëtari i dyqanit. Përsa i përket Pablo Marì ai kishte një plagë mjaft të thellë në shpinë, depërtuese, e cila nuk preku organet vitale si mushkëritë apo të tjera. Mbrojtësi nuk është në rrezik për jetën, sigurisht që ka probleme por duhet shërohet shpejt me gjithë disa muskuj të lënduar. Ai është i vetëdijshëm, lajmet që vijnë nga infermieret thonë se po qepin plagën", tha Galliani.